E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI, fjalim në OKB

Dinjiteti i njeriut, i krijuar nga imazhi i Zotit, duhet të jetë në qendër të veprimeve të Komunitetit Ndërkombëtar. Benedikti XVI, flet para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke kujtuar se si OKB-ja ka lindur pikërisht për të mbrojtur të drejtat njerëzore, që tragjeditë e viteve 1900 i kishin dhunuar hapur. Përballë sfidave të reja të së tashmes, do të ishte një gabim i madh mbajtja e qëndrimeve pragmatike, dorëzimi te relativizmi, sipas të cilit, kuptimi dhe interpretimi i të drejtave mund të variojë dhe universaliteti i tyre mund të mohohet në emër të lëshimeve të ndryshme kulturore, politike, sociale e madje edhe fetare. Por, objektivat themelorë të OKB-së dhe ato të kishës, koincidojnë. Kështu, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e ka prezantuar para Asamblesë Kombëtare Benediktin XVI dhe e ka ftuar më pas të marrë fjalën. Sekretari i Përgjithshëm ka cituar një seri objektivash, duke filluar nga paqja e siguria e deri te zhvillimi dhe të drejtat njerëzore. Duke u thelluar në detaje, Sekretari i Përgjithshëm ka përcaktuar edhe pikat kyçe të një misioni të përbashkët, sfidën e tmerrshme kundër varfërisë, mospërhapjen e armëve bërthamore, paqen e bazuar mbi respektimin e të drejtave të të gjithëve, burimet hidrike dhe ndryshimet klimaterike. Veç të tjerash, Ban Ki Mun ka përmendur edhe dialogun mes feve, kulturave, që shkon përtej politikës dhe strategjive shumëpalëshe për t‘iu përgjigjur sfidave të kësaj bote komplekse dhe në ndryshim të vazhdueshëm. Benedikti XVI mbërriti në Kombet e Bashkuara, etapa e parë kjo e tri ditëve në Nju Jork, që do të kulmojnë të dielën me një meshë në stadiumin "Yenkee". Ati i Shenjtë u prit në hyrjen e Pallatit të Xhamtë nga Sekretari i Përgjithshëm dhe nga Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Srgjan Kerim. Më pas, pati një takim me dyer të mbyllura mes Ban Ki Munit dhe Benediktit XVI, ku ky i fundit ka vendosur firmën e tij në "Librin e artë", shoqëruar nga një citim i Biblës, "Paqja do të jetë vepër e drejtësisë". Duke u kthyer edhe më herët, Papa Benedikti zbriti në aeroportin "Kenedi" të Nju Jorkut herët në mëngjes dhe u prit në pistë nga arkipeshkvi i Nju Jorkut, Eduard Egan, nga guvernatori Dejvid Paterson dhe kryebashkiaku Majkëll Blumberg. Më pas, në bordin e një helikopteri ai u dërgua në Manhatan dhe u përcoll në selinë e Kombeve të Bashkuara nga një vargan limuzinash, nën masa të rrepta sigurie. Benedikti XVI është Papa i tretë që viziton Kombet e Bashkuara. Para tij, atje kanë shkelur Papa Paolo VI, në 1965-ën dhe Gjon Pali II në 1979-ën dhe 1995-ën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›