E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka e Shqipërisë: Kompanitë publike, të zhytura në borxhe

Kompanitë nën pronësi publike duket se po e zhysin Shqipërinë në borxhe me ritme më të shpejta sesa qeveria. Të dhënat e publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se deri në fund të marsit, kompanitë publike si KESH, OSSH etj., rritën borxhet në banka deri në 14.8 miliardë lekë, (112 milionë euro), ndërkohë që një vit më parë, borxhet qenë vetëm 48.5 milionë euro. Rritja e borxheve të kompanive publike kap shifrën marramendëse prej 147 për qind në më pak se një vit. Sipas të dhënave të BSH-së, borxhet më të mëdha janë tërhequr në periudhën nëntor-janar dhe kreditë janë tërhequr përgjithësisht në euro. Rritja e borxhit të kompanive publike i dedikohet Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kompanisë së sapoprivatizuar për 102 milionë euro. OSSH-ja mori kredi për të paguar faturat e importit të energjisë përballë të ardhurave në rënie dhe humbjeve në rritje. Vetë qeveria ka gjasa të detyrohet të kthejë te privatizuesi një pjesë të parave të marra, për shkak të borxheve.

Vetë korporatat huamarrëse nuk kanë publikuar asnjë lajm mbi marrjen e borxheve nga bankat, edhe pse zakonisht buxheti i shtetit garanton shlyerjen e tyre dhe se këto borxhe rëndojnë mbi xhepat e taksapaguesve. Në prill, 3.5 për qind e kredisë totale të dhënë në Shqipëri u përkiste "korporatave publike jofinanciare". Banka e Shqipërisë prej vitesh këshillon qytetarët të paguajnë interesa më të larta për kreditë në lekë që të shmangin rrezikun e kursit të këmbimit, por kompanitë publike nuk e kanë dëgjuar këtë këshillë. Mbi 62 për qind e kredive është tërhequr në euro.

Dy vjet më parë, huamarrja e drejtpërdrejtë në banka e kompanive publike, ku KESH është më e rëndësishmja, ishte një koncept pothuajse i panjohur. Kreditë që bankat japin për kompanitë shtetërore mbartin zakonisht interesa po aq të larta, ose shpesh edhe më të larta se interesat e kredive që merr biznesi privat. Por, në ndryshim nga biznesi privat, këto borxhe garantohen nga buxheti i shtetit dhe nuk përmbajnë të njëjtin nivel rreziku me privatët. Shumë ekspertë e shohin kredidhënien me interesa të larta për korporatat publike, si një biznes spekulant dhe të dyshimtë.

Pa transparencë

Hera e fundit kur një kompani publike njoftoi se pati marrë një kredi te një bankë private, ishte vera e vitit 2008. Korporatat e mëdha zakonisht duhet të paguajnë një vlerësues të pavarur financiar, në mënyrë që të mos bien peng e ofertave zhvatëse të bankave private kur kërkojnë kredi. Por asnjë prej kompanive nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë. Kompanitë publike nuk e marrin kurrë mundimin të publikojnë bilancet e veta, ndërkohë që hyjnë në marrëdhënie tregtare me bankat shpesh pa organizuar fare tender. Për pasojë, edhe interesat që duhet të paguhen, shtohen.

OSSH-ja mori kredi për të paguar faturat e importit të energjisë përballë të ardhurave në rënie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›