E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë kërkon njësi të veçantë nga policia

Ruajtja e bankës Projekt-marrëveshja u dërgua në polici për një grup prej 67 vetash

Banka e Shqipërisë ka kërkuar që të krijohet një njësi e veçantë nga policia, me qëllim ruajtjen e godinave të saj, por me projekt-vendimin për seksionet e policisë për ruajtjen e objekteve, ajo nuk do të ruhet nga policia. Pavarësisht se gjithmonë Banka e Shqipërisë është cilësuar si institucion i rëndësisë së veçantë dhe guvernatori bën pjesë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, këtë radhë duket se ajo nuk do të ruhet me policë. Megjithatë, pak kohë më parë, Departamenti i Sigurisë në këtë bankë ka përgatitur një projekt-marrëveshje për të krijuar një njësi speciale të policisë, që të merret vetëm me ruajtjen e objekteve të saj. Kjo projekt-marrëveshje i është dërguar për vlerësim policisë, por ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare, pavarësisht se banka merrte përsipër shpenzimet për realizimin e saj.

Burimet policore tregojnë se kohë më parë, kjo projekt-marrëveshje ka rënë në duart e drejtuesve të policisë dhe konsistonte në ndërtimin e një njësie të përbërë prej 67 efektivë policie. Sipas shpjegimeve të bëra në të, ku është përcaktuar edhe baza ligjore, sqarohet se cilat do të jenë detyrat e tyre. Nga të dhënat mësohet se selitë kryesore të bankës janë tre, që nga godina e bankës, godina e ish-VEFA-s, ku janë bërë edhe zyrat e guvernatorit dhe objekti X-79. Veç tyre, në marrëveshje është përcaktuar që shërbim policie do të ketë edhe për shoqërimin e vlerave. Aktualisht, në godinën qendrore të Bankës së Shqipërisë ka tre shërbime 24-orëshe të policisë. Një shërbim tjetër është për ish-godinën e VEFA-s dhe një për objektin X-79, që është thesari i shtetit. Ndërsa për shoqërimin e vlerave aktualisht merret reparti i ceremonialit. Në projektin e propozuar, banka kishte menduar që të krijonte një sektor, ose njësi të veçantë policie, me numrin e përgjithshëm 67 efektivë, që do të ndahej në dy seksione.

Një prej seksioneve do të merrej me godinën qendrore të bankës dhe godinën e ish-VEFA-s. Për këtë seksion, në projekt është argumentuar se duhen pesë shërbime 24-orëshe. Sipas të dhënave, tre shërbime do të jenë në godinën qendrore, ndërsa dy të tjera në godinën e VEFA-s. Në lidhje me shtimin e një shërbimi te kjo e fundit, specialistët kanë argumentuar që guvernatori i bankës do të ketë zyrat aty, kështu që një shërbim do të jetë jashtë, ndërsa një tjetër brenda. Ndërsa tre shërbimet e godinës qendrore do të jenë ashtu siç janë aktualisht. Por, për kryerjen e këtyre shërbimeve janë përllogaritur 4 punonjës policie për çdo shërbim, duke e çuar në 20 numrin e efektivëve për seksionin e parë. Këtyre u është shtuar nga një shef turni, duke e çuar numrin në 25 dhe gjithashtu dy punonjës policie të tjerë, që plotësojnë strukturën me 27 veta.

Seksioni i dytë është menduar që të jetë në ruajtjen e objektit X-79 dhe shoqërimin e vlerave. Në lidhje me këtë, në projekt shpjegohet që 27 efektivë, ashtu si në seksionin e lartpërmendur, do të jenë për pesë shërbime në ruajtjen e thesarit, ndërsa 12 të tjerë në shoqërimin e vlerave. Me këtë numër prej 39 efektivësh, në projekt-marrëveshjen e propozuar nga banka mendohej të zgjidhej edhe ruajtja e X-79 dhe shoqërimi i vlerave. Në total, dy seksionet do të kenë 66 efektivë, por për të plotësuar strukturën prej 67 vetash, një person do të jetë shef i kësaj njësie ose sektori.

Veç strukturës së propozuar, në projekt janë parashikuar edhe shpenzimet. Në lidhje me këtë, Banka e Shqipërisë ka deklaruar se merrte përsipër që nga shpenzimet operative, deri edhe te vënia në dispozicion për godinën e kësaj njësie. Gjithashtu, ajo ka deklaruar se do të kujdesej edhe për armatimin e efektivëve të njësisë, që të ishte bashkëkohore. Sikur të mos kishin mjaftuar këto, për të ruajtur një objekt të rëndësishëm banka ka premtuar se efektivi që do të përzgjidhej nga objektet për këtë detyrë do të trajnohej sa më mirë për një shërbim bashkëkohor. Megjithatë, ende nuk dihet se çfarë është bërë me këtë propozim të Bankës së Shqipërisë, ku sipas burimeve ishte edhe e gatshme që të financonte edhe më shumë për një grupim të tillë. Projekt-marrëveshja e drejtuar policisë nuk ka marrë një përgjigje zyrtare, ashtu siç veprohet në shumicën e vendeve të tjera, ku bankat kombëtare ruhen nga Policia e Shtetit dhe jo nga polici private, si objekte tejet të rëndësishme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›