E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse nuk investohet në prodhim

01/12/2004  Duke survejuar sektorët e prodhimit në vend, gjatë katërvjeçarit ‘99–2002, mund të thuhet se investitorët vendas, nuk kanë guxuar të shtojnë investimet dhe kanë shënuar në 2002-shin një ulje të ndjeshme të investimeve në vend dhe një humbje prej 11.5 miliardë lekësh. Shqipëria ka një nivel të ulët prodhimi dhe ato pak produkte që nxjerr i ka vetëm për tregun e vet.

“Nivelet janë dy deri në tre herë më të ulëta se vendet e tjera të Rajonit“, thotë Selami Xhepa, drejtor Ekzekutiv i ACIT.

Por duket se çështja bëhet më problematike për sa i takon eksporteve që arrijnë në 7 për qind të GDP–së, duke qenë tre herë më të ulëta se vendi pasues në Rajon. Ndërkohë duket se të investosh në një aktivitet prodhues kërkon shumë më tepër kapitale se sa në një aktivitet tregtie. Kursimet e brendshme në raport me PBB, në rastin e Shqipërisë qëndrojnë në nivele mesatare, prej 9 për qind për periudhën 1994–2001, megjithëse vitet e fundit po shprehin një tendencë rritëse. “Sidoqoftë mund të thuhet se niveli i kursimeve private është mjaft i ulët, krahasuar me nivelin prej mbi 30 për qind të këtij treguesi për ekonomitë me rritje të shpejtë”, thotë Xhepa, në lidhje me këtë faktor të konkurrueshmërisë së prodhimeve vendase. Kështu, ndërsa vende e tjera luajnë me kapitale në bursë, për sipërmarrësit vendas kjo është një formë akoma e paaplikueshme. Duket se prodhuesit i sigurojnë më shumë paratë nga huatë bankare, apo nga ato që quhen hua informale. “Evidencat gojore pohojnë se, financimi më i preferuar mbetet ai nëpërmjet huasë, përfshi këtu dhe kredinë bankare si dhe huadhënien informale, që mendohet se ka përmasa jo të pakonsiderueshme”. “Tashmë ka evidenca të mjaftueshme se, veçanërisht, gjendja e furnizimit me energji përbën një ndër faktorët përcaktues të nivelit të ulët të konkurrencialitetit të firmave shqiptare, për shkak të kostove të larta të operimit të biznesit”, thotë Selami Xhepa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›