E Diel, 1 Nëntor 2026

Mira Meksi ,“syri magjik” për te Markezi

02/12/2004  Mira Meksi

“syri magjik” për te Markezi

Përkthyesja Mira Meksi është i vetmi emër që qarkullon te të gjitha shtëpitë botuese që dëshirojnë të sjellin në shqip veprën më të fundit të shkrimtarit që pretendojnë t’i afrohen agjencisë që jep të drejtat e autorit të shkrimtarit Gabriel Garcia Markezit.

Janë afro 3-4 shtëpi botuese shqiptare, të cilat pohojnë me siguri se Markezi do të jetë në shqip prej botimeve të tyre. Po këto shtëpi botuese thonë gjithashtu, se përkthyesi i tyre ekskluziv do të jetë pa dyshim Mira Meksi.

Deri këtu të gjithë arrijnë me synimin e mirë për të dhënë në shqip shkrimtarin më të lexuar, dhe më të ndjekur nga auditori shqiptar. Dhe mbi të gjitha për të tërhequr pas vetes përkthyesin më të mirë, që në një zë kërkojnë të gjithë një emër. Një emër tjetër që përflitet, por më me pak siguri është Aurel Plasari. Siç duket, garanci më e madhe për të gjithë është përkthyesja e njohur Meksi, pasi dihen dhe njohjet personale që ajo ka me shkrimtarin. Kjo e dyta është një arsye ndoshta që shkrimtari kolumbian, përpos pagesës, të jetë dakord të firmosë lejen e botimit në shqip. Ka më shumë se gjashtë muaj që emri i Markezit po kthehet, me të drejtë, në një “sindromë” për botuesit shqiptarë.

Por “lufta” e ekskluzivitetit në këtë rast ka shtrirje më të gjerë. Nëse deri dje njihej përpjekja e vazhdueshme, prej më shumë se dy vitesh, që ka bërë shtëpia botuese “Onufri” për të tërhequr të drejtën e autorit nga Markezi, ato që e “sfidojnë” sot janë shtëpi botuese relativisht të reja, të cilat kanë hyrë në tregun e librit me mjaft pretendime, gati me egoizëm.

E përballueshme është bërë shtëpia botuese “Dudaj”, e cila duke blerë të drejtën ekskluzive të shkrimtarëve më me emër të letërsisë botërore, po i jep tregut të librit një erë të. Pas “Kodi i Da Vinçit”, shkruar nga Dan Brown, për “Dudaj” nuk po rreshtin përpjekjet për të marrë të drejtën ekskluzive të Markezit. “Kujtimet e putanave të trishta” pritet të përkthehet nga Mira Meksi, vetëm pasi të firmoset e drejta e autorit. Botuesja Arlinda Dudaj thotë se çdo gjë ka marrë fund sa i takon të drejtave të autorit, dhe libri së shpejti do të jetë në tregun tonë.

Pak më të heshtur, por po aq të sigurtë thonë dhe nja dy-tre shtëpi botuese të tjera, se së shpejti e drejta ekskluzive e Markezit do të jetë në shqip prej tyre. Përkthyesi vërtitet tek i njëjti emër, ajo e Mira Meksit, pavarësisht se mund të bëhet fjalë për një botim tjetër, siç është “Për dashurinë dhe demonë të tjerë”.

Por kur bie fjala për botuesen Dudaj, këtu tërhiqen duke u shprehur se, “ajo ka para, ndaj blenë pa problem ekskluzivitetet”. Ndërsa për Dudajn, që dëgjon gjithë këto rivalë, janë gafa dhe absurditete fjalët që përhapin shtëpitë e tjera botuese, sidomos kur përmendet emri i përkthyeses. Në këtë terren pa shumë bujë janë shtëpitë botuese “Dituria”, “Onufri”, “Ideart”, “Ombra GVG”.

V.Murati

Kujtimet e putanave të trishta...

Libri i ri i shkrimtarit të madh kolumbian, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë, njeh të njëjtin sukses si librat e mëparshëm.

Shumë rrallë një botues përshpejton botimin e një romani, me synimin që të pengojë qarkullimin e librit nga botimet pirate. Gjithsesi, gati një muaj më parë, botuesi i shtëpisë botuese "Norma" në Kolumbi, u detyrua të nxjerrë në qarkullim nxitimthi librin e ri të fundit të Gabriel Garcia Markez, kur mësoi se rreth 13.000 kopje pirate të librit ishin shitur në rrugët e Kolumbisë. Libri i tij i fundit: "Memorias de mis putas trites"- "Kujtimet e putanave të trishta), është libri i parë që ai boton pas dhjetë vjetësh ndërprerje. Shumë kishin filluar të mendonin e besonin se libri i tij "Për dashurinë dhe demonë të tjerë", i botuar në vitin 1994, do të ishte edhe i fundit, kur në vitin 1999 u mësua se shkrimtari i madh vuante nga kanceri dhe kurohet vazhdimisht në Kaliforni.

Por tani, Gabriel Garcia Markez shkroi një roman të ri... Një roman me 110 faqe, ku shkrimtari rrëfen në veten e parë mendimet e një filologu 90-vjeçar, i cili vendos që të festojë ditëlindjen e tij, duke bërë dashuri me një prostitutë 14-vjeçare të virgjër. Ndërkohë që pret me padurim çastet kur do të bëjë dashuri me vajzën e re, nëpër mend i vijnë të gjitha femrat që kaluan nga jeta e tij. Botuesit e librit në vendet që flasin spanjisht, janë kaq të sigurtë për suksesin e librit të Markezit, saqë tirazhi i botimit të parë të romanit shkon 1.000.000 kopje dhe vetëm në atdheun e shkrimtarit, në Kolumbi, do të qarkullojnë mbi 300.000 kopje. Dhe, për çdo rast, shprehen se botimet pirate nuk përmbajnë variantin përfundimtar të librit!...,- thonë se shkrimtari ka bërë disa ndryshime të momentit të fundit në kapitullin e fundit, ndryshime që ndikojnë shumë në gjithë veprën...

Botuesit sqarojnë se ngjarjet e romanit nuk mbështeten në ngjarje e ndodhi reale, por në një tregim të nobelistit Jasunari Kavabata nga "Shtëpia e vajzave të fjetura dhe histori të tjera". Në këtë libër, Kavabata përshkruan një të moshuar, i cili është magjepsur nga bukuria e një vajze të re, por që kufizohet vetëm duke e parë të flejë lakuriq, diçka që bën edhe heroi i Markezit. Sido që të jetë libri i Markezit, pritet të përbëjë një sukses të madh të shkrimtarit 76-vjeçar, i cili kohët e fundit i dha Hollivudit të drejtën që disa nga librat e tij të kthehen në filma, pasi, siç thotë, nuk dëshiron që ta lërë familjen e tij të varfër.

“Kodi i Da Vinçit”, vazhdon në treg botimi pirat

Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në buzë të trotuareve, kioska librash tregtojnë botimin pirat të “Kodi i Da Vinçit”, me logon e shtëpisë botuese “Bota shqiptare”, përkthyer nga Perikli Jorgoni. Para se të dilte në treg botimi, me të drejtat e autorit të marra ekskluzivisht nga shtëpia botuese “Dudaj”, ky libër pirat u tha se ishte bllokuar totalisht. Botuesja Arlinda Dudaj ishte shprehur se kanë rënë në ujdi me botuesit piratë për të tërhequr të gjitha kopjet nga tregu, pa hapur ndonjë porces gjyqësor për këtë shkelje. “Kodi i Da Vinçit”, shkruar nga Dan Brown, që ka magjepsur gjithë botën letrare për zgjuarsinë dhe fantazinë, është përkthyer me të drejta autori nga Amik Kasoruho. Ky libër doli në qarkullim për herë të parë në ditët e fundit të panairit të librit në Tiranë, ku shënoi dhe numrin rekord të shitjeve.

Në treg ajo vazhdon të shitet me përmasa më të ngadalshme nga vrulli i parë i publicitetit. Ndërsa është pak e çuditshme që botimi pirat shitet aq hapur, në buzë trotuarit në bulevardet kryesore të Tiranës, pa rënë në sy të botuesve të “Dudaj”, të cilët “i falën” një herë piratët.

Elbasanit po i humb kujtesa etnografike

Muzeu Etnografik i Elbasanit, ndër të paktët institucione të ruajtjes së traditës së

kësaj zone, është harruar jo vetëm nga institucionet më të larta të kulturës në vend, por edhe nga vetë bashkia e qytetit. Shtëpia karakteristike me çardak e familjes Sejdini është

kthyer në Muze Etnografik në vitin 1986, dhe në të janë ekspozuar mbi 800 objekte të ndryshme të zejeve dhe kostumet popullore të zonës.

Punonjësi i muzeut, Besnik Belegu, thotë se "objektet e ekspozura në stendat e kalbura të këtij muzeu po shkojnë drejt degradimit dhe nuk është çudi që një ditë të mbetemi pa histori etnografike". Sipas tij, që pas krijimit të muzeut nuk janë lëvruar fonde financimesh, qoftë edhe për riparimin e stendave, çatisë dhe dyshemesë prej dërrase. Lagështira dhe mungesa e dritës së mjaftueshme ka bërë që disa prej objekteve, kryesisht veshjet popullore të zonës dhe sixhadet të dëmtohen rëndë. Gjatë vitit 1997 muzeu u vodh dhe tani të ekspozuara janë vetëm një pjesë e vogël e pasurisë së kësaj treve.

Muzeu Etnografik i Elbasanit ka statusin e Monumentit të Kulturës të Kategorisë së Parë, por nuk është çudi që një ditë të mbetet thjesht një kujtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›