Pelegrini: Reali, një ëndërr që realizohet
Vetëm pak orë pasi Florentino Perez e përzgjodhi si drejtuesin e ri të stolit në "Bernabeu", Manuel Pelegrini u prezantua te Reali i Madridit. Trajneri nga Kili, që për disa vjet drejtoi Vijarealin, duke e shndërruar në një skuadër surprizë në La Liga dhe në aktivitetet ndërkombëtare, pohoi se prej kohësh ëndërronte të punonte te "merengues". "Nuk është e lehtë të shpjegoj emocionet dhe krenarinë që ndiej nga përzgjedhja për të punuar në klubin më të rëndësishëm në botë", deklaroi ai. "Kur filloja të punoja si trajner, plot 23 vjet më parë, besoja se një ditë do ta drejtoja Realin. Kam ardhur në kohën e duhur dhe mendoj se jam personi i përshtatshëm për të drejtuar këtë skuadër, e cila do të luajë futbollin spektakolar, që këta tifozë meritojnë". Detyra kryesore e Pelegrinit është të transformojë ekipin madrilen, për ta udhëhequr drejt sukseseve në kampionatin spanjoll dhe në Evropë.