Vetëgjyqësia, 10 mijë të vrarë në 18 vjet
Përveç varfërisë dhe përpjekjes për t’u rimëkëmbur, tetëmbëdhjetë vitet e tranzicionit shqiptar janë shoqëruar me 9800 vrasje për motive vetëgjyqësie. Mosbesimi ndaj gjykatave, zakoni kanunor i gjakmarrjes dhe, mbi të gjitha, pronat janë “vrasësit” kryesorë të bashkëqytetarëve tanë. Shtatë në dhjetë prej tyre kanë humbur jetën për shkak të konflikteve të pronësisë, sipas Strategjisë Kombëtare kundër Gjakmarrjes, që u publikua dje. E ndërkohë, 120 mijë dosje të tjera janë në pritje të gjykimit, në institucionet e drejtësisë.
Ngujimi, “tradita” vazhdon
Rezultatet e paraqitura në strategji nuk janë aspak shpresëdhënëse. Ngujimi i familjeve për shkak të hakmarrjes, vazhdon të jetë një dukuri e përhapur në gjithë vendin. Akoma edhe në kryeqytet, aty ku shumë prej këtyre familjeve kanë shkuar për të shpëtuar nga hasmëritë e vjetra, numri i të ngujuarve është i konsiderueshëm. Strategjia bën të ditur se në Tiranë jetojnë afërsisht 100 familje të ngujuara dhe 70 të tjera që mendohet se janë në kryeqytet, pasi fshihen nga kontaktet me njerëzit e tjerë.
Numri i familjeve që nuk dalin prej shtëpisë nga frika e hasmit të vjetër, shkon mbi një mijë në rang vendi, ndërkohë që prej vitit 1990, në Shqipëri janë raportuar 6 mijë familje të ngujuara. Fakti që ende një e gjashta e tyre ndodhet e vetizoluar, shihet si një prej problemeve kryesore në strategji. Por, përveç pasojave të drejtpërdrejta, një tjetër ndikim ekziston mbi këto familje. Duke qenë se kanuni nuk respektohet, edhe fëmijët dhe gratë detyrohen të izolohen, duke bërë që përveç të sotmes, edhe e ardhmja të vihet në pikëpyetje. Fëmijët nuk shkojnë në shkollë, shpeshherë janë analfabetë e, në rastin më të mirë, përfitojnë mësim të cunguar në shtëpi.
Strategjia bën të ditur një shifër të pamenduar më parë: 11 mijë fëmijë nuk frekuentojnë shkollën ose për shkak të ngujimit, ose për shkak të varfërisë ekstreme në të cilën ndodhet familja e tyre.
Mosbesimi nga gjykatat thellon hendekun
Në këtë panoramë, shpresa e fundit e gjithsecilit, drejtësia, nuk ekziston. Raporti bën me faj edhe gjykatësit e prokurorët, të cilët në mënyrë të tërthortë e rëndojnë situatën. Kjo, pasi lirimi i fajtorëve për krime të ndryshme ose dënimi i tyre pa marrë parasysh ndjeshmërinë e komunitetit, bën që dukuria e hakmarrjes dhe vetëgjyqësisë të rritet ndjeshëm dhe që besimi ndaj gjykatave të venitet në maksimum.
Vetëm nga amnistia e kryer në vitin 1997, për një sërë krimesh, kryesisht me karakter pronësie, janë prodhuar dhjetëra raste vetëgjyqësie. Në këtë mënyrë, 303 persona, që përfituan prej amnistisë së votuar në Kuvend, humbën jetën për motive hakmarrjeje vetëm pak vite më vonë.
Prona, “vrasësi” kryesor
E ndërkohë që mosbesimi ndaj gjykatave rritet, vrasësi kryesor është prona. Reforma si ajo e ligjit 7501, e më pas pamundësia apo mosdëshira për të zgjidhur ngërçin më të madh të viteve të tranzicionit, ka qenë arsyeja e 70 për qind të këtyre vrasjeve. Në shumë raste, akoma edhe brenda një familjeje ka pasur vrasje, ndërsa mosmarrëveshjet janë kthyer në një dukuri të zakonshme.
Sipas strategjisë, në një zonë të vetme, atë të Zadrimës, plot 2200 familje kanë ndërprerë marrëdhëniet me njëri-tjetrin, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për pronësinë. Sipas strategjisë, zgjidhja sa më e shpejtë e këtij problemi do të jetë njëkohësisht edhe një zgjidhje për dukurinë e vetëgjyqësisë, pasi këto mosmarrëveshje janë vrasje potenciale, për aq sa familjarët vazhdojnë të grinden me njëri-tjetrin.
Por, zgjidhja nuk duket në horizont në rrugë ligjore. Në gjykatat e vendit plot 120 mijë dosje presin për të marrë përgjigje e deri sa kjo të ndodhë, dukuria e gjakmarrjes a vetëgjyqësisë, nuk duket se do të marrë fund.