Banka Pro-Stres-Kredit dhe 60 minutat që nuk t’i kthen njeri
NË VEND TË NJË REPORTAZHI
Habjon Hasani
Shumëkush në Shqipëri mund të ketë pasur rastin t’i drejtohet sportelit të bankave për të kryer veprimet financiare sipas nevojës së tij. Megjithatë, shumëkush është përballur me një “kapadaillëk” nga ana e punonjësve bankarë, të cilët sillen shpesh sikur po shkon të kërkosh lekë borxh, apo të marrësh ndonjë hise ashtu kot prej tyre. Nëse deri këtu bëhet fjalë për mungesë etike, në rastin e Arturit, një mikut tim, sjellja e punonjësve i kaloi këto caqe, duke provokuar një situatë bllokuese dhe tejet problematike. Për t’i rënë në kokë muhabetit po ju them shkurtimisht se Arturi është një biznesmen që ka një llogari personale në ProCredit Bank. Një të shtunë atë e telefonojnë nga një zyrë biznesi duke i komunikuar se të hënën e javës tjetër bëhej regjistrimi nga ora 9-11 për një aktivitet biznesi që do të kryhej në Bruksel. Duke qenë se karta e tij elektronike donte dhe një javë e gjysmë të dilte, pasi ishte rinovuar modeli, nuk i ngelej tjetër veçse të shkonte ditën e hënë në mëngjes në bankë dhe të tërhiqte në sportel ato dy mijë euro që i duheshin për regjistrimin. Aty rreth orës 08:30 të së hënës takohem me të dhe vendosim të shkojmë së bashku në bankë për të kryer veprimin. Porsa mbërrijmë, një djalë na ftoi të uleshim diku dhe të prisnim, por duke qenë se nuk pamë shumë njerëz vërdallë dhe nisur nga nguti i mikut tim, i shpjeguam situatën djaloshit dhe ai na la të shkonim te njëra nga sportelistet, e cila pak më vonë na shpjegoi se ishte një tjetër sporteliste që merrej me këto “probleme”. Pasi shkojmë te sportelistja e dytë i sqaruam pozicionin, ku natyrisht i kërkuam dhe ndjesë që e shqetësuam, ndërsa ishte duke ngrënë vaktin e mëngjesit. Por më kot, pasi ajo me siguri nuk donte shqetësime kur hante, kështu që na tha se duhej të vinim pas 40 minutash aty. I binte diku andej nga ora 09:55. Nuk kishim ç’të bënim, kështu që pimë një kafe dhe pas 40 minutash ishim fiks para sportelistes, e cila për fatin tonë i kishte larë hesapet me ushqimin. Por ja që tersi nuk na la dhe ndërsa ishim duke filluar procedurën e tërheqjes së shumës, asaj i tringëllon telefoni. Me sa duket ishte thirrur nga ndonjë epror, kështu që na kërkoi ndjesë duke shpejtuar dhe na tha të ktheheshim për 20 minuta. Si për të kërkuar siguri i thamë se e kishim punën shumë urgjente dhe u rikthyem në bankë aty rreth orës 10:20. Kishim vetëm 40 minuta kohë deri në orën 11. Pasi hymë sërish, djaloshi i sallës na ftoi që të uleshim e të prisnim diku, por ne i thamë se nuk mundeshim dhe se kishim lënë takim me spotelisten. Ai shkoi të verifikonte ndërsa zonja na dha fjalën se kishte disa klientë në ato momente dhe se duhet të prisnim dhe pak fare. Menduam se pak do të thotë pak dhe u ulëm. Por ora po shkonte 11:35 dhe mikut tim nuk i ngelej dhe shumë. Ndërsa me orën po soste dhe durimi, ai u çua dhe i rikujtoi problemin e tij sportelistes, e cila nga ana e saj “u prek” dhe e ftoi me një ton tepër të prerë të ulej si gjithë të tjerët. I revoltuar, miku im i kërkoi shpjegime për sorollatjen, ndërsa punonjësi i sallës i bëri të ditur se duhej të ulte zërin dhe bashkë me zërin të ulej edhe vetë në ndonjë karrige. Fatkeqësisht ora kishte kaluar dhe Arturi, edhe sikur të ulej e të tentonte sërish, nuk do t’ia vlente, sepse ato dy mijë euro nuk hynin në punë pas orës 11. Ndërsa po dilnim nga Banka mendova se një bankë mund të të “hajë” kohë, plane dhe punë të tuat. Duket interesante kur mendon se një bankë të merr kaq shumë, ndërsa je pikërisht ti ai që ke arkëtuar kursimet e krijuara nga koha, planet dhe punët e tua. Natyrisht, kështu mendova unë, se një zot e di se çka kaluar nëpër mendje miku im në ato momente...
29 Shkurt 2008