Arsimi, Berisha: Do të rendim drejt cilësisë
Festa e 7 Marsit edhe këtë vit nuk ka kaluar pa vëmendjen e kushtuar nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, për arsimtarët. Me rastin e 7 Marsit, ditës së mësuesit, kryeministri Berisha priti në një takim të veçantë, në ambientet e Pallatit të Brigadave, mësues dhe pedagogë nga e gjithë Shqipëria, duke u shprehur atyre në emër të qeverisë shqiptare mirënjohjen dhe falënderimin më të madh për punën e shkëlqyer dhe të palodhur që ata bëjnë çdo ditë për të arsimuar dhe edukuar brezat, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar në edukimin e shoqërisë. “Mësimet tuajat, edukata juaj shoqëron nxënësit dhe studentët tuaj gjithë jetën. Me punën tuaj, me ju fillon suksesi i secilit prej tyre, sukses që nuk ndërpritet kurrë, ndaj dhe me të drejte Herri Adams do të shkruante se ‘një mësues fiton përjetësinë, pasi kurrë nuk mund të thotë se kur ndalon influenca e tij’. Ju jeni krijuesit e së ardhmes. Unë në këtë sallë kam pritur gjatë këtyre 20 viteve personalitete të shquara, nga vendi dhe bota, por kurrë ndonjëherë nuk kam pasur në këtë sallë një audience ndaj së cilës unë të jem më mirënjohës dhe më i detyruar sesa ndaj jush. Pa mësuesit, unë dhe ju, nuk do të ishim sot në këtë sallë”, - falënderoi kryeministri Berisha arsimtarët për punën e tyre. Më tej, në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se arsimi dhe reformimi i tij ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i kësaj qeverie. “Ne, -tha ai-, në një hark kohor të shkurtër nga 2006 në 2009, ia dolëm të dyfishojmë rrogat për mbi 40 mijë mësues dhe mësuese të vendit, të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 1200 shkolla, të shtrijmë internetin në çdo shkollë të vendit. Bëmë që kompjuteri dhe interneti të mos jenë më mollë e ndaluar për vogëlushët dhe nxënësit që ju mësoni”, - u shpreh Kryeministri. Duke marrë shkas nga takimi me arsimtarët, kreu i qeverisë iu është referuar edhe shkrimtarëve më të njohur botërorë, për t’u bërë me dije atyre ambiciet për të ardhmen. “Këto janë disa nga arritjet tona, por, siç thotë Zhan Zhak Ruso, ‘arsimi është çështja më serioze e një kombi dhe ne kurrë ndonjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur dhe të vetëkënaqur me këto që kemi arritur’. Ne duhet të rendim, nëse kemi kapur disa tregues sasiorë, ju me të gjithë potencialet tuaja intelektuale, qeveria me të gjitha mundësitë dhe reformat e saj duhet të rendin pa ndërprerje drejt cilësisë, të bëjmë çdo gjë që të ngjisim me vendosmëri shkallët e cilësisë në këtë sistem”, - vijoj më tej Kryeministri i vendit. Sipas tij, historia ka faktuar, ka provuar në mënyrë të përsëritur, se kauza e dijes ka qenë dhe mbetet promotori kryesor i zhvillimit të një kombit, i zhvillimit të një shoqërie. Ai është shprehur se ambiciet tona janë të mëdha, prapambetja që trashëguam ka qenë e jashtëzakonshme, por ne në vitin 2017 këtë vend duhet ta vendosim në grupin e vendeve të zhvilluara”. Më herët, para ceremonisë së zhvilluar në Pallatin e Brigadave, kryeministri Berisha inauguroi gjimnazin “Gramoz Palushi” në Paskuqan, prej ku ka nisur edhe urimet për festën e 7 Marsit. Gjimnazi “Gramoz Palushi” është një investim me vlerë 660 milionë lekë dhe ofron ambiente moderne të mësimdhënies, 24 klasa, pajisur me kabinet informatike, bibliotekë dhe mjedise sportive. Në inaugurimin e këtij gjimnazi, Kryeministri theksoi se për qeverinë shqiptare arsimi dhe edukimi janë dhe do të mbeten përparësi e të gjitha përparësive dhe se në vitet që vijnë investimet në arsim do të njohin rritje më të madhe se në çdo vend tjetër. Pas ceremonisë së inaugurimit, kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kësaj shkolle, ku u takua dhe bashkëbisedoi me nxënës. Dita e Mësuesit i ka gjetur shkollat e kryeqytetit nën një atmosferë festive, ku tradita e luleve dhe urimeve ka vazhduar edhe këtë vit.