E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i OSBE/ODIHR-it: Zgjedhjet, të mira, por pa standarde

Publikohet dokumenti zyrtar për procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Rezultati i tij u paralajmërua nga miku i Berishës, Volfgang Grosruk

Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga vizita e zhvilluar në fundin e gushtit në Tiranë nga zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zoti Volfgang Grosruk, raporti final doli me një paradoks: Zgjedhjet e 28 qershorit ishin konform angazhimeve që ka Shqipëria si vend anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian, apo edhe anëtare e Këshillit të Europës, por ato nuk i realizuan standardet. Misioni i OSBE/ODIHR-it publikoi dje zyrtarisht raportin final të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ku gjuha diplomatike e institucionit që certifikon procese të tilla është tejet e vështirë për t’u kuptuar.
Një gjë e tillë konfirmohet edhe në vlerësimin për procesin e numërimit, ku 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave vlerësohen keq ose shumë keq nga ekspertët e OSBE/ODIHR-it. Konkluzionet e dokumentit që certifikon zgjedhjet pritet sërish që të interpretohen sipas interesit nga partitë politike falë “gjuhës” së përdorur nga OSBE/ODIHR-i, i cili kësaj radhe e ka lënë mënjanë “gjuhën” e “standardeve” dhe flet me gjuhën e “angazhimeve”.
Paradoksi
Data 14 shtator ka shënuar përfundimin e procesit të vlerësimit të zgjedhjeve të 28 qershorit nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, i cili ka arritur në konkluzionin që zgjedhjet “nuk i arritën plotësisht standardet”, por realizuan angazhimet që ka Shqipëria si vend anëtar i OSBE-së dhe Këshillit të Europës.
“Misioni vëzhgues i zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it vlerëson përputhshmërinë e procesit zgjedhor konform angazhimeve të OSBE-së dhe standardeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike dhe legjislacionit vendas”, - thuhet në raportin përfundimtar. Sipas tij, “zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të 2009-s shënuan progres të dukshëm në lidhje me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit të tyre, kuadrin ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore, procesin e votimit, numërimit dhe gjykimin e apelimeve zgjedhore”. Por, monitoruesit e huaj konstatojnë se “këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, duke përfshirë numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve, të cilat u bllokuan përkohësisht në disa zona, si dhe nga shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore”. Këto veprime të partive politike kanë minuar besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Pas vlerësimeve pozitive, raporti konstaton se: “Ndonëse u arritën pjesa më e madhe e angazhimeve të OSBE-së, këto zgjedhje nuk mundën të realizojnë plotësisht potencialin e Shqipërisë për të kapur standardet më të larta për zgjedhjet demokratike”.
Procesi
Raporti përfundimtar vlerëson të gjithë procesin, duke filluar nga Kodi Zgjedhor. Ndonëse vlerësohet konsensusi për miratimin e tij nga dy partitë kryesore dhe baza e plotë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, OSBE/ODIHR-i thotë se: “Një numër dispozitash duhet të rishikohet në mënyrë që ta sjellë kuadrin ligjor në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare”. Duke u ndaluar te puna e KQZ-së, vëzhguesit e huaj konstatojnë se “pavarësisht kufizimeve kohore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përgatiti dhe administroi zgjedhjet në mënyrë profesionale dhe mori disa hapa për të rritur transparencën e procesit”, - ndonëse thekson faktin se disa vendime u morën sipas përfaqësimit politik të tij. Një kritikë e vazhdueshme për këtë institucion është ajo e standardeve të ulëta të komisionerëve, niveli jo i duhur i tyre në disa raste. “Partitë përdorën të drejtën e tyre për të zëvendësuar komisionerët në mënyrë të paarsyeshme, gjë e cila ndikoi në efektshmërinë e administrimit zgjedhor dhe ndikoi negativisht në integritetin e procesit”, - sjkruhet në raport.
Listat dhe kartat
OSBE/ODIHR-i vlerëson punën e bërë nga qeveria për përgatitjen e listave të zgjedhësve dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Sipas tyre, listat e 2009-s ishin më të mira sesa ato të zgjedhjeve të 2005-s. Po ashtu, e konsideron procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit si përgjithësisht të suksesshëm, ndonëse kjo ishte një nga çështjet më të diskutueshme nga opozita. Raporti thotë se “në rreth 1.4 milionë kërkesa për kartat e identitetit, vetëm 3.321 ishin në proces përpara ditës së zgjedhjeve. Rreth 257 000 qytetarë pa pasaportë nuk aplikuan”. Ai identifikon problemet e ngritura nga opozita si “përfshirjen në mënyrë të paligjshme të aktivistëve të Partisë Demokratike (PD) në procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit”.
Presionet nga qeveria
Ndër pikat më të kritikueshme të raportit është ajo e presioneve të qeverisë ndaj administratës. “Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve mori një numër të madh akuzash, nga të cilat janë vërtetuar disa si, presionet për të ndjekur fushatën e PD-së apo të pushimeve nga puna të aktivistëve të opozitës. Madje, shpesh u shoqëruan me kërcënime për humbje të vendeve të punës”, - thotë raporti, sipas të cilit, “më të prekurit ishin, veçanërisht, punonjësit e sektorit publik dhe studentët”. Veprimet e tilla bien në kundërshtim me paragrafin 7.7 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së. Më tej thuhet që “qeveria përdori në mënyrë të përsëritur ceremonitë zyrtare për qëllime të fushatës, duke përfshirë edhe përurimet e projekteve të infrastrukturës”. Të njëjtin problem monitoruesit e ngrenë edhe për kryebashkiakun e Tiranës, por, sipas raportit, një gjë e tillë u përdor “shumë më pak” sesa kreu i qeverisë.
Rezultatet
Sipas misionit të OSBE/ODIHR-it, pika më kritike në procesin e zgjedhjeve është numërimi. Duke vlerësuar ditën e votimit si të “qetë dhe paqësore” në të paktën 92 prej qendrave të monitoruara nga të huajt, puna në komisionet e numërimit të votave sjell një tjetër panoramë. “Numërimi i votave është vlerësuar më keq ose shumë keq në 22 nga 66 qendrat e numërimit”, - thotë raporti, duke përmendur mangësitë në trajnimin e komisionerëve, mungesën e transparencës dhe ndërhyrjen e partive politike gjatë numërimit. Ndërkaq thekson se reduktimi i ankesave të partive politike mund të ketë ardhur “pjesërisht edhe për shkak të reduktimit të zonave elektorale 100 të tilla në 12”. “Gjatë procesit të ankimimeve paszgjedhore, ndarjet politike brenda KQZ-së ishin edhe më të dukshme se në periudhën parazgjedhore. Megjithatë, ndryshimet e bëra në rezultatet e tabelave për zonat zgjedhore pas procesit të ankimimit të partive u kaluan me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm në KQZ”, - thotë raporti. Të njëjtin konstatim bën edhe për vendimet që dha Kolegji Zgjedhor, duke e vlerësuar punën e tij “profesionale”.
Standardet e tjera
Një nga pikat më kritike në raport u adresohet mediave private dhe sidomos Televizionit Publik, i cili varet drejtpërdrejt nga financimet e shtetit. Po ashtu, “Bordi i Monitorimit të Medias i KQZ-së (BMM) nuk ishte në gjendje të kryente plotësisht përgjegjësitë e tij për të vendosur nëse transmetuesit përmbushën detyrimet e tyre ligjore për të siguruar ‘pluralizmin e informacionit’”. I njëjti shqetësim konstatohet edhe për përfshirjen e grave në Parlament, në zbatim të dispozitës së Kodit Zgjedhor, ku kërkohej që listat e kandidatëve të kishin 30 për qind të tyre femra. Gjithsesi, raporti konstaton se prania e grave në Kuvend është më e lartë sesa ajo e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e vitit 2005.
Raporti përfundimtar vjen rreth 11 javë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai ka thuajse të njëjtin vlerësim me deklaratën paraprake të mbajtur nga Misioni Ndërkombëtar i Zgjedhjeve të 28 qershorit në Tiranë. Në fundin e muajit gusht Tiranën zyrtare e vizitoi zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zoti Volfgang Grosruk, i njohur edhe si mik i zotit Berisha. Ai u shpreh se këto zgjedhje kanë qenë më të mira se ato të vitit 2005 dhe më të mira sesa ishin pritjet e ndërkombëtarëve. Vlerësimet e këtij raporti do të përcaktojnë edhe fatin e aplikimit për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në BE, që pritet të shqyrtohet në muajin tetor nga presidenca suedeze, si dhe do të ndikojnë edhe në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët.

REAGIMI
Berisha: Raporti? Shqipëria jo më, “delja e zezë” e Ballkanit

Vetëm një orë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, kryeministri Berisha e ka konsideruar këtë raport si dinjitoz e objektiv duke shtuar se është më i miri i viteve të fundit. Përmes një konference për shtyp, kryeministri ka nënvizuar disa herë se në raport theksohet se nuk ka prova për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt të votave. Madje, kryeministri i ka bërë thirrje kreut socialist të informohet për të dhënat e raportit e të reflektojë në lidhje me pretendimet e tij për zgjedhje të manipuluara. “Ftoj kryetarin e PS-së, Edi Rama, ta lexojë këtë raport, të heqë dorë nga skenarë virtualë, nga dhunime inekzistente dhe nga shpikjet. Shpresoj qe ky raport ta bindë zotin Rama se vendi i deputetëve të tij është në Parlament”, - shtoi Berisha.
Duke lexuar ato çka thotë raporti, Berisha ka konsideruar si të merituar vlerësimet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet. Ndërkohë, kryeministri ka lexuar në raport se Shqipëria nuk shfrytëzoi potencialet për arritjen e standardeve të larta, duke shtuar se “standardet duan kohën e tyre për të arritur lartësinë e duhur”. “Ky është raporti më i mirë që është lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri, është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera. Evidentohen një seri të metash e problemesh, thuhet se nuk u shfrytëzuan potencialet e Shqipërisë për të arritur standarde të larta, por standardet duan kohë për të arritur lartësinë maksimale. Në programin e qeverisë do të konsiderohet një më një çdo sugjerim apo problematikë e evidentuar nga OSBE/ODIHR-i”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Duke iu referuar raporteve që OSBE/ODIHR-i ka nxjerrë pas zgjedhjeve të vitit 2001 e 2005, Berisha ka bërë krahasimin me vlerësimet e sivjetme duke theksuar se Shqipëria nuk është më delja e zezë e Ballkanit për zgjedhje jo të mira.

TË DHËNAT E VËZHGIMIT

439 – Numri total i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet
40 – Numri i vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR-it që erdhën më 8 maj
320 – Numri i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE/ODIHR-it
37 – Numri i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së
22 – Numri i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës
5 – Numri i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s
550 – Numri në total i vëzhguesve të huaj që do të ndjekin zgjedhjet
5450 – Numri total i vëzhguesve të huaj dhe shqiptarë në zgjedhje

Zgjedhjet e 28 qershorit presin edhe dy raporte të tjera

Pas publikimit të raportit nga OSBE/ODIHR-i ditën e djeshme, priten edhe dy raporte të tjera. Më datë 28 shtator do të paraqitet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës raporti për zgjedhjet parlamentare. Byroja e Asamblesë dhe Komiteti Ad Hoc i ngritur për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri, që kryesohet nga zonja Jonker, e ka përfunduar dokumentin dhe do ta paraqesë pas dy javësh në Strasburg. Raporti më i fundit do të paraqitet në muajin nëntor, në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Raportues do të jetë zoti Brus Xhorxh, një nga kritikët më të mëdhenj të procesit të zgjedhjeve pas datës 28 qershor. Misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve, i kryesuar nga misioni afatgjatë i OSBE/ODIHR-it, që drejtohej nga ambasadorja britanike Odrei Glover, kishte në përbërje edhe anëtarë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Këto zgjedhje kanë shënuar rekord përsa i përket pranisë së vëzhguesve të huaj në zgjedhjet në Shqipëri.

Fushata

Fushata elektorale ishte përgjithësisht e qetë, pavarësisht disa incidenteve të dhunshme, të ndodhura veçanërisht në qarkun e Korçës. Fushata u karakterizua shpeshherë nga gjuha e ashpër ndaj kundërshtarit, por njëkohësisht edhe ndaj liderëve të partive të të njëjtit koalicion. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike akuzuan liderët e njëra-tjetrës për afera korruptive.

Presionet
Misioni i OSBE-ODHIR-it është njohur me një sërë ankesash për presione që janë ushtruar në drejtim të punonjësve të sektorit publik, duke përfshirë kërcënimet për largime nga puna në rast se nuk merrnin pjesë në aktivitetet elektorale të PD-së, ose në rast se merrnin pjesë në aktivitetet e opozitës.

Rruga Durrës-Kukës
Qeveria i përdori aktivitetet zyrtare për qëllime elektorale, në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës. Projektet infrastrukturore që u përuruan nga kryeministri Berisha dhe zyrtarët e lartë të PD-së patën karakter politik dhe u zhvilluan përgjatë gjithë periudhës parazgjedhore, deri disa ditë nga dita e votimit. Këto ceremoni u ndoqën nga turma të mëdha njerëzish, të cilët valëvisnin flamujt e Partisë Demokratike dhe me fjalime të karakterit elektoral. Për shembull, kryeministri përuroi rrugën Durrës-Kukës në datën 25 qershor me praninë e kryeministrave të Turqisë dhe Kosovës.

Shkollat
OSBE-ODHIR-i u njoh me një sërë ankesash për nxjerrjen e nxënësve nga orari mësimor për të marrë pjesë në aktivitetet elektorale të Partisë Demokratike. Disa prej tyre u verifikuan, si ceremonia e përurimit të hidrocentralit në Elbasan më 8 qershor.

Shpërdorimet
Ankesa u bënë për keqpërdorim të burimeve administrative nga ana e PD-së si automjetet zyrtare, godinat shtetërore apo angazhimi i punonjësve të sektorit publik për qëllime elektorale, në kundërshtim me Kodin e ri Zgjedhor. Në Durrës, Shijak dhe Korçë u konstatuan mjaft raste ku kompania e OSSH-së vendoste në godinat e saj posterat elektoralë të PD-së.

Dita e votimit
Dita e votimit ishte e qetë dhe pa incidente dhe raste dhune. Gjatë ditës së votimit vëzhguesit një numër të konsiderueshëm rastesh, ku në qendrat e votimit mungonin materialet zgjedhore, përfshirë edhe mungesën e bojës së padukshme. Dy të tretat e qendrave të votimit u hapën me vonesë. Votimi shkoi më mirë në zonat urbane, sesa në ato rurale. Në disa qendra votimi në Vlorë, Durrës, Kukës, Dibër dhe Korçë u konstatuan se në mjaft raste komisionerët kishin mangësi në kryerjen e detyrës për shkak se nuk ishin trajnuar.

Tensionet
Tensionet ishin evidente përreth qendrave të votimit (4% të qendrave të vëzhguara), tensione të shkaktuara nga aktivistë të partive politike. Vëzhguesit raportuan gjithashtu se në 5% të qendrave të votimit që u vëzhguan, përreth tyre ditën e votimit bëhej fushatë. U konstatuan gjithashtu edhe disa shkelje procedurale, si mosvendosja e bojës në gisht për votuesit, votimi familjar dhe cenim i privatësisë së votimit. Gjithashtu u konstatuan 4% të rasteve të influencimit tek të tjerët për të votuar, 4% të rasteve kur i njëjti person ka ndihmuar më shumë se një votues të votojë, dhe 1% të rasteve të presioneve nga ana e zyrtarëve në drejtim të votuesve. Persona të paautorizuar në qendrat e votimit u konstatuan në 3% të qendrave të vëzhguara.

Numërimi i votave
Vëzhguesit e ODIHR-it vlerësuan negativisht procesin e numërimit në 22 nga 66 KZAZ-të. Nga këto, 12 KZAZ kishin shumicën e anëtarëve nga opozita, ndërsa 10 prej tyre kishin shumicën e anëtarëve nga maxhoranca. Transparenca e procesit të numërimit të votave u vlerësua negativisht në 11 KZAZ. Vëzhguesit e partive u penguan të bënin detyrën e tyre në 18 KZAZ. Procedurat e numërimit të votave nuk u respektuan në 14% të KZAZ-ve.

Ndërhyrjet
Me zbardhjen e rezultateve paraprake, partitë politike filluan të ndërhynin politikisht në procesin e numërimit të votave. Për këtë arsye procesi pati probleme në disa KZAZ. Vëzhguesit e ODIHR-it konstatuan se vëzhguesit e partive ushtruan presione ndaj anëtarëve të numërimit të votave, duke ndërhyrë në proces. Ata konstatuan gjithashtu edhe praninë e kandidatëve brenda KZAZ-ve, si dhe ndërhyrjet e përfaqësuesve partiakë në këto qendra.

KQZ-ja
Gjatë periudhës paszgjedhore të procesit të ankimimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u shfaq me karakter politik, ndryshe nga periudha parazgjedhore. Anëtarët e KQZ-së dhe përfaqësuesit partiakë bënë disa deklarata politike dhe vlerësime personale, ndërsa duhet të zbatonin procedurat dhe t’u referoheshin fakteve dhe aspekteve procedurale.

Kolegji Zgjedhor
5 vendime të KQZ-së për qarkun e Beratit, të Durrësit, Fierit, Shkodrës dhe Tiranës u apeluan në Kolegjin Zgjedhor nga 12 parti politike. Kolegji Zgjedhor pranoi vetëm një apelim, atë të Partisë Socialiste kundër vendimit të KQZ-së për qarkun e Fierit. Procesi dëgjimor në Kolegjin Zgjedhor ishte profesional dhe u dha mundësi partive që të paraqisnin pretendimet dhe argumentet e tyre. Procesi i vendimmarrjes në Kolegjin Zgjedhor ishte më i shpejtë se ç’duhej, ku Kolegji mori vendime brenda ditës kur bëhej seanca dëgjimore, duke ekzaminuar qindra faqe materiale në një kohë mjaft të shkurtër.

15 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›