E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat turistike nga 3000 lekë deri në 7000 për m2

01/12/2004  Brenda muajit janar, Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave duhet të përfundojë vendosjen e çmimit të tokave në zbatim të ligjit të miratuar së fundi në Kuvend. Burimet kanë bërë të ditur se komiteti do të diskutojë fillimisht mbi propozimet e grupit të punës dhe më pas do të hidhen dhe formulat e shoqatës së pronarëve si dhe të grupeve të tjera të interesit. Megjithatë, për këtë çështje do të kërkohet dhe mendimi i degëve në rrethet e vendit, të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ushqimit. Kjo për të parë vlerën e fitimeve neto nga toka bujqësore. Ndërsa për trojet do të kërkohet dhe mendimi i Ministrisë së Rregullim Territorit. Grupi i punës në Komitetin e Pronave ka marrë si shembull në vendosjen e çmimeve në 5 zona turistike. Kjo për vetë faktin se tokat në vijën bregdetare dhe në zonat preferenciale, turistike, do të jenë dhe qendra e debatit.

Raporti

Sipas grupit të punës në Komitetin e Pronave, çmimet në tokat bujqësore në zonat turistike do të variojnë nga 200 lekë për metër katror në 550 lekë. Ekspertët, për këto çmime, janë bazuar në vlerat e tokës në Velipojë, Gjirin e Lalzit, Golem, Orikum dhe Ksamil. Çmimi i tokës truall në po këto zona do të variojë nga 3000 lekë metri katror në 7000 lekë. Megjithatë dhe për këto çmime do të ketë vlerësime plus. Kjo pasi ekspertët në punën e tyre nuk kanë marrë parasysh urbanizimin dhe largësinë e këtyre tokave nga qendra turistike apo nga bregu i detit. Sa më në qendër, ose sa më pranë bregdetit të jetë zona, aq më shumë do të rritet çmimi. Gjithsesi, nuk pritet një lëvizje e madhe. Kjo dhe nga fakti se OSBE, në një raport të saj, është shprehur se çmimet e tokës në Shqipëri janë më të larta se rrethinat e Vienës.

Çmimet

Çmimi bazë i tokës bujqësore në Shqipëri, sipas grupit të ekspertëve, do të jetë fitimi neto nga prona bujqësore që do të shumëzohet me përqindjen e interesit bankar. Në këtë mënyrë del që qytetet e Myzeqesë do të kenë çmime dhe më të larta. Ndërkohë që për pyjet dhe për të mbjellat me dru frutorë do të ketë një vlerësim më të detajuar. Për tokat bujqësore, afërsia me një qendër tregtare si dhe vaditshmëria do të kenë indeks rritjeje të çmimit. Ndërsa për tokat pyjore do të vlerësohet fitimi i mundshëm neto si dhe preferencialiteti i tregtarëve. Këto pritet të jenë vlera të supozuara, pasi pyjet janë të ruajtura me ligj. Për pronat e mbjella me dru frutorë bazë do të jetë prodhueshmëria. Por këtë radhë kjo vlerë do të jetë më e lartë se e tokave bujqësore, për shkak dhe të rëndësisë që kanë.

Ish-pronarët: Duam çmimin e tregut

Shoqata "Pronësi me Drejtësi" dhe ajo "Bregdeti" kanë kërkuar, gjatë diskutimeve në parlament, që çmimi i tokave për procesin e kthimit dhe të kompensimit të jetë ai i shitblerjeve reale. Për këtë është hedhur dhe ideja e krijimit të një Burse, që do të sillte vlerësimin real të çmimit të tokave në Shqipëri. Sipas tyre, nuk është e drejtë që vlerësimi i tokës të bëhet sipas vlerësimeve subjektive të ekspertëve, pasi në të gjithë botën është vlera e shitblerjeve që përcakton dhe çmimin. Megjithatë, shoqatat kanë pranuar që kjo pikë të diskutohet në momentin e duhur në Komitetin e Pronave si dhe në diskutimin parlamentar. Për këtë, shoqatat kanë marrë pjesë në të gjitha takimet dhe diskutimet që janë zhvilluar në komisionet parlamentare si dhe në seminaret e zhvilluara si prej ambasadave të ndryshme dhe prej OJQ-ve, të cilat operojnë në Shqipëri. Nga ana tjetër, shoqatat e ish-pronarëve kanë ngritur shqetësimin e tyre dhe pranë organizatave ndërkombëtare për një sërë mangësish që ka, sipas tyre, ligji i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Historiku i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave

Çështja e miratimit të një ligji, që do të vendoste kthimin dhe kompensimin e pronave pronarëve të ligjshëm, ka nisur të debatohet më ashpër pas vitit 1998, kur është miratuar dhe Kushtetuta e Shqipërisë. Në këtë proces janë përfshirë në diskutime disa parti të vogla opozitare, që janë mbështetur dhe nga shoqatat e ish-pronarëve. Në këtë proces, republikanët kanë paraqitur tre projektligje, prej të cilëve vetëm një ka kaluar për diskutime konkrete në Kuvend. Në këtë proces dhe qeveria ka përgatitur një projektligj. Për të dy draftet është ngritur një komision i posaçëm pranë OSBE-së. Pas një pune njëmujore, u arrit në një formulë të përbashkët. Gjithçka do të përfundonte më 30 korrik, ku socialistët kanë miratuar me shumicë votash projektligjin. Opozita ka bojkotuar votimin, me argumentin se formula e ngritjes së komitetit të pronave nuk është e pranueshme. Gjithashtu, opozita ka kundërshtuar kufizimin e kthimit të tokës bujqësore deri në 60 hektarë. Nga ana tjetër janë hedhur dhe dyshime mbi mënyrën e funksionimit të komisioneve të kthimit të pronave nga viti 1992 deri në vitin 1998.

Kontestimet nga opozita dhe shoqatat

Partia Demokratike, Partia Republikane dhe shoqatat e ish-pronarëve kanë deklaruar se, në rast të rotacionit të pushteteve, diskutimi për ligjin e kthimit dhe kompensimit të tokave do të rinisë. Kjo pasi në ligjin e miratuar më 30 korrik lejohet kompensimi i tokave bujqësore deri në 60 ha tokë. Kjo është cilësuar shkelje e të drejtave të njeriut, pasi e drejta e pronës është e mbrojtur me ligj. Nga ana tjetër është kërkuar që të nisë dhe verifikimi i vendimeve të marra nga komisionet e mëparshme në ndarjen e tokave, pasi rezultojnë të jenë bërë shkelje të mëdha. Sipas ish-pronarëve, deri në vitin 1944, rreth 233 mijë hektarë tokë kanë pasur pronarë. Ndërsa nga viti 1944 deri në vitin 1991 shteti ka hapur dhe rreth 300 mijë hektarë tokë, nga therja e kënetave dhe nga zonat malore. Duke bërë një llogari matematikore, ish-pronarët kanë theksuar se tokat e hapura nga shteti mjaftonin për të bërë pronar të gjithë shqiptarët, ndërsa tokat që kanë pasur pronarë duhet t'u kthehen të zotit. Por duke parë se nga rreth 533 mijë hektarë tokë kanë mbetur vetëm 113 mijë, ish-pronarët kanë theksuar se gjatë 10 viteve të fundit ka pasur shkelje të ligjit 7501, duke i dhënë tokë atyre që nuk u takon.

Qarqet e ndarë sipas rëndësisë

Rajoni i parë: Fier, Berat Tiranë me koefiçent të plotë

Rajoni i dytë: Vlorë, Gjirokastër, Durrës

Rajoni i tretë: Shkodër, Lezhë Dibër

Rajoni i katërt: Korçë, Kukës, Elbasan

Tokat në vijën e verdhë

Tokat bujqësore që janë brenda vijave të verdha dhe ato në zonat turistike do të kenë një vlerësim përmirësues për shkak të parashikimit të ndryshimeve të ndjeshme dhe në ndërtueshmëri. Konkluzioni del i tillë dhe nga fakti se shitjet në këto zona janë më të mëdha dhe më të preferueshme. Koefiçenti i rritjes së çmimit në këto raste do të dyfishohet

Shembulli tokave turistike

Zona, Velipojë, Gjiri i Lalzit, Golem, Orikum dhe Ksamil

Çmimi i tokës bujqësore nga 200 lekë në 550 lekë metri katror

Çmimi i tokës truall nga 3000 lekë në 7 000 lekë metri katror

Në tokat turistike do të ketë rritje të çmimit, duke u bazuar në largësinë për nga bregu i detit.

Tokat troje më të vlerësuara

Me rrugë automobilistike

Me linjë të furnizimit me ujë

Me linjë të furnizimit me energji elektrike

Intensiteti i ndërtimit dhe vlera e rrijes së tregut në 10 vitet e fundit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›