E vërteta e fshehjes së Edi Ramës, edhe pas kthimit prej pushimeve luksoze
Anëtarësia socialiste s’toleron hallakatjen e Edi Ramës prej 15 ditësh qëndrimi në zonat më të shtrenjta të globit, në një kohë kur PS-ja është në ditë të hallit dhe në një krizë të vërtetë identiteti. Problemet në rritje brenda PS-së dhe humbja e ndjeshme e terrenit në elektorat i kanë shtuar frikshëm dhimbjet e kokës Edvinit, i cili aktualisht e ka të pamundur të komunikojë edhe rikthimin në atdhe
Kryetari i socialistëve, Edi Rama ka hyrë në ditën e tretë të heshtjes mediatike, pas kthimit nga pushimet e shtrenjta në disa prej zonave më të frekuentuara të globit, të shquara edhe për kazinotë e famshme, të cilat fare mirë njihen edhe si instrumenti i zhvatjes së të hollave, shërbime të cilat Rama i ka kryer më së miri. Pavarësisht se largimi i tij nga Shqipëria në fillim të muajit gusht, ishte një informacion anonim dhe i pakonfirmuar, burime pranë selisë rozë bënë të ditur në mënyrë konfidenciale se kryesocialisti u largua drejt SHBA-së, por të pakta ishin gjasat që ai të përmbante destinacionin fillestar, pasi në të vërtetë kaloi në disa shtete. Po aq anonime vazhdon të mbahet rikthimi i tij në Shqipëri, në një kohë kur as media s’e ka cekur fort një çështje të tillë, duke harruar se lideri i opozitës mbart një rëndësi të veçantë, kryesisht simbolike, pas kryeministrit dhe presidentit të vendit. Duke injoruar këtë fakt, Edi Rama dhe njerëzit pranë tij, përmes këshillave reciproke suspenduan tentativat e gazetarëve për të mësuar diçka korrekte lidhur me udhëtimin e largët të Edi Ramës, kthimin në hije të tij dhe të vërtetën se pse prej 3 ditësh me radhë nuk komunikon rikthimin në atdhe. Kësisoj, Rama hyn në ditën e tretë të heshtjes mediatike. Në ditën e tretë të shterpësisë mendore dhe asaj emotive.
Skarciteti intelektual dhe mungesa e alternativave politike për të adresuar problematikat e çfarëdollojshme me të cilat ndeshen qytetarët në përgjithësi dhe shuarjen përgjithmonë të kritikave të ndërkombëtarëve lidhur me reformat sociale, ekonomike për të ndaluar tek ajo zgjedhore, e cila ka përbërë edhe tymnajën më të errët gjatë një viti me radhë, Edi Rama vazhdon të fshihet ndërkohë që nuk harron të nxjerrë tellallët njëri pas tjetrit nga foltoret e Partisë Socialiste. Kriza e identitetit me të cilën po përballet Edi Rama dhe grupi i pinjollëve të brezit të dytë të nomenklaturës komuniste, është sa e rëndë aq edhe e pa precedentë, pasi papjekuria e tyre për të zhvilluar një debat korrekt dhe të pranueshëm, ka sjellë edhe daljen e përkohshme nga kuadri demokratik i opozitës në tërësi dhe Partisë Socialiste në veçanti. Ndaj, qëndrimi i Edi Ramës larg kamerave dhe mikrofonave të medias, larg vëmendjes së qytetarëve, ka si justifikim pamundshmërinë e tij dhe të ndjekësve për t’u përballur me realitetin, me atë realitetit që ka sjellë Shqipërinë e ndryshuar, teksa në PS pritet të nxehen gjakrat. Zbehja e rolit funksionues të kryetarit dhe lënia në harresë e partisë prej 15 ditësh me radhë, duke zgjedhur luksin në Emiratet e Bashkuara Arabe, Paris, Macao apo Los Angeles, ka ngjallur pakënaqësi dhe ka krijuar një klimë konfuzioni në radhët e PS-së, aty ku një pjesë e përfaqësuesve kanë ngritur zërin për neglizhencën e pajustifikueshme të të kryetarit, në një kohë kur Partisë i nevojiten alternativa.
Re.Po