Banka më e madhe amerikane raporton humbje kolosale
"Citigroup" ka pësuar humbjen e dytë më të madhe dhe pritet të shkurtojë 9 mijë vende pune, ndërsa kriza e kredive vazhdon të rëndojë mbi bankën më të madhe amerikane. "Citigroup" ka humbur 5.11 miliardë dollarë në tremujorin e parë të këtij viti, edhe pse kjo shifër është më e vogël nga humbja prej 9.8 miliardë dollarësh e raportuar në tre muajt e fundit të 2007-ës. Institutet huadhënëse në mbarë botën kanë regjistruar më shumë se 200 miliardë dollarë humbje, si pasojë e krizës së kredive. Ndërkohë, shkurtimet e përmendura nga "Citigroup" janë më të mëdhatë e lajmëruara ndonjëherë. "Citigroup" ka 369 mijë punonjës në tërë botën, 11 mijë vetëm në Britaninë e Madhe. "Rezultatet tona financiare reflektojnë vazhdimësinë e klimës së paprecedentë të tregjeve dhe kredive", tha drejtori ekzekutiv i "Citigroup", Vikram Pandit. Vetëm banka UBS e Zvicrës ka raportuar humbje më të mëdha se sa "Citigroup", si pasojë e kësaj krize të fundit. Humbja ishte dukshëm më e thellë se ajo e pritur nga shumë analistë, por, gjithsesi, bursat evropiane dhe amerikane morën frymë të çliruara, sepse nuk kishte pasur ndonjë surprizë të keqe. "Është një tremujor ringritjeje", thotë Artur Hogan, analist i tregjeve në "Jefferies & Co" në Nju Jork. Aksionet e "Citigroup" njohën gjithashtu rritje në bursën e Nju Jorkut herët në mëngjes. "Tregu po e thith. Ne e dimë se do të ketë anulime por ‘Citigroup‘ nuk ka paralajmëruar ende asgjë negative", thotë Andrea Uilliams, shef i kapitaleve evropiane në "Royal London Asset Management". Në fillim të kësaj jave, rivalja e "Citigroup", "Merrill Lynch", tha se kishte humbur 1.96 miliardë dollarë në semestrin e parë të 2008-ës dhe shpalli planet për shkurtimin e 4 mijë vendeve të punës në mbarë botën. Të ardhurat e "Citigroup" ranë me 48 për qind, kryesisht, si pasojë e krizës së kredive. Por, në anën tjetër, banka ka regjistruar edhe 3.1 miliardë dollarë fitime në kostot e kredive të konsumatorëve, për shkak se njerëzit gjithnjë e më shumë kanë ndeshur vështirësi në pagesat e faturave. Vitin e kaluar, investimet dhe asetet e mbështetura kryesisht mbi kreditë imobiliare, u rritën shumë, ndërsa normat e larta të interesit shkaktuan një pafundësi problemesh. Bankat u bënë gjithnjë e më hezituese në dhënien e kredive njëra-tjetrës, ndërsa shkalla e borxheve të pashlyera mbetet ende e paqartë. Si pasojë, në shkallë globale u regjistrua një mungesë burimesh kredituese. Dhe në të vërtetë, kriza e kredive rezultoi me kolapsin e gjigantit amerikan bankar, "Bear Stearns" dhe po ndihet gjithnjë e më shumë në ekonomitë e vendeve, ndërsa konsumatorët kanë vështirësi të shlyejnë këstet e kredive të tyre gjithnjë e më të ekzagjeruara. Veç "Merrill Lynch", që gjithashtu shënoi humbje të konsiderueshme, edhe të tjera banka amerikane janë në vështirësi. "Wachovia Corp." raportoi 350 milionë dollarë humbje, ndërsa "Washington Mutual", 1.1 miliardë dollarë. E vetmja që ka habitur, madje edhe analistët, ka qenë "JPMorgan", e cila ka folur për një fitim prej 2.4 miliardë dollarësh. Edhe "Bank of America" pritet të paraqesë një bilanc jo të kënaqshëm të hënën, kur edhe ka paralajmëruar raportimin e saj semestral.