E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eposi i kreshnikëve,Folk-miti shqiptar

00/00/0000  Etnokultura

Shtëpia botuese “Plejad” boton “Eposi i kreshnikëve dhe legjendat”, që i përkasin kolanës “Visaret e Kombit”, të mbledhur dhe redaktuar nga At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti

I botuar që përpara 70 vitesh, i studiuar gjatë e gjerë më vonë, por prej disa dekadash jo më i pranishëm në duart e gjeneratave tona të reja, “Eposi i kreshnikëve” siç njihet në emërtimin shkencor, ajo që në popull thirret thjesht këngë kreshnikësh, këngë të Mujit dhe Halilit, këngë të moçme trimash apo këngë lahute, përbën “visarin ma të çmueshëm të gjuhës shqipe, shprehjen mâ të gjallë të shumë ndjesive bujare e përfytyrimin ma tipik të fizionomisë së kombit t’onë”, siç shkruajnë në parathënien e tyre At Bernardin Palaj dhe At Donald Kurti, mbledhësit e lavdishëm të këtij korpusi të mrekullueshëm prej 342 këngësh.

At Bernardin Palaj kishte lindur në vitin 1896 në fshatin Shllak të Dukagjinit dhe, pasi kishte marrë mësimet e para në Kolegjin Françeskan të qytetit të Shkodrës, ishte diplomuar për Teologji në Insbruk të Austrisë. Pas mbarimit të Studimeve, ai u kthye në vendlindjen e tij, ku u caktua profesor i historisë në Liceun "Illiricum" dhe krahas asaj pune, për afro 20 vjet me radhë, merret me mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve të Veriut të Shqipërisë, si dhe me doket e zakonet e atyre krahinave. Për atë punë voluminoze, që i zgjati për më shumë se dy dekada, At Bernardini angazhoi edhe më shumë se 40 famullitarë që shërbenin në ato vise të thella dhe bashkë me At Donat Kurtin, duke i mbledhur dhe sistemuar ato në katër vëllime të veçanta, të cilat njihen ndryshe si "Visaret e Kombit".

Ja përse, sjellja pas kaq shumë viteve harrese në duart e nxënësve të shkollave të mesme, të studentëve e të gjithë libradashësve tanë, e një vepre të tillë monumentale, mund të konsiderohet një “ringjallje” e kësaj pasurie të pakrahasueshme të kulturës sonë.

Këngët e këtij cikli këndohen kryesisht në trojet veriore të banuara prej shqiptarëve, sidomos mbi lumin Drin (duke përfshirë Krajën, Malësinë e Madhe, Dukagjinin, Nikaj-Merturin, Malësinë e Gjakovës etj.), por edhe në jug të Drinit, sidomos në Pukë, Lumë e Dibër. Ndonjë subjekt haset dhe në Lezhë, Krujë dhe krahinat veriore të Elbasanit e të Librazhdit. Nëpërmjet malësorëve, të zbritur që nga fillimi i këtij shekulli e këtej, si edhe të kosovarëve të shpërngulur, ato kanë ardhur deri në rrethet Elbasan, Durrës, Lushnjë e Fier. Ndaj dhe sot e kësaj dite aty jeton një cikël i gjerë poetik, sa i lashtë e madhështor nga ana ideore e artistike, aq edhe kompleks e kompakt, që përbën një pjesë të rëndësishme të epikës legjendare shqiptare, e që jeton jo thjesht si një relik i nderuar dhe i çmuar etno-kulturor, por kryesisht për mesazhin e madh që sjell, rezistencën në emër të lirisë, të së drejtës e të dinjitetit, si dhe për vlerat e larta artistike. Në këtë kuptim, vlera e këtij eposi gjen mjaft elokuencë në bindjen e thellë të malësorëve, se "Kangët e kreshnikëve” e burrnojnë njeriun, e bajnë trim, i shtien zemër të durojë plumbin, gjakun e luftërat që tresin meshkujt". Ja pse, sipas dëshmive të bartësve popullore e të studiuesve, këto janë kënduar tradicionalisht e janë dëgjuar me kënaqësi e nderim të veçantë, jo vetëm ndër kuvendet e gjera popullore, ndër dasma e festa të tjera apo pranë oxhakut të kullave karakteristike malësore netëve të gjata të dimrit, por edhe para fillimit të një beteje, madje edhe në zjarrmin e luftës. Ja pse shtëpia pa lahutë, shtëpia ku s'këndoheshin këngë kreshnikësh, konsiderohej si "shtëpi e lanun", që s'meriton respekt.

Më tej, mund të themi se ‘Eposi i kreshnikëve’ i ka të gjitha tiparet e zhanrit, por edhe veçoritë specifike, që lidhen me klimën historike-shoqërore e kulturore ku lindi, u rrit, u maturua e jeton. Së pari, ai ka tri veçori kryesore: Epizmin, frymën heroike dhe legjendaritetin. Frymëmarrja e gjerë është e pranishme në çdo ind të tij: në përleshjet dhe dyluftimet homerike, në madhështinë e heronjve dhe të botës që i rrethon, në përmasat e larta dhe tradhtitë tronditëse, në ndjenjat dhe mendimet e thella (Muji, p.sh., kur mendohet "shikon barin kah po rritet"), në gjatësinë e poemave (mesatarisht dalin me 200, por edhe me 500, edhe me 1000 vargje), në gjatësinë e vargjeve (pëlqehet më shumë dhjetërrokëshi i bardhë - një varg me mundësi të gjera shprehëse) etj. Në të njëjtën kohë, në epos janë të pranishme, do të thoshim, me shumicë, edhe detajet, situatat, trajtimet, personazhet e një reference lirike: dashuria midis vëllezërve e shokëve, dhimbja e humbjes së një personi të dashur, gëzimi i takimeve miqësore, ngjyrat plot shkëlqim të një peizazhi dhe lektisja para tij, portreti i një vashe (aq i mrekullueshëm ai i Tanushës në këngën “Martesa e Halilit”). Një shembull tjetër shprehës lirizmi është, fjala vjen, vajtimi i thekshëm i Ajkunës, gruas së kryetrimit, mbi trupin pa jetë të djalit të saj të vetëm. Por nga ana tjetër, rrëfimi është njëherësh edhe epik. Ai është plastik, monumental, i gjerë, solemn, shpesh mjaft i hollësishëm, zakonisht i shtruar, me një qetësi sublime, pa ekzaltime, eufori e kujë, me një forcë të brendshme e të natyrshme. Veçse këtu heroizmi nuk del si diçka e jashtme, si vetëmburrje a si mjet për të tërhequr simpatinë e dikujt. Ai është krejt spontan, i brendshëm, buron nga domosdoshmëria e rezistencës dhe e përballimit të rreziqeve e të vështirësive. E këtu dalim në një pikë mjaft të diskutuar dhe themelore të tij, origjinën, prejardhjen, moshën e krijimit.

Ja si e shpjegojnë françeskanët e mëdhenj në parathënien e tyre: “Mbas njij shqyrtimi të kujdesshëm vêhet ré, se ndër kto kângë mshehet ndiesija për pamvarsí, pse gjithkund del në shesh lufta e fisevet shqiptare të blokut kundra Slavit, qi tue kapërcyem Danubin, msyn qëndrën e ktyne fiseve: Jutbinën. Ktu sigurisht nuk këndohet myslimanizmi në luftë me kristjanizëm; por këndohet fuqija e njij rrace rreth njeriu, qi ká punë me zàna shqiptare, kundra fiseve slave, qi duen me i dërmue trojet e tija; kështu qi mbas shpirtit t’edáve shqiptarë âsht personifikimi i luftës ndërmjet rracash”.

Edhe shkenca e mëpasme shqiptare dhe e huaj priret drejt opinionit se tema kryesore e eposit shqiptar të kreshnikëve është rezistenca: rezistenca për ruajtjen e trojeve, bjeshkëve, kullotave, shtëpive, nderit e dinjitetit të botës së kreshnikëve, të fisit, të familjes dhe individit; rezistenca, konflikti dhe lufta kundër forcave të natyrës, të përfaqësuara nga zanat në fazën e tyre të "egër" (kënga "Martesa e Mujit"). Pra, në të gjitha rastet rezistenca e kreshnikëve lidhet me forca të përcaktuara etnikisht. Vetëm në një ose dy këngë si forcë e tillë dalin osmanët. Vetëm në fare pak këngë (ato mund të numërohen me gishtat e njërës dorë) si forca të tilla dalin "Krajli i Talirit" (mbreti i Italisë), maxharët, gumatet, venedikasit (Bajlozi i eposit është Bajlusi - i dërguari i Venedikut). Në të gjitha këngët e tjera, si forca të huaja, me të cilat lidhet rezistenca e kreshnikëve, janë shqetë (shkjete) - sllavët.

Jeta dhe veprimtaria e kreshnikëve zhvillohen rreth Jutbinës, qytet i vogel në Kroaci. Teatri kryesor i ngjarjeve shtrihet në viset veriperëndimore të Gadishullit Ballkanik (Zader, Senje, Kotorret e reja etj). Por në epos rrethi i veprimeve zgjerohet dhe shkon nga Shqipëria në Brigjet e Tunës (Danubit). Një dukuri të tillë shkencat shqiptare e shpjegojnë me dy shkaqe, njëri është i natyrës historike, tjetri i natyrës artistike.

Dihet se Ilirët, të parët e shqiptarëve, dikur shtriheshin në veri deri në brigjet e Danubit. Dyndjet në masë të sllavëve dhe përpjekjet për t’u stabilizuar në Ballkan (intensiteti i tyre më i madh i hershëm u përket shekujve VI-VIII), bënë që elementi ilir e më vonë iliro-arbëror, të tërhiqet gjithnjë e më shumë në drejtimet jug-jugperëndim, pjesërisht të asimilohet, diku-diku të mbetet edhe si ishull. Pra, kufiri i shtrirjes së elementit të shtyrë e në tërheqje, ishte gjithmonë në lëvizje.

Atëherë nuk është krejt pa kuptim të supozohet, merret vesh, me një siguri mjaft relative, se bërthama e eposit shqiptar të kreshnikëve sjell jehonën e një stadi të hershëm, të caktuar të kësaj lëvizjeje.

Në të njëjtën kohë, siç u tha, hapësira dhe koha e eposit, si zhanër që ka në themel legjendaritetin, janë hapësirë dhe kohë epike. Për më tepër, ky zhanër i lejon vetes që si kohën dhe hapësirën e largët, t’i përdorë për të rritur legjendaritetin, prestigjin epik. Në këtë kuptim, gjeografia e eposit, nga ana artistike, është plotësisht e përligjur. Këtu mund të shtojmë edhe lëndën e gjerë me origjinë mitologjike e përrallore, mendimin poetik legjendar, reminishencat e matriarkatit. Në këtë fond të lashtë do të duhej të bashkoheshin edhe elementë të hershme muzikorë (forca e madhe përgjithësuese dhe karakteri i qëndrueshëm intonativ, prania e një "fjalie" muzikore të vetme, që përsëritet e ndryshuar gjatë këngëve, modet e gjymtë dy-tre-katër tingullore, karakteri i ndjeshëm recitativ), si dhe disa fjalë e forma gjithashtu të hershme gjuhësore që janë ruajtur të ngurosura, të fosilizuara (fjala gjegjem me kuptimin dëgjoj, folja djerg me kuptim vepror kalimtar - dërgoj, çoj, zbres diçka a dikë, forma foljore nderin në vend të nderojnë ose nderonjën, përmbysja e gjymtyrëve të kohës së kryer - pshtue kam, dalë kanë - në vend të kam pshtue, kanë dalë etj.). Janë pikërisht këto elementë që i kanë bërë studiuesit objektivë të pranojnë gati njëzëri lashtësinë e eposit shqiptar të kreshnikëve. Le të citojmë një konstatim të M.Lambercit: "Elementët shqiptaro-ilirë, figurat e besimit popullor shqiptar, që janë të gjalla, si edhe armët e vjetra janë dëshmi kujtimesh të një date fort të lashtë".

Ja për të gjitha këto vlera të lashtësisë, krenarisë, epizmit, dashurisë për tokën, zakonet, për lirinë dhe atdheun, eposi ynë legjendar i kreshnikëve, tashmë i “ringjallur”, mund të shërbejë edhe si një instrument mjaft i këndshëm dhe i dobishëm, jo vetëm në edukimin artistik, por edhe atë moral e atdhetar të nxënësve dhe studentëve të shkollave tona.

Jutbina, teatri i kreshnikëve

Jeta dhe veprimtaria e kreshnikëve zhvillohen rreth Jutbinës, qytet i vogël në Kroaci. Teatri kryesor i ngjarjeve shtrihet në viset veriperëndimore të Gadishullit Ballkanik (Zader, Senje, Kotorret e reja etj). Por në epos rrethi i veprimeve zgjerohet dhe shkon nga Shqipëria në Brigjet e Tunës (Danubit). Një dukuri të tillë shkencat shqiptare e shpjegojnë me dy shkaqe, njëri është i natyrës historike, tjetri i natyrës artistike.

Dihet se Ilirët, të parët e shqiptarëve, dikur shtriheshin në veri deri në brigjet e Danubit. Dyndjet në masë të sllavëve dhe përpjekjet për t’u stabilizuar në Ballkan (intensiteti i tyre më i madh i hershëm u përket shekujve VI-VIII), bënë që elementi ilir e më vonë iliro-arbëror, të tërhiqet gjithnjë e më shumë në drejtimet jug-jugperëndim, pjesërisht të asimilohet, diku-diku të mbetet edhe si ishull. Pra, kufiri i shtrirjes së elementit të shtyrë e në tërheqje, ishte gjithmonë në lëvizje.

Atëherë nuk është krejt pa kuptim të supozohet, merret vesh, me një siguri mjaft relative, se bërthama e eposit shqiptar të kreshnikëve sjell jehonën e një stadi të hershëm të caktuar të kësaj lëvizjeje.

Në të njëjtën kohë, siç u tha, hapësira dhe koha e eposit, si zhanër që ka në themel legjendaritetin, janë hapësirë dhe kohë epike. Për më tepër, ky zhanër i lejon vetes që si kohën dhe hapësirën e largët, t’i përdorë për të rritur legjendaritetin, prestigjin epik. Në këtë kuptim, gjeografia e eposit, nga ana artistike, është plotësisht e përligjur. Këtu mund të shtojmë edhe lëndën e gjerë me origjinë mitologjike e përrallore, mendimin poetik legjendar, reminishencat e matriarkatit. Në këtë fond të lashtë do të duhej të bashkoheshin edhe elemente të hershme muzikore (forca e madhe përgjithësuese dhe karakteri i qëndrueshëm intonativ, prania e një "fjalie" muzikore të vetme që përsëritet e ndryshuar gjatë këngëve, modet e gjymtë dy-tre-katër tingullore, karakteri i ndjeshëm recitativ), si dhe disa fjalë e forma gjithashtu të hershme gjuhësore që janë ruajtur të ngurosura, të fosilizuara (fjala gjegjem me kuptimin dëgjoj, folja djerg me kuptim vepror kalimtar - dërgoj, çoj, zbres diçka a dikë, forma foljore nderin në vend të nderojnë ose nderonjën, përmbysja e gjymtyrëve të kohës së kryer - pshtue kam, dalë kanë - në vend të kam pshtue, kanë dalë etj.). Janë pikërisht këto elementë që i kanë bërë studiuesit objektivë të pranojnë gati njëzëri lashtësinë e eposit shqiptar të kreshnikëve.

Omeri i ri

Lum e lum për t’Lumin Zot,

nu’ jemë kanë e Zoti na ka dhanë!

Kur ish kanë nji plak i moçëm

Mashkull n’votër s’i ka metë

Nji baloz nmejdan po i del

Edhe i letër po m’ia çon.

Letrën plaku po ma kndon,

E me lot ai po e loton:

-Sot nji javë n’mejdan me m’dalë

ka qitë çika e ei pask athatë:

-Pash nji Zot, babë, qi t’ka hanë,

sh’ka asht letra po ekndon

e me lot fort po e loton?

-Le, mori çikë, ty Zoti t’ruejtë!

Rrezikzi kishem qillue

ǒse kam lemos me u gëzue.

Mue balozi m’lypë mejdan,

un jam plakë edhe jam zhgrehë,

nuk po muj me dal n’bejleg.

Ka qitë çika e i paska thanë:

-Aspak, babë, ti dert mos ki;

kur t’dalë drita, ajo daltë e bardhë

ke m’u veshë, babë, ke me u mbathë,

për me ra n’agajt t’Jutbinës,

agajt s’t’lanë jo me u koritë,

kur ka dalë drita, daltë e bardhë,

mirë asht’ veshë plaku e mirë asht’ mbathë,

për Jutbinë heret asht’ fillue

agë m’kuvend m’i ka bashkue.

Hallin agvet mirë jua ka dertue

Mue bajlori m’lypë n’mejdan,

m’lypë n’bejleg me te me u pre,

pash i Zot, agaj, u ka thanë

un jam plakë e tash jam mbetë.

Kurrsesi agajt me gojë nuk kanë folë,

As me sy nuk po e shikjojnë.

Shum-e paret plaku po jau njehë,

nuk ndigjojnë me i prekë me dorë...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›