E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Gjysma e afaristëve janë tregtarë

01/12/2004  “Gati gjysma e shifrës së afarizmit vjen nga aktiviteti i tregtisë“, ka bërë të ditur INSTAT në një nga Raportet e veta.

Ky fakt duket se mbështetet dhe nga raportet e BSH-së, të cilat deklarojnë se vetëm në një tremujor defiçiti tregtar i krijuar nga sulmi i importeve dhe vëllimi gjithnjë e më i ulët i eksporteve është 274 milionë dollarë. Eksperienca negative me defiçitin tregtar vazhdon të thellohet, madje dhe në momentin kur dollari është në vlerat e tij më të ulëta. Ne jemi një vend me bilanc negativ, për sa i takon marrëdhënieve tregtare dhe pagesave, dhe e gjitha kjo nuk bën gjë tjetër veçse i fuqizon importet. Por duket se çështja bëhet më problematike, për sa i takon eksporteve që arrijnë në 7 për qind të GDP–së, duke qenë tre herë më të ulëta se vendi pasues në Rajon. Sipas BSH-së, vërehet e njëjta tendencë në aktivitetin tregtar, ajo e rritjes së importeve, sikurse edhe gjatë viteve të kaluara, duke mbetur e lartë kërkesa për mallra konsumi. BSH konstaton se vëllimi i përgjithshëm tregtar ka qenë rreth 680 milionë USD dhe defiçiti tregtar vazhdon të qëndrojë në vlera të larta. Banka e Shqipërisë konkludon se eksporti i shërbimeve është rreth 1.6 herë më i lartë se ai i mallrave, mundësuar kryesisht nga shërbimet e turizmit. Ky aktivitet ka gjeneruar të ardhura rreth 167 milionë USD.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›