E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, në hartën globale të vendeve mikpritëse

01-07-2012 / Gazeta 55

Konferenca “1 OKB”, Pollo: “U trajtuan çështje globale”

Në përfundim të konferencës së OKB-së në Tiranë, ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo, i cili kryesoi grupin ndërinstitucional të punës për organizimin e saj, mbajti një konferencë për mediat ku ndër të tjera theksoi se kryeqytetit i Shqipërisë nga sot, do të bëjë pjesë në hartën globale të vendeve mikpritëse.
Sipas tij, “është i spikatur fakti se për herë të parë në Tiranë mblidhet një tubim ndërshtetëror global me pjesëmarrjen e vendeve nga Norvegjia në Tanzani dhe nga Uruguai në Vietnam”.
“Deri tani, në këta 20 vjet, ne kemi mikpritur vetëm konferenca rajonale, si Nisma e Evropës Qendrore apo ajo e Detit të Zi. Me këtë konferencë Tirana është shënuar në hartën globale të qyteteve mikpritëse”, u shpreh Pollo.
Por më e rëndësishme, shtoi ministri Pollo, “është diçka tjetër: Shqipëria është një nga vendet pilote nismëtare për reformën e OKB-së që nga viti 2007, dhe ne kemi arritur të reformojmë punën e agjencive të Kombeve të Bashkuara në vendin tonë”.
“Një tjetër fakt i rëndësishëm, që u përcoll së bashku me konferencën, ishte që mbizotëroi Fryma e Tiranës, siç e pagëzoi dhe delegacioni francez (Esprit de Tirana, Spirit of Tirana)”, theksoi ai.
“Ne, tha ministri i TIK, kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm përtej kufijve tanë, duke udhëhequr konferencën e duke miratuar dokumentin më të qartë për këtë reformë, i cili apelon veçanërisht Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki-Moon të marrë hapa konkretë për reformën ‘Një OKB’”.
Pollo tha se “në kwta 20 vjet ne jemi mësuar ta shohim vendin tonë si vend përfitues, që bota e ndihmon”.
“Kjo ka filluar të ndryshojë, jo vetëm me trupat tanë që ruajnë paqen në vende të afërta apo të largëta. Por edhe me ide, reforma brenda vendit, me veprimtari politiko-diplomatike efektive, siç ishte rasti i konferencës së OKB-së në Tiranë, siç është rasti i Frymës së Tiranës, që besojmë se do të ndikojë në zhvillimet e javëve të ardhshme në New York, Pallatin e Qelqtë, selinë e OKB-së”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›