E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banka Popullore, ja çfarë ofrohet për klientët

00/00/0000  Të gjitha llojet e kredive dhe interesat më konkurruese në treg për depozitat

Vetëm një vit në treg, por depozitat e saj në lekë dhe euro janë me tarifat më të favorshme. Banka Popullore konkurron sot në treg përkrah 16 bankave të nivelit të dytë, jo vetëm duke rritur normën e interesit për depozitat, por dhe duke i patur sportelet e hapura për kredi dhe shërbimet e tjera bankare. Banka Popullore me një kapital tërësisht privat dhe me 30 aksionerë përfaqësues të bizneseve nga më të spikaturit në vend, ka filluar veprimtarinë e saj në mars të 2004-ës dhe, aktualisht e shtrin shërbimin e saj në 13 degë dhe deri në fund të 2005-ës parashikohet në 20 degë. Sipas të dhënave, portofoli i kredisë në fund të vitit të kaluar arriti në 2.6 miliardë lekë, duke pasur parasysh faktin se banka kishte vetëm 10 muaj aktivitet. Por duket se synimi i Bankës Popullore është të dyfishojë kreditimin në 2005-ën, duke mbyllur vitin me një portofol kredie prej 4 miliardë lekë. Ndërkaq, duke bërë publik bilancin e tyre financiar, Banka Popullore ka deklaruar se totali i aktiveve kap vlerën e 6.7 miliardë lekëve, ndërkohë që kapitali aksioner është 1.056 miliardë lekë. Banka numëron rreth 4 mijë klientë dhe 13 degë të çelura. Kështu duket se banka është e hapur për të gjitha llojet e kredive, që nga ato për biznesin e deri tek individët, që kërkojnë të paguajnë me paratë e bankës makinën apo dhe shkollën e fëmijëve. Afatet e shlyerjes së këtyre kredive variojnë në varësi të qëllimit, për të cilin do të përdoren ato. Kështu, kreditë mund të jenë afatshkurtra, që nënkupton faktin se duhet të shlyhet brenda një viti, apo edhe afatmesme me tendencë afatgjatë, të cilat shkojnë nga 5–7 vjet. Normat e interesit janë gjithashtu në varësi të llojit, afatit dhe qëllimit të kredisë.

Kredia për biznes

Kredia për biznesin është e klasifikuar në tre kategori. Në kategorinë e parë përfshihet kredia për kapital qarkullues, me një afat shlyerjeje maksimumi 12 muaj. Në kategorinë e dytë përfshihen linjat e hapura të kredisë, ose ato që quhen ndryshe overdrafte. Në kategorinë e tretë përfshihen kreditë që përdoren për të financuar investime të ndryshme. Këto janë kredi afatmesme, me afat shlyerjeje deri në 5 vjet. Normat e interesit variojnë sipas monedhës, afatit, marrëdhënieve me klientin etj. Për kreditë e marra në lekë, norma e interesit varion bono thesari 12-mujore, duke i shtuar +5 deri në +8 për qind.

Kredi për makina të reja

Banka Popullore jep kredi për blerjen e makinave të reja nga ana e individëve apo për qëllime biznesi. Kushdo që ka dëshirë të blejë një makinë të re, mund t’i drejtohet Bankës Popullore për të përfituar nga interesat dhe shumat që ajo vë në dispozicion. Afati maksimal i shlyerjes së kësaj kredie arrin deri në 3 vjet. Ndërkohë, banka mund të paguaj për një makinë deri në 1.5 milionë lekë. Kjo vlerë jepet duke patur parasysh se niveli i financimit është deri në 65 për qind të vlerës së makinës. Normat e interesit janë norma-bazë e bonove thesarit 12-mujor, +6 për qind.

Kredi konsumatore

Banka Popullore ofron edhe kredi të shpejta konsumatore për të mbuluar nevojat e individëve për shuma relativisht të vogla. Shuma maksimale që mund të përfitohet me anë të kësaj kredie është 500 mijë lekë, me afat deri në 36 muaj. Norma e interesit është 1.5 për qind në muaj, ndërkohë që shpenzimet e komisionit janë zero. Banka jep dhe

kredi për arsim

me shuma nga 5 mijë euro, ose ekuivalentja e tyre në lekë apo dollarë. Afati maksimal i kësaj kredie është deri në 24 muaj. Norma vjetore e interesit është 18 për qind për kreditë e marra në lekë dhe 12 për qind për ato në euro e dollarë

Dega e fundit, Himara

Kushdo që do të jetë me pushime në Himarë gjatë sezonit turistik, do të ketë në dispozicion të tij dhe një degë të Bankës Popullore. Dje drejtuesit e Bankës kanë përuruar degën, duke premtuar se përkushtimi nga sportelet e kësaj banke do të jetë i madh, duke ofruar një shërim të shpejtë dhe tërësisht të kompjuterizuar. “Nën mbështetjen e fuqishme të aksionerëve të saj, banka po i drejtohet tregut duke gjetur hapësira biznesi, kryesisht në rajonet me perspektivë të tregut”, kanë deklaruar gjatë përurimit drejtuesit e Bankës Popullore. Kështu nën moton “Mbështesim njëri-tjetrin”, banka dhe klientët e saj po bëhen partnerë realë në zhvillimin ekonomik dhe të investimeve të huaja. Klientët e bankës do të kenë në dispozicionin e tyre kartat e debitit, me të cilat mund të kryejnë shpenzime në çdo moment, duke përdorur ATM e vendosura në degët e bankës. Fillimisht banka ka instaluar ATM në Tiranë dhe Vlorë, ku është dhe fluksi më i madh i klientëve dhe i qarkullimit.

Veprimet e tjera për klientët

Veprime me bono thesari

Emetim të çeqeve bankare

Transferta bankare brenda dhe jashtë vendit

Letër krediti importi-eksporti

Inkasi importi-eskporti

Garanci bankare brenda dhe jashtë vendit

Interest e Depozitave

Shërbimet Lekë euro dollarë

Llogari rrjedhëse 0.50% 0.10% 0.10%

Depozita pa afat 1.00% 0.50% 0.50%

Llogari e ngurtësuar 1.00% 0.50% 0.50%

Depozita afat 1 mujor 4.20% 2.20% 2.50%

Depozita afat 3 mujor 4.50% 2.20% 2.50%

Deozita afat 6 mujor 6.00 % 2.50% 3.00%

Depozita afat 12 mujor 7.00% 3.20% 3.50%

Depozita afat 24 mujor 7.50% 3.60% 4.00%

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›