E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë vlerëson shkurtimet në buxhet

Banka e Shqipërisë ka përshëndetur dje masën që ka marrë qeveria për shkurtimet në buxhetin e këtij viti. Shkurtimi i shpenzimeve buxhetore në kushtet e mosrritjes së të ardhurave do të ndikonte, sipas Bankës, në rritjen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Por Banka e Shqipërisë vlerëson se shpenzimet publike të qeverisë kanë dhënë një kontribut pozitiv për nxitjen e kërkesës në gjysmën e parë të vitit 2011. Shpenzimet publike u rritën me 7.4% në terma vjetorë, të udhëhequra kryesisht nga shpenzimet korrente, por me një kontribut të shtuar pozitiv edhe nga shpenzimet kapitale. Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore kanë qenë të ngadalta, duke u rritur me 1.1% në terma vjetorë. Diferencat e ritmit të rritjes së të ardhurave e të shpenzimeve publike janë materializuar në zgjerimin e deficitit buxhetor. Në terma të PBB-së, deficiti buxhetor në fund të gjashtëmujorit të parë qëndron në 4.1%, ose rreth 1.5 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Natyra ekspansioniste e politikës fiskale ka qenë më e pranishme në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që në tremujorin e dytë të tij ajo është shfaqur më e zbehtë. “Ritmet e rritjes së të ardhurave dhe shpenzimeve u reduktuan në tremujorin e dytë të vitit, duke e bërë të nevojshëm korrektimin e buxhetit të vitit 2011, për të ruajtur parametrat e shëndetit të financave publike në horizonte afatmesme e afatgjata” thekson Banka në vlerësimin e saj për politikat fiskale. Në përputhje me ecurinë e ndjekur gjatë vitit të shkuar, rritja e ekonomisë shqiptare gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2011 pritet të jetë e mbështetur më shumë nga rritja e sektorëve të industrisë e të shërbimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›