Kriza e çmimeve, prioritet i Kombeve të Bashkuara
Rritja e kostos së ndihmave në ushqime për vendet e varfra të globit, do të jetë në krye të axhendës së Kombeve të Bashkuara, kur Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun, të takohet me shefat e agjencive në Zvicër, gjatë këtij muaji. Sipas një zëdhënëseje të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun do të drejtojë një takim të përvitshëm të shefave të agjencive të Kombeve të Bashkuara në kryeqytetin zviceran, Bernë, më 28 dhe 29 prill. "Pikat kryesore në axhendë do të jenë kriza e ushqimeve dhe ndryshimet klimaterike. Do të kërkohen mënyrat e zgjidhjes së situatës së krijuar", tha zëdhënësja. Çmimet e larta, të ngritura në qiell nga të korrat e këqija dhe çmimet rekord të naftës, kanë nxitur protesta dhe dhunë në vendet e varfra dhe ato në zhvillim. Më të ashpra këto protesta ishin në Haiti dhe Indonezi, si edhe në vendet që varen nga eksportet për furnizimet me ushqime. Xhozet Shiran, që kryeson Programin Botëror të Ushqimit, agjenci kjo e Kombeve të Bashkuara dhe Zhak Diouf, drejtor i Përgjithshëm i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), do të jenë ndër pjesëmarrësit në takimin e Bernës, që do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Programi Botëror i Ushqimit u kishte kërkuar fillimisht vendeve donatore 2.9 miliardë dollarë ndihma për këtë vit. Por, për shkak të rritjes së kostos së ushqimeve dhe naftës, agjencia lëshoi edhe një tjetër apel emergjence në fund të shkurtit, për 500 milionë dollarë më tepër, për të ndihmuar mbi 73 milionë njerëz të uritur në 80 vende të botës. Që atëherë, çmimi që Programi Botëror i Ushqimit paguan për të blerë oriz tajlandez, ushqim bazë në shumë vende të varfra, është rritur nga 460 dollarë për ton në fillim të marsit, në 780 dollarë për ton tani. E si rezultat, do të duheshin akoma më shumë para për të shuar urinë. "Nuk mund të garantojmë se kjo shifër nuk do të ndryshojë sërish, pasi çmimet vazhdojnë të rriten", thanë drejtuesit e këtij Programi. Agjencia ka marrë deri më tani 900 milionë dollarë ndihma, që përbëjnë vetëm 20 për qind të nevojave të saj, prej të paktën 3.65 miliardë dollarësh në vit. Javën e shkuar, FAO paralajmëroi se protestat për ushqime, në vendet në zhvillim, do të përhapeshin anembanë botës, në rast se liderët e globit nuk do të ndërmerrnin hapa të vendosur për të ndalur këtë katrahurë. Por, ndërkaq, një lajm i mirë ka mbërritur. Franca ka premtuar se do të dyfishojë ndihmat këtë vit, duke e çuar buxhetin e destinuar për këtë qëllim në 94.5 milionë dollarë. Në fillim të kësaj jave, edhe Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, kishte urdhëruar akordimin e 200 milionë dollarëve ndihma për vendet e varfra. Popullata në rritje, rritja e konsumit të ushqimeve në ekonomitë në zhvillim si India apo Kina, si edhe moti i keq, duket se janë shkaqet që kanë ndikuar në këtë rritje të paprecedent të çmimeve të ushqimeve. Por, jo më pak fajtorë janë edhe biokarburantet që prodhohen nga drithërat dhe që supozohet se do të reduktojnë emetimin e karbonit në atmosferë. Shefi i FMN-së, Domenik Straus-Kahn, ka deklaruar se biokarburantet përbëjnë "një problem të vërtetë moral". Ai ka kërkuar madje një moratorium të biokarburanteve, duke thënë se përpjekjet për të luftuar ngrohjen globale duhet të balancohen me faktin se njerëzit do të vdesin nga uria.