Teki Biçoku: “Nga akademiket mora urime, vetem Agolli kunder"
Kryetari i Akademisë së Shkencave rrëfen planet e tij në ditën e parë të punës. Biçoku: “Një pjesë e akademikëve më ka uruar, vetëm Agolli ka reaguar”
Jonida Tashi
Gjeofizikani dhe akademiku Teki Biçoku është ulur dje për herë të parë në karrigen e kryetarit të Akademisë së Shkencave. Këtë post ai do ta mbajë deri në muajin tetor të këtij viti, brenda të cilit duhet të përfundojë dhe reformimi i Akademisë. Tashmë Kryesia e re e përkohshme e Akademisë e ka zëvendësuar atë të vjetrën dhe përpara saj gjenden shumë detyra imediate për të cilat këta drejtues janë të ndërgjegjshëm se duhet të nisë sa më shpejt. Në një intervistë për gazetën “Albania”, kryetari i Përkohshëm i Akademisë së Shkencave ka pohuar se si u caktua në këtë detyrë dhe se cilat janë detyrat që ai duhet të zbatojë gjatë kohës që do të mbajë këtë post. Sipas Biçokut në rradhët e Akademisë do të qëndrojnë vetëm akademikët që ndihen të fuqishëm duke realizuar kështu plotësisht reformimin e Akademisë së Shkencave. Kryetari i ri rrëfen se ka pasur mjaft urime për detyrën e re që ia kanë besuar përkohësisht, ku midis tyre nuk nguron të veçojë vetëm reagimin ndryshe të Dritëro Agollit.
Sot është dita juaj e parë e punës. Çdo të thotë për ju të jeni në krye të Akademisë së Shkencave?
Në radhë të parë ne duhet të zbatojmë detyrat e përcaktuara nga ligji për reformimin e Akademisë së Shkencave. Më pas duhet të zgjidhim disa probleme që ka në vazhdimësi Akademia, si botimi i Fjalorit Enciklopedik, që pritet të bëhet së shpejti dhe botimet e disa akademikëve.
Kush jua propozoi këtë post?
Propozimi erdhi nga Komiteti i Reformimit të Akademisë së Shkencave. Ky komitet i bëri propozimet presidentit të vendit, Bamir Topi, ku u paraqitën dy kandidatura: emri im dhe ai i Alfred Uçit.
Cilat janë detyrat kryesore për reformimin e Akademisë?
Detyra më urgjente është se duhet të paraqesim kandidaturat për Komisionin Përzgjedhës, i cili do të përzgjedhë akademikët e rinj që do të vijnë në Akademi. Në bazë të ligjit, këta akademikë duhet të kenë titullin “Profesor”. Pas kësaj, një detyrë po kaq urgjente është se ne duhet të mbushim Akademinë me 17 akademikë, të cilët tashmë i mungojnë, dhe këta akademikë duhet të jenë njerëz me emër, zëra të fuqishëm.
Si u prit dekretimi juaj nga radhët e akademikëve?
Secili ka mendimet e veta. Unë kam marrë urime nga disa akademikë. Di vetëm që Agolli ka pasur një reagim te gazeta “Albania” për këtë dekretim. Titulli i akademikëve do të jetë i përjetshëm. Ndryshim ka pësuar vetëm dalja e tyre në pension, në moshën 75 vjeç. Akademikët nuk janë përjashtuar nga Akademia. Ata që janë ende të fuqishëm do të jenë pjesë e Asamblesë së Akademisë.
Cili është hapi i parë që do të ndërmarrë Kryesia e Akademisë për reformimin e saj?
Ka një axhendë, e cila është përcaktuar në mënyrë të qartë nga Komiteti i Reformimit të Akademisë, i cili drejtohet nga zëvendëskryeministri i vendit, Gazmend Oketa. Në këtë Komitet bën pjesë edhe ministri i Arsimit, Genc Pollo, dy akademikë nën moshën 75 vjeç dhe një profesor nga KALSH.
Çfarë është përcaktuar në këtë axhendë?
Në këtë axhendë janë përcaktuar në mënyrë të qartë hapat që do të merren në ditët në vijim. Hapi i parë është se kush do të jetë përbërja e Komisionit Përzgjedhës. Por ne nuk do të qëndrojmë vetëm në këto detyra, por do të zbatojmë të gjitha funksionet që ka Akademia.
Si do të bëhet përzgjedhja e kandidaturave për Komisionin Përzgjedhës?
Hapi i dytë është përzgjedhja e profesorëve për Komisionin Përzgjedhës të akademikëve të rinj. Përzgjedhja do të behët nga Kryesia e Akademisë, por miratimin për këto kandidatura do ta japë ministri i Arsimit, Genc Pollo. Në këtë komision do të bëjnë pjesë edhe pesë akademikë të huaj.
Si do të plotësohen vendet vakante në Akademi?
Do të përcaktohen vendet vakante për të gjitha fushat në të cilat kemi më shumë interes për kërkimin shkencor. Prioritet do të kenë shkencat shoqërore, albanalogjike si historia etj. Më pas do të përcaktohen kriteret dhe mosha e kandidaturave duhet të luhatet midis 40-65 vjeç.
Në çfarë mënyre do të realizohet kjo?
Pasi të mbarojnë detyrat e përcaktuara më sipër ne do të bëjmë një thirrje publike për të paraqitur kandidaturat. Të gjithë profesorët kanë të drejtë që të sjellin dokumentet.
Akademikët e “përjashtuar” si do të përzgjidhen për të qenë anëtar të Asamblesë së Akademisë?
Përzgjedhja e këtyre akademikëve do të bëhet nga Kryesia e Akademisë, por parasysh do të merret gjendja e tyre shëndetësore.
Kur duhet të përfundojë reformimi i Akademisë?
Reformimi i Akademisë së shkencave duhet të përfundojë në muajin tetor. Gjatë kësaj kohe ne do përpiqemi të bëjmë gjithçka për të realizuar këtë reformim, i cili është mëse i nevojshëm për Akademinë. Pasi të mbarojë faza e reformimit do të realizohen zgjedhjet për Kryesinë e Akademisë së Shkencave.
Komisioni Përzgjedhës (KP)
Komisioni Përzgjedhës ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ai përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët janë figura të njohura për kontributin e tyre shkencor. Katër anëtarë të këtij komisioni propozohen nga Kryesia e Përkohshme e Akademisë dhe duhet të jenë anëtarë të Akademisë, të cilët e ruajnë anëtarësinë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Katër anëtarë të tjerë dhe kryetari i komisionit propozohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, në bazë të rekomandimit të KALSH-së. Komisioni Përzgjedhës përcakton dhe i propozon KRASH-së shpërndarjen e vendeve vakante, sipas fushave të shkencës dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për këto vende. Ky komision përzgjedh prej tyre anëtarët e Asamblesë së Akademisë. Komisioni përzgjedhës merr vendim me shumicën e votave të pjesëmarrësve në mbledhje. Mbledhjet e këtij komisioni janë të vlefshme kur në to marrin pjesë, së paku, 5 anëtarë.
Anëtarët e rinj të Akademisë, të përzgjedhur nga KP-ja, shpallen nga Kryesia e Përkohshme e Akademisë.
Konflikti
Konflikti midis Akademisë së Shkencave dhe qeverisë nisi më 14 nëntor të vitit të kaluar, kur Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e ri “Për Akademinë”. Shkrirja e instituteve kërkimore të Akademisë në muajin e fundit të vitit 2007 ishte kambana e parë që paralajmëroi se kjo Akademi do të shndërrohej. Reformimi i Akademisë së Shkencave ngjalli një debat të madh midis akademikëve dhe qeverisë pak kohë më parë, kur qeveria solli në Kuvend ndryshimet në ligjin e parë që ishte miratuar, por që ishte bllokuar për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Fillimisht, debati u përqendrua në kriterin që vendosej në draft, i cili përcaktonte moshën 70 vjeç si kufirin kur përfundonte anëtarësia në Akademi. Pas kundërshtimit të akademikëve dhe të opozitës, kjo moshë u caktua 75 vjeç dhe u përcaktuan 10 vende për anëtarët e përhershëm të Akademisë së Shkencave. Ditën kur në Parlament u miratua ligji, debati u përqendrua edhe në zgjedhjen e Rexhep Meidanit në krye të Akademisë, i cili nuk u aprovua nga maxhoranca me pretendimin se ai nuk ishte zgjedhur me votat e duhura.
Akademikët që u është hequr e drejta e votës
1.Shaban Demiraj
2. Hamit Beqja
3.Kristo Frashëri
4Zija Xholi
5Mentor Përmeti
6Bajram Preza
7Vladimir Misja
8Arben Puto
9Luan Omari
11Kristaq Prifti
12Ylli Popa
13Teki Biçoku
14Jorgo Bulo
15Andromaqi Gjergji
16Alfred Uçi
17Petraq Pilika
18Dritëro Agolli
19Teki Tartari
29 Shkurt 2008