Biznesi i kërkon siguri shtetit për problemet me pronësinë
Në të gjithë vendin janë konstatuar 5600 raste mbivendosje prone. Mbi 3 mijë mbivendosje janë konstatuar vetëm në kryeqytet
Ervin Koçi
Gjatë 10 viteve të fundit, pranë Hipotekave rezultojnë si të regjistruara mijëra prona në kundërshtim me ligjin. Nga kjo del se të paktën për një pronë të paluajtshme, apo qoftë edhe për një copë tokë, rezultojnë të jenë me letra nga 1 deri në 5 pronarë. Këtë fakt e ka pranuar dje vetë drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Arben Qirjako, gjatë një takimi me anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe përfaqësues të tjerë të organizatave të biznesit në vend. Sipas tij, “rreth 5600 prona janë regjistruar vitet e fundit në kundërshtim me Kodin Civil. Pjesa më e madhe e tyre, pra mbi 3 mijë, janë në Tiranë. Ne kemi nisur punën për fshirjen e tyre”, - ka deklaruar kreu i ZQRPP-së, Arben Qirjako. Sipas tij, "në funksion të zgjidhjes së kësaj çështjeje, Ministria e Financave nxori një udhëzues në janar të këtij viti, i cili parashikon procedurat që duhet të ndiqen për fshirjen e regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre që krijojnë mbivendosje në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”. Ai ka shtuar më tej se ka nisur puna për regjistrimin e 500 mijë tituj të pronësisë, ndërkohë që situata paraqitet problematike në kryeqytet, ku më shumë se gjysma e pronave nuk janë kaluar në Hipoteka. “Janë rreth 500 mijë tituj pronësie që do të regjistrohen dhe regjistrimi fillestar i tyre është një proces që do të zgjasë 4 vjet dhe do të përfshijë rrethet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Vlorë, Elbasan etj. Është një proces i ndërlikuar që ka të papriturat e tij, pasi informacioni kalon nga një sistem i vjetër hipotekar, ku ka munguar kontrolli mbi të dhënat, në një sistem të ri modern, i thjeshtë dhe lehtësisht i kontrollueshëm", - tha Qirjako. Ai u shpreh se për zbatimin e këtij sistemi duhet një bashkëpunim më i mirë me të gjitha institucionet që lëshojnë dokumentet ligjore të pronësisë.
Rreziku i mbivendosjeve
Sipas Arben Qirjakos, në veprimtarinë e përditshme Zyrat e Regjistrimit të Pasurive në rrethe ndeshen çdo ditë me raste të mbivendosjes të titujve të pronësisë, apo me regjistrime të akteve të cilat nuk janë konform ligjit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. "Është një proces i ndërlikuar, i cili ka të papriturat e tij, pasi informacioni kalon nga një sistem i vjetër hipotekar ku ka munguar kontrolli mbi të dhënat, në një sistem të ri modern, i thjeshtë dhe lehtësisht i kontrollueshëm", - tha Qirjako. Ai u shpreh se "për zbatimin e këtij ligji nuk shohim pengesa të dukshme dhe presim një bashkëpunim ndërinstitucional të mirë me të gjitha institucionet që lëshojnë dokumentet ligjore të pronësisë". Më tej, duke dashur që të sigurojë biznesin privat në vend dhe sidomos investitorët e huaj, që një ndër garancitë më të mëdha për të investuar në Shqipëri kërkojnë sigurinë mbi pronën private dhe pronësinë e tokës ku investojnë, Qirjako është përpjekur që të qetësojë pjesëmarrësit në takim duke dhënë garanci për një proces verifikimi të shpejtë në të gjithë vendin. “Ky proces do të jetë nën një kontroll të shumëfishtë si nga Zyra Qendrore, ashtu edhe nga ato rajonalet, në mënyrë që të kemi një cilësi sa më të lartë të këtij procesi”, - u shpreh Qiriako. Kreu i ZQRPP-së, Qirjako, tha se "nëpërmjet këtij procesi ne do të kemi të dhëna të sakta mbi pasuritë, mbivendosjet, regjistrimet e bëra në kundërshtim me ligjin, pronat shtetërore, si dhe ato private”.
Regjistrimi i apartamenteve
Sipas Arben Qirjakos, po punohet për krijimin e lehtësive për biznesin në fushën e ndërtimit nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive. "ZQRPP-ja, duke njohur që në fillim problemet e grumbulluara prej vitesh në regjistrimin e pallateve të reja, është përpjekur të ndërtojë një strategji për lehtësimin e këtij fenomeni", - tha Qirjako. Ai shtoi më tej se ZQRPP në Tiranë dhe në Durrës, në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtuesve, kanë përgatitur një plan pune për regjistrimin fillestar të pallateve të reja, duke bashkëpunuar me secilën nga kompanitë për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm. Aktualisht janë regjistruar pranë ZQRPP-së rreth 150 pallate shumëkatëshe me rreth 12 500 banesa vetëm në qytetin e Tiranës. Gjatë takimit, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, u shkëmbyen informacione edhe në lidhje me procesin e dixhitalizimit të pasurive të paluajtshme, si dhe lehtësitë që i ofrohen biznesit në fushën e ndërtimit nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive.
29 Shkurt 2008