Fule, Metës: Ndryshoni situatën politike
Qeveria shqiptare merr vlerësime të larta për ecurinë e dëshmuar në procesin teknik që lidhet me liberalizimin e vizave. Në një takim të zhvilluar dje në Bruksel, mes ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe Komisionerit Europian për Zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Stefan Fule, ky i fundit ka shprehur hapur qëndrimin pozitiv të Bashkimit Europian i cili po merr në konsideratë përpjekjen e Shqipërisë në plotësimin e pyetësorit. “Ka një vlerësim tashmë që është ndarë me vendet anëtare dhe me Parlamentin Europian. Më duhet të them se është një vlerësim i mirë i cili evidenton progresin e shkëlqyer që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit”, citon zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme Komisionerin Europian. Praktikisht, ky vlerësim i ardhur nga Brukseli u jep zgjidhje dilemave të fundit për progresin e vendit tonë, që është vënë deri diku në diskutim nga kakofonia e deklaratave të njëpasnjëshme që mbërrijnë së fundmi në Tiranë. Si përgjegjës direkt për Zgjerimin e BE, qëndrimet e Fules kanë peshën e përgjegjësisë politike të nivelit më të lartë, çka në kontekstin e brendshëm shqiptar i jep kredenciale qeverisë që të shuajë çdo zhurmë të bërë në këtë drejtim. “Janë ende dy-tri çështje të cilat duhet të adresohen, por mendoj se janë parakushte të cilat, le të themi se do të përmbushen përgjatë (njëkohësisht) procesit të përbashkët të Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian gjatë këtij viti, për të konsideruar rekomandimet relevante të komisionit, të cilat janë bazuar mbi këtë vlerësim shumë të mirë”, vijoi më tej Fule. Teknikisht, procesi i liberalizimit e gjen Shqipërinë të gatshme për të dëgjuar tanimë vendimin e hapjes përfundimtare edhe pse politikisht rezervat ndaj saj qëndrojnë ende të forta. Kriza politike është cekur në takimin mes Metës dhe Komisionerit Europian për Zgjerimin, i cili ka kërkuar nga ministri i Jashtëm shqiptar gjetjen e një zgjidhjeje. “Duhet të ndryshoni situatën politike”, është shprehur Fule. Por për këtë argument Meta ka qenë i qartë në përgjigjen e vet, duke risjellë në vëmendje ofertat e njohura të mazhorancës për zgjidhje kushtetuese dhe legale. Me rëndësi ka qenë edhe fokusimi i bashkëbiseduesve në rolin e Shqipërisë në rajon i cili është parë gjithnjë si me vlerë në modelimin e situatave të nxehta. Afrimi i muajit qershor përkon me një axhendë të rëndësishme rajonale që kulmon me Samitin e Sarajevës që do të marrë në trajtim problemin e lëvizjes së lirë, por edhe forcimit të perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit.
#