E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Pensionet rriten në maj 2009

 

Ministri ka “hapur fushatën”, duke pohuar se pensionet e fshatit do të rriten me 20 % dhe të qytetit me 10 %

TIRANË- Qeveria ka nisur që tani fushatën elektorale, duke u premtuar pensionistëve se do t’u rrisë pensionet vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2009. Zgjedhjet pritet që të mbahen në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa rritja e pensioneve është kryer gjithmonë në muajt korrik- gusht. Por këtë herë qeveria ka “përshpejtuar” procedurat për të qenë brenda afateve të fushatës. “Në fondin e pagave, ne kemi programuar rritje nga data 1 Maj, me të njëjtin ritëm rritjeje që kemi programuar në vitet e kaluara”, - tha dje ministri i Financave, Ritvan Bode. Sipas tij, përmes këtij buxheti mundësohet tërësisht realizimi i atij angazhimi që ka marrë qeveria në publik për dyfishimin e pagave në sektorin e arsimit dhe në sektorin e shëndetësisë, pagave të ulëta, dhe për një rritje qenësore të sistemit të pagave në të gjithë sektorët e tjerë. “Nga data 1 maj ne do të bëjmë rritjen e programuar të pagave, çka do të thotë një kosto më e lartë për vitin 2009, por kjo është e domosdoshme për faktin se me vonë do të ishte i pamundur materializimi i rritjes së pagave, për shkak se programohet që, viti 2009, të jetë periudhë zgjedhjesh, kështu që konsolidohen të gjitha politikat më përpara", - vijoi ministri Bode. Lidhur me pensionet, Bode tha se "pensionet e fshatit do të rriten me 20 % dhe të qytetit me 10 % nga data 1 maj, pra me një ritëm rritjeje shumë më të lartë se inflacioni". Numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar 2009, sipas të cilit është përgatitur projektbuxheti i shtetit i vitit 2009, është 107 000 veta. Fondi për pagat dhe pensionet në p/buxhet, llogaritet 8. 200 milion lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›