Banka e Shqipërisë: Sistemi financiar shqiptar, i sigurt
Në një publikim për mediat BSH ka prezantuar raportin e mbikëqyrjes për vitin 2011, një dokumenti i rëndësishëm ky për performancën e sistemit bankar dhe institucioneve të tjera financiare që janë subjekt i mbikëqyrjes nga BSH. Sistemi bankar në Shqipëri i është përgjigjur me sukses vështirësive të një viti sfidues duke vazhduar kreditimin dhe duke ruajtur parametrat kryesorë të shëndetit financiar. Vitin e kaluar bankat e rritën kreditimin me 15.3 për qind, shifër që Banka e Shqipërisë e vlerëson mjaft të kënaqshme, krahasimisht me vendet e tjera, por edhe në raport me rrethanat që po përjeton sot ekonomia evropiane. Pavarësisht një rritjeje të kredive të këqija në 18.9 për qind, në fund të vitit 2011 bankat u përgjigjën më së miri duke krijuar fondet e nevojshme rezervë. Statistikat tregojnë se afro 52 për qind e vlerës së kredive me probleme është e mbuluar me provigjione. Nga ana tjetër, edhe mbulimi i kredisë në tërësi me kolateral paraqitet mjaft i lartë. 76 për qind e totalit të kredisë është e garantuar me kolateral. Ç’është më e rëndësishmja, aksionerët e bankave vitin e kaluar ju përgjigjën nevojave të bankave të veçanta për rritje të kapitalit. Kjo bëri në treguesi i më i rëndësishëm, ai i mjaftueshmërisë së kapitalit, të rritej në fund të vitit 2011 në 15.6 për qind, nga 15.4 për qind që kishte qenë një vit më parë. Edhe vitin e kaluar rritja e kreditimit erdhi në pjesën më të madhe në sektorin e bizneseve, por nga ana tjetër kjo kategori paraqet edhe përqindjen më të lartë të kredive me probleme. Për klientët biznese, kreditë me probleme ishin në nivelin 20.6 për qind dhe sektorët më problematikë ishin Ndërtimi, Industria Përpunuese dhe Tregtia. Inspektimet dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2011 sistemi bankar përgjithësisht veproi në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor dhe rregullativ.