E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Çmimet kanë arritur kulmin, tani nis rënia

SHKRUAN: Blerina Hoxha 28-07-2011 11:04

Vala e çmimeve të rritura tashmë ka kaluar, në periudhën afatmesme pritet rënie e tyre. Kjo ka qenë pak a shumë deklarata e djeshme e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në lidhje me pritshmëritë për ecurinë e çmimeve të konsumit. “Në horizontin afatmesëm pritet një zbehje e inflacionit të importuar dhe shuarja e efektit të rritjes së çmimeve të administruara. Në prani edhe të pritjeve të ankoruara inflacioniste të agjentëve ekonomikë, Banka e Shqipërisë gjykon se inflacioni i çmimeve të konsumit do të zbresë gradualisht pranë objektivit të saj prej 3 për qind në periudhën e ardhshme” tha dje guvernatori menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, ku u analizua ecuria e ekonomisë për gjashtëmujorin e parë. Sipas deklaratës zyrtare të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste mbeten të larta në horizontin afatshkurtër, por ato mbeten të kontrolluara dhe në horizontin afatmesëm pritet të ndjekin një trajektore rënëse. Në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni pritet të jetë brenda objektivit të BSH përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Ecuria e çmimeve të konsumit ka qenë nën presione të shtuara inflacioniste në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të huaja në tregjet botërore. Inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit shënoi përkatësisht 4.0% dhe 4.1%. Në aspektin e përbërësve të shportës së konsumit, çmimet e produkteve të përpunuara ushqimore kanë dhënë ndikimin kryesor në formimin e inflacionit vjetor. Kontributi i tyre në inflacionin total është luhatur rreth nivelit 55%, duke qenë afër rekordeve historike të këtij treguesi. Krahas tyre, një kontribut të shtuar në rritjen e çmimeve të konsumit ka dhënë edhe inflacioni i mallrave të konsumit jo-ushqimor, në të cilin bën pjesë nafta dhe mallra e shërbime të tjera të konsumit të përditshëm. Nga ana tjetër, kontributi në inflacion i ushqimeve të papërpunuara ka qenë në nivele të qëndrueshme, thekson Banka e Shqipërisë në analizën e saj. Rritja graduale e ofertës së produkteve ushqimore vendase gjatë tremujorit të dytë ka balancuar efektin e rritjes së çmimeve të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare. Së fundi, çmimet e administruara dhe rritja e akcizës për disa produkte ka patur një ndikim rritës në inflacionin vjetor, por në një masë më të vogël në krahasim me vitin e kaluar. Presionet inflacioniste në kahun rritës janë prodhuar më së shumti nga konjuktura e çmimeve të lëndëve të para dhe të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare. Inflacioni i importuar është transmetuar direkt në rritjen e çmimeve të një pjese të mallrave të konsumit në vend. Ai ka ushtruar gjithashtu presione shtesë mbi kostot e prodhimit dhe mbi pritjet inflacioniste, por këto efekte të raundit të dytë kanë mbetur të kontrolluara. Nga ana tjetër, hendeku negativ i prodhimit ka vijuar të ushtrojë presione rënëse mbi ecurinë e çmimeve, duke balancuar pjesërisht efektin e rritjes së çmimeve të huaja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›