Agolli: “S’do ta pranoja kurrë një post të tillë”
Pas dekretimit të Teki Biçokut si kryetar i Akademisë, akademiku dhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli ka pohuar në fillim të kësaj jave për gazetën “Albania” se kryeministri Sali Berisha po përsërit të njëjtën skemë, atë të vitit 1993, për Akademinë e Shkencave. Sipas tij, këtyre ndryshimeve akademikët u janë druajtur që në momentin kur Berisha erdhi në pushtet. Duke e cilësuar këtë veprim të presidentit si shkelje të rëndë, Agolli është i bindur se tashmë Akademia është kthyer në një hallkë të qeverisë. “Qëkur erdhi Berisha në pushtet, akademikët e parandien se ai nuk do ta linte Akademinë të qetë”, - u shpreh Agolli. Sipas Agollit, dekretimi i Teki Biçokut në krye të Akademisë nuk është i rregullt pikërisht në këtë moment, kur ne po përpiqemi të veprojmë sipas rregullave demokratike dhe kur zgjedhjet nuk bëhen sipas rregullave. Ai ka pohuar se ka mundësi të tjera për të vendosur kryetarin e Akademisë në mënyrë të rregullt dhe jo të caktuar nga qeveria dhe ka figura të tjera. Për të shpjeguar se çfarë po ndodh aktualisht në Akademinë e Shkencave, Agolli ka përmendur se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitin 1993 në Akademi, kur kryetari i Akademisë u caktua nga qeveria. Sipas perceptimit të Agollit, në krye të Akademisë duhet të ishte Rexhep Meidani. “Edhe ai është një akademik. Unë mendoj se për një post të tillë duhej rishikuar figura e Rexhep Meidanit”, - pohoi shkrimtari. Por edhe pse i bindur se tashmë Akademia e Shkencave ka marrë fund, ndërgjegjja e tij është aq e pastër, sa ai nuk do ta pranonte kurrë postin për kryetar të Akademisë jo vetëm nëse do të propozohej nga qeveria, por edhe nga akademikët.
29 Shkurt 2008