Vasili: Alkool nën moshën 18 vjeç, penalizim pronarëve të lokaleve
Lokalet që do t’u ofrojnë të rinjve nën moshën 18 vjeç pijë alkoolike, do të ndëshkohen duke filluar që nga masat administrative, që janë gjobat, e deri në ndjekje penale. Paralajmërimi për atë çfarë do të ndodhë me pronarët e lokaleve që nuk do të respektojnë këtë rregull është bërë dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka lançuar nisjen e aksionit publik të luftës ndaj përdorimit të alkoolit në moshat e mitura. Ministri i Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të bëhet gjithçka për të ulur dëmet e shkaktuara nga alkooli. “Nuk do të këtë asnjë tolerancë për pronarët e lokaleve që do të tentojnë të shkelin ligjin, që nuk do të vendosin shenja të qarta për përdorimin e alkoolit në mosha të caktuara. Ngjarjet e shumta që kanë lidhje me sigurinë rrugore, por dhe manifestimet e dhunës nën efektet e alkoolit na bëjnë gjithnjë dhe më shumë të kuptojmë që ky aksion është prioritar”, - ka deklaruar ministri Vasili. Duke iu referuar të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, 21% e popullsisë konsumojnë alkool mbi normën e lejuar, rreth 2% e tyre kanë nevojë për ndihmë, ndërsa 14% e tyre janë afër rrezikut për alkoolizim. Megjithëse shqiptarët njihen si popull pijedashës, shifrat duken alarmante kur llogaritet se 2% e popullsisë është e alkoolizuar dhe kërkon trajtim mjekësor, ndërkohë që 5% e popullsisë riskon të futet në këtë kategori. Por ajo çfarë e bën akoma më shqetësuese situatën është konsumi i alkoolit nga mosha nën 18 vjeç, nxënës shkollash, si dhe shtimi i numrit të femrave si konsumatore të rregullta. Përsa i përket pijeve alkoolike shihet se përqindja e nxënësve që kanë provuar pije për herë të parë nën moshën 8 vjeç është më e lartë për zonat urbane se ato rurale, ndërkohë që kjo diferencë ngushtohet shumë me rritjen e moshës mbi 12 vjeç. Gjithsesi, ndonëse nuk janë konsumatorë të alkoolit, është shqetësues fakti që fëmijët e moshës nën 8 vjeç provojnë pije alkoolike. Fillimisht janë meshkujt ata që kanë provuar në një moshë më të vogël pijet alkoolike, në krahasim me femrat, ndërkohë që për moshën mbi 12 vjeç janë femrat që kryesojnë. Nxënësit e zonave urbane vazhdimisht konsumojnë më tepër pije alkoolike se ata të zonave rurale, por diferencat janë të vogla. Të bie në sy fakti se rreth 30% e nxënësve urbanë dhe ruralë kanë përdorur pije alkoolike për të paktën 1-2 ditë gjatë muajit të fundit, ndërkohë që grupmosha 17-19 vjeç konsumon pije alkoolike në më tepër ditë të një muaji se mosha 14-16 vjeç. Lidhur me konsumimin e alkoolit nga femrat, sipas studimit të parë demografik për shëndetin (DHS), të publikuar në vitet 2008-2009, ku është përfshirë edhe fenomeni i konsumimit të alkoolit nga popullsia shqiptare, femrat që jetojnë në zonat urbane konsumojnë më tepër alkool se femrat në zonat rurale, ndërsa te meshkujt vihet re një përqindje më e lartë konsumimi në zonat rurale. Po ashtu nga ky studim rezulton se grupmosha që konsumon më tepër alkool është ajo 35-39 vjeç te femrat, ndërsa te meshkujt shihet që konsumimi i alkoolit me një frekuencë më të shpeshtë ndodh te mosha 25-29 vjeç. Përsa i përket arsimimit, rezulton se femrat me arsim të lartë konsumojnë më shumë alkool, ndërsa te meshkujt konsumimi më i madh i alkoolit vërehet tek ata me arsim 8-vjeçar. Lidhur me rajonin, gratë në rajonin qendror konsumojnë më tepër alkool, ndërsa burrat e rajonit malor janë ata që konsumojnë alkool më tepër. Sipas studimit, femrat që jetojnë në qytet kanë një frekuencë më të lartë të përgjigjeve pohuese, “1-4 herë në javë” dhe “1-3 herë në muaj”. E kundërta ndodh me meshkujt. Ata që jetojnë në fshat kanë një frekuencë më të lartë të përgjigjeve pohuese: “pesë ose më shumë herë në javë”, “1-4 herë në javë” dhe “1-3 herë në muaj” .
Sasia e akumuluar e alkoolit të konsumuar në periudhë të gjatë kohe i paraprin shumë sëmundjeve kronike. Faktorë të tjerë përfshijnë mënyrën e të pirit, në veçanti pirja rastësore ose e rregullt deri në intoksikim, konteksti i pirjes që mund të rrisë rrezikun e dëmtimeve të qëllimshme ose jo në transmetimin e disa sëmundjeve infektive, faktor është cilësia e pijeve alkoolike ose kontaminimi me substanca toksike, si për shembull metanoli (alkool metilik). Nisur nga dëmet që shkakton alkooli në shëndetin e njeriut, Ministria e Shëndetësisë ka lançuar strategjinë për parandalimin dhe minimizimin e dëmeve të alkoolit për periudhën 2011-2015, si dhe planin e veprimit.