E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, BSH-ja nuk e ndryshon normën e interesit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. Ky vendim u mor pas shqyrtimit dhe miratimit të “deklaratës politike monetare për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2007”. Norma mesatare e inflacionit vjetor për vitin 2007 rezultoi 2.9 për qind, duke qenë mjaft pranë objektivit 3 për qind të BSH-së. Sipas BSH-së, “objektivi i inflacionit u arrit në terma mesatarë, pavarësisht luhatjeve të ndjeshme midis tremujorëve, si pasojë e goditjeve nga ana e faktorëve të ofertës, të cilët ishin kryesisht me origjinë jashtë ekonomisë sonë dhe të paparashikueshëm në një kohë më të hershme”. Kriza energjetike, çmimet në rritje të naftës dhe drithërave, si dhe rritja e çmimeve të importit, sipas BSH-së, - kanë qenë faktorët kryesorë të ofertës që kanë ndikuar në norma më të larta të inflacionit gjatë periudhës gusht-shtator 2007. Në të njëjtën kohë, në kahun e kërkesës, ka vepruar edhe rritja e vazhdueshme e kredisë për sektorin privat, e cila, megjithëse ka vijuar të rritet me norma më të ulëta këto dy vitet e fundit, mbetet një faktor potencial që mbart rrezik në arritjen e objektivit të inflacionit.

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›