E Diel, 1 Nëntor 2026

“Banka do të vazhdojë punën për përfundimin e projekteve në Shqipëri”

Berisha takon përfaqësuesen e Bankës Botërore

Kryeministri Berisha priti në një takim zonjën Camille Nuamah, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, e cila bëri një vizitë zyrtare për t’i uruar kryeministrit fillimin e punës në krye të qeverisë së re. Nuamah, pasi e përgëzoi për mandatin e dytë në krye të qeverisë “Berisha 2”, shprehu gatishmërinë e Bankës Botërore për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm të mëtejshëm me qeverinë shqiptare. Ajo e siguroi kryeministrin se Banka Botërore do të vazhdonte me të njëjtin përkushtim punën për përfundimin e projekteve të nisura, si dhe fillimin e projekteve të reja konform strategjisë së tij për zhvillimin e vendit. Zonja Camille Nuamah i ofroi kryeministrit asistencë edhe për përballimin e pasojave të tërmetit në lidhje me rehabilitimin e 3 shkollave të dëmtuara në këtë zonë. Po kështu, asistenca e BB-së, së bashku me atë të donatorëve të tjerë, do të vazhdojë në fushën e shëndetësisë, të ambientit etj.
Kryeministri Berisha e falënderoi për vizitën dhe e garantoi zonjën Nuamah se qeveria e tij do të vazhdojë bashkëpunimin me Bankën Botërore, në suksesin e projekteve ekzistuese, si dhe në atë të projekteve të ardhshme. Ai tha se ambiciet e qeverisë së tij janë shumë më të mëdha se të 4-vjeçarit të parë të qeverisjes dhe se bashkëpunimi me BB-në dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë është shumë i rëndësishëm për të. Kjo edhe për faktin se ky mandat i qeverise se tij përkon edhe me objektivin e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian. Kryeministri theksoi se zhvillimi i bujqësisë është një nga objektivat kryesorë të qeverisë së tij dhe, si pjesë e tij, dyfishimi i prodhimit bujqësor, edhe pse jo i lehtë, lufta kundër varfërisë, zhvillimi i sipërmarrjeve në bujqësi dhe i burimeve të financimit të një sërë projekteve madhore. Këto janë, midis të tjerave, objektiva afatshkurtër dhe afatgjatë në axhendën e punës së qeverisë në një sektor kaq vital për ekonominë zhvillimin e vendit. Përgatitja e një masterplani për turizmin malor, vazhdimi i projekteve të infrastrukturës për të lidhur zonat e largëta malore dhe ato bujqësore me zonat urbane, krijimi dhe zgjerimi i sipërfaqeve me ullinj e dru frutorë, janë projekte te mundshme të cilat mund të asistohen edhe nga pjesëmarrja e Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë. Midis të tjerave kryeministri përmendi dhe projektet në lidhje me furnizimin me ujë dhe ato sistemeve vaditës e kullues, pjesëmarrjen dhe rritjen e përgjegjësisë së komunave në këtë fushë, krijimin e një kulture dhe tradite për kultivimin e drurëve frutorë, si pjesë te rëndësishme te programit të qeverisë “Berisha 2”. Ai shprehu sigurinë për suksesin e bashkëpunimit të mëtejshëm me BB-në dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë.

15 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›