Banka e Shqipërisë: Ndërtmi po kthehet në origjinë
01/12/2004 Pas tendencave rënëse ndërtimi po rikthehet në një sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë, “nga të dhënat që disponojmë, në tremujorin e dytë, rigjallërimi ekonomik vërehet më së shumti në sektorin e industrisë, të shërbimeve dhe në veçanti në atë të ndërtimit, pas një tremujori të parë të ngadaltë të këtij të fundit. Vëllimi i shitjeve gjatë tremujorit të dytë shënoi një rritje prej 19.6 për qind në krahasim me tremujorin e parë të vitit dhe prej 4.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë edhe nga sektori bujqësor vijnë sinjale optimiste që mbështesin bindjen se, parashikimi fillestar për rritjen vjetore të këtij sektori do të jetë i mundshëm për t’u realizuar. Po ashtu, tregues të tërthortë flasin për një rritje të aktivitetit ekonomik. Konsumi i energjisë elektrike nga konsumatorët jofamiljarë është rritur 15 për qind, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa kreditimi i ekonomisë ka njohur rritje të shpejtë gjatë vitit 2004.