E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë rikonfirmon rritjen ekonomike, edhe për tremujorin e dytë të 2010-s

Rritet besimi i biznesit tek treguesit e ekonomisë, kurse tendenca ekonomike shfaq shenja të dukshme përmirësimi

Pavarësisht deklaratave të shumta, duke se ekonomia shqiptare po vazhdon turravrapin e saj, duke mos njohur luhatje. Raporti i fundi i Bankës së Shqipërisë, thotë se Treguesi i Tendencës Ekonomike (TTE), shfaqi shenja përmirësimi në tremujorin e dytë të vitit 2010, duke arritur nivelin 102.3 (+8.4 pikë përqindjeje). Në këtë periudhë, TTE qëndron rreth 2.3 pikë përqindjeje mbi mesataren e tij afatgjatë, ndërkohë që ai ka shënuar vlera poshtë mesatares afatgjatë që nga tremujori i katërt i vitit 2008.
Rritja e TTE u shkaktua nga një kthesë pozitive e besimit në të gjithë sektorët e konsideruar, krahasuar me nivelin e tyre shumë të ulët gjatë katër tremujorëve të fundit. Përmirësimi i treguesit të besimit të konsumatorëve dhe përmirësimi i besimit në sektorin e shërbimeve, ndërtimit dhe atë të industrisë kontribuuan pozitivisht në treguesin e përgjithshëm të tendencës ekonomike.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2010, Treguesi i Besimit të Industrisë (TBI) shënoi një rritje të lehtë me rreth 0.9 pikë përqindjeje. Megjithë përmirësimin gradual gjatë dy tremujorëve të fundit, niveli i TBI-së qëndron poshtë mesatares afatgjatë me një diferencë prej 4.3 pikë përqindjeje. Përmirësimi i treguesit të besimit në industri në tremujorin e dytë të vitit 2010 u shkaktua kryesisht nga vlerësimi më pak negativ i situatës së punësimit. Rritja e inventarëve kontribuoi negativisht, ndërsa vlerësimi i bizneseve për prodhimin industrial mbetet pothuajse në të njëjtin nivel me tremujorin e kaluar.
Megjithëse negativ, vlerësimi i bizneseve të industrisë për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi ka vijuar të përmirësohet për të dytin tremujor radhazi (balanca e përgjigjeve për këtë pyetje u rrit me 3.2 pikë përqindjeje).
Ndërkohë ecuria e aktivitetit të përgjithshëm të biznesit në sektorin e industrisë u vlerësua negativisht edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2010. Balanca përkatëse shënoi rënie me rreth 1.4 pikë përqindjeje. Kjo ecuri është kushtëzuar kryesisht nga vështirësitë e hasura në gjetjen e tregjeve të reja, prania e ekonomisë informale si dhe problemet me kuadrin ligjor dhe zbatueshmërinë e tij. Bizneset e sektorit të industrisë kanë vlerësuar më pak negativisht kërkesën e brendshme gjatë tremujorit të dytë të vitit 2010.
Ndërkohë, pritjet e bizneseve të sektorit të industrisë për tremujorin e tretë të vitit 2010 janë më optimiste krahasuar me vlerësimin për situatën e tyre korrente. Bizneset në këtë sektor presin përmirësim të kërkesës së brendshme dhe të jashtme gjatë tremujorit të tretë të vitit 2010. Për sa i përket sektorit të ndërtimit, treguesi i besimit u rrit me 3.7 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë të vitit 2010, duke qëndruar gjithsesi 8.9 pikë përqindjeje nën mesataren e tij afatgjatë. Përmirësimi i treguesit të agreguar në këtë sektor u shkaktua nga zhvillimet pozitive në të gjithë komponentët përbërës të tij. Kontributin më të madh në këtë drejtim e ka dhënë përmirësimi i balancës së kërkesës, e cila shënoi rritje me rreth 7.6 pikë përqindjeje. Balanca e prodhimit dhe ajo e punësimit në sektorin e ndërtimit janë vlerësuar më pak negativisht në tremujorin korent. Këto balanca u rritën përkatësisht me 2.8 dhe 0.7 pikë përqindjeje, duke mbetur gjithsesi në nivele negative.
Stabiliteti ekonomik në vend sjell forcimin e lekut, bie euro/Stabiliteti ekonomik i Shqipërisë ka sjellë edhe dobësimin e euros dhe forcimin e konsiderueshëm të lekut. Sipas specialistëve ky zhvlerësim i euros ka ardhur për shkak të prurjes së emigrantëve të cilët punojnë dhe jetojnë në vendet perëndimore dhe janë kthyer në Shqipëri për pushime. Gjatë muajve të fundit euro ka humbur pikë kundrejt lekut duke kapur edhe kuotën më të ulët ditët e fundit. Vlerësimi i lekut kundrejt euros pritet që të vazhdojë edhe për disa javë ku pritet që edhe të ardhurat nga emigrantët të vijnë në Shqipëri. Edhe pse prej specialistëve nuk pritej që euro të kishte një zhvlerësim të tillë duke përmendur këtu faktin e krizës ekonomike botërore. Kriza pritej që të ndikonte në uljen e remitancave në një masë të madhe, por gjithsesi ajo ka dhënë efektet e para në uljen e euros në tregun e brendshëm valutor. Euro ka zbritur kështu në kuotën më të ulët kundrejt lekut që prej dhjetorit të vitit të kaluar.
Të gjitha këto luhatje shpjegohen sipas specialistëve me krizën ekonomike që ka përfshirë vendin tonë fqinj Greqinë. Kriza ekonomike që ka përfshirë një sërë vendesh të eurozonës ka ndikuar në uljen e vlerës së euros në eurozonë dhe gjithashtu në vendin tonë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›