Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të rishikojë shpenzimet
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, është shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe transparente për rreziqet me të cilat mund të përballet qëndrueshmëria e stabilitetit financiar të vendit gjatë këtij viti. Sipas BSH, ngadalësimi i ritmit të rritjes ekonomike në vitin 2009, e bën të vështirë realizimin e treguesve të politikës fiskale në përputhje me parashikimet e fundit të vitit 2008.
Banka e shqipërisë thekson se, zhvillimet në tregtinë e jashtme do të ndikojnë në rënien e grumbullimit të të ardhurave buxhetore, ndërkohë që shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi ndikon negativisht mundësitë e sektorit bankar për të financuar deficitin buxhetor. Për këtë arsye, banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë shqiptare, që të realizojë objektivin për nivelin e deficitit buxhetor, të bëjë rialokimin e shpenzimeve publike sipas rëndësisë, në masën e nevojshme dhe përgjatë gjithë vitit financiar. Gjithashtu BSH thekson se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të ruajtur burimet e të ardhurave, për të gjetur burime alternative financimi, për të shtyrë në kohë shpenzimet jo urgjente, për të ripërcaktuar shpenzimet e planifikuara për këtë vit dhe që janë ende të pakontraktuara ose të pakryera. Sipas BSH, rënia e pritshme e ritmit të rritjes ekonomike gjatë vitit 2009, do të reflektojë rënien e kërkesës së brendshme dhe si rrjedhojë, mund të shoqërohet me rënie të pjesës së saj që drejtohet për mallra të huaja. Si rezultat, vëllimi i tregtisë në përgjithësi mund të shënojë rënie, duke realizuar një korrektim të nevojshëm të deficitit në llogarinë korrente të ekonomisë së vendit, si edhe duke i vendosur faktorët e kërkesë/ofertës për valutë të ekonomisë tonë, në një ekuilibër më të qëndrueshëm.