KESH-i, tender për blerjen e 727.200 MW/H për prill-qershor ‘08
KESH-i ka nisur zyrtarisht procedurat për blerjen e energjisë elektrike për periudhën prill-qershor 2008. Burime zyrtare nga Korporata bëjnë të ditur se tenderi i hapur ndërkombëtar do të zhvillohet më 17 mars, ku synohet blerja e rreth 727 mijë MW/h energji elektrike nga importi. I ndarë në tre lote, në periudha, sasi dhe vlera të ndryshme, kostoja totale për sigurimin e energjisë shkon deri në 63 milionë euro, si fond limit, bashkë me taksat. KESH-i është i detyruar të zhvillojë blerjen për këtë sasi energjie, pas dështimit të tenderit të madh, të muajit nëntor 2007, ku nuk u sigurua e gjithë sasia e kërkuar për efekt të çmimit të lartë për megavat. Por nëse KESH-i nuk arrin të sigurojë të gjithë sasinë e kërkuar edhe në këtë tender të hapur, atëherë, sipas ligjit të ri për prokurimin publik, diferenca e mbetur do të blihet me procedurë të drejtpërdrejtë. Kështu, ofertat do të jenë: për muajin prill 288.000 MW/h me vlerë 20.184.250 euro; për muajin maj 223.200 MW/h për 15.856.798 euro dhe qershori 216.000 MW/h për 16.440.279 euro. Vitin e kaluar tenderi i madh për blerjen e energjisë dështoi, duke krijuar një gjendje të vështirë furnizimi për popullatën. KESH-i kërkoi rritje të çmimit mesatarisht me 37 për qind, për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për blerjen e energjisë nga importi, ndërsa ERE aprovoi rritje vetëm me 18 për qind. Ndërkohë, KESH-i ka arritur nivelin më të lartë të arkëtimeve, si dhe nivelin më të ulët të humbjeve gjatë vitit 2007, krahasuar me 10 vitet e fundit. Në fund të vitit 2007 KESH-i arriti nivelin më të lartë të arkëtimeve, me 89.5 për qind, krahasuar me 58.3 për qind që ishte në vitin 1997. Niveli i humbjeve, ku përfshihen ato teknike dhe ato jo teknike (vjedhjet e energjisë), u ulën ndjeshëm gjatë vitit 2007, duke arritur në nivelin 36.4 për qind, një ulje kjo e ndjeshme e krahasuar me rezultatin e vitit 1997, kur ato shënuan nivelin 46.8 për qind.
29 Shkurt 2008