E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat, “luftë” me ndërtuesit për TVSH

01/12/2004  TVSH e ndërtimit është një taksë mëse racionale dhe që do të japë efekte pozitive në tregun e ndërtimit dhe do të disiplinojë bizneset që u pëlqen të luajnë në tregun e zi, duke i formalizuar ato. Ministri i Financave ka mbrojtur taksën e TVSH–së së ndërtimit dhe ka hedhur poshtë mendimet e ndërtuesve, sipas të cilave, kjo taksë do të rrisë ndjeshëm koston e ndërtimit dhe për pasojë dhe çmimin për konsumatorët. “Nuk ka bazë për një rritje 30 për qind të çmimit dhe ky është thjesht abuzim nga ana e ndërtuesve, pasi ndikimi i TVSH-së mbi koston është i papërfillshëm”, ka deklaruar ministri i Financave, Arben Malaj. Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve, i cili ka kujtuar se fatura e ndërtimit përmbledh të gjitha kostot, mes të cilave dhe shtesën e TVSH-së. “20 për qind na e ka shtuar shteti, duke na vendosur TVSH, duke i shtuar dhe normën e spekulimit, që është në varësi të secilit ndërtues, atëherë llogaria është e thjeshtë dhe vërtitet rreth 30 përqindëshit”, ka deklaruar Artan Dulaku. Sipas kreut të ndërtuesve, spekulimet me çmimet në Shqipëri janë mëse normale. Aplikimi i TVSH–së në 2006-ën u kontestua nga ndërtuesit, të cilët kërkuan që taksa të shtyhej të paktën për në 2007-ën. Duket se Komisioni i Ekonomisë po thyhet nga mendimi i biznesit. Por për Malajn, çështja nuk duhet të vihet në diskutim. “Debatet që kërkojnë shtyrjen nuk janë realiste dhe as shkencore dhe një vit është mjaftueshëm për të përgatitur aplikimin e taksës”, ka deklaruar Malaj. Për Ministrinë e Financave, ndikimi i TVSH–së mbi banesat duhet të jetë po aq i ndjeshmëm sa dhe ndikimi që pati në ’97-ën rritja e TVSH-së, nga 12 për qind në 20 për qind. “Edhe në ’97-ën u bë i njëjti debat, por rritja e çmimit nuk ishte 20 dhe 30 për qind, por shumë më e vogël”, ka kujtuar Malaj. Kundër këtij argumenti, Dulaku ka kujtuar se në ’97-ën, ndërtuesit paguanin taksat që paguajnë dhe sot e nuk kishin 20 për qind më shumë. “Në ’97-ën nuk na u vendos TVSH–ja, por na u la tatimi i zakonshëm, prandaj dhe ndërtuesit nuk rritën ndjeshëm çmimet”, u përgjigj Dulaku. Eksperienca e ndërtuesve me taksat i përafrohet shumë atyre të bankave me euron dhe dollarin, i cili asnjëherë nuk është reflektuar në Shqipëri në masën e duhur, për të mos kujtuar naftën, e cila tregoi se impakti me çmimin është gjithnjë i paparashikueshëm. “Ju e patë se si shkoi çmimi i naftës në gusht dhe ndikimin që pati spekulimi në tregun vendas”, ka kujtuar Dulaku. Ministri i Financave ka kujtuar se taksa në fjalë ka marrë dhe miratimin e ndërkombëtarëve. “Ne kemi marrë dhe miratimin e FMN–së, e cila është dakord me aplikimin e kësaj takse, në një kohë kur të gjithë ndërtuesit e paguajnë TVSH–në, por me fatura”, ka kujtuar ministri Malaj. Duket se qeveria do të ushtrojë të gjithë influencën e saj për të miratuar taksën në Parlament. “Ne do të kërkojmë mbështetjen e Parlamentit për vendosjen e kësaj takes”, ka deklaruar Malaj. Por për kreun e ndërtuesve, realiteti është i qartë. “Rritje e taksave për ne do të thotë rritje e çmimeve për popullin”, ka deklaruar Dulaku në lidhje me vendosjen e TVSH–së, 20 për qind në ndërtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›