Banka ndryshon rregullat për depozitat dhe kreditë
REDI GJUZI
Depozitat në sistemin bankar do të garantohen deri në 2.5 milionë lekë ose kundërvleftën në të gjitha valutat. Banka e Shqipërisë ka vendosur të propozojë zyrtarisht rritjen deri në 7 herë të garantimit të depozitave në sistemin bankar. E reja e propozimit nuk është vetëm rritja e vlerës së garantuar në rast të një falimentimi të bankave, por edhe diversifikimi i garancisë. Sipas të dhënave në mbledhjen e djeshme të Këshillit Mbikëqyrës është vendosur që të garantohen depozitat në të gjitha bankat. Pra, në rast se një person ka 2.5 milionë lekë në katër banka, atëherë i garantohen në të karta në rast se falimentojnë të gjithë. Nga ana tjetër në momentin e falimentimit, depozituesi që ka kursyer euro ose dollarë do të marrë paratë e tij në kundërvlerën e 2.5 milionë lekëve me kursin e këmbimit të kohës kur do ndodhë dëmshpërblimi. Sipas kursit zyrtar të bankës, dje një euro këmbehej me 129 lekë. Kjo do të thotë se garantimi i depozitave në euro sot është 19.300 euro. Në njoftimin zyrtar të bankës theksohet se e gjithë paketa që lidhet me veprimtarinë e ASD dhe sigurimin e depozitave, është një veprim i paraprirë në axhendën e ndryshimit të legjislacionit për përafrimin e tij me standardet e BE-së. Aktualisht ligji garanton 300 mijë lekë në 100 për qind të shumës dhe deri në 700 mijë lekë për 70 për qind të shumës.
Kreditë
Një tjetër ndryshim i bërë nga Këshilli Mbikëqyrës është ai për kreditë. Sipas bankës, rregullorja e re do t’i sigurojë kredimarrësit një informacion më të kualifikuar, nëpërmjet një procesi të krahasimit të ofertave që ofrojnë banka të ndryshme për të njëjtin produkt. Rregullorja vendos rregulla dhe kërkesa specifike në lidhje me informacionin që i jepet klientit për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare për individët. Pas hyrjes në fuqi të rregullores klienti ka të drejtë që të njihet me normën efektive të interesit që aplikon banka e tij si dhe me të drejtat që i takojnë atij në këtë proces kredimarrjeje. Sipas bankës, kërkesat e rregullores detyrojnë sistemin bankar të sigurojnë informimin e plotë të klientit para lëvrimit të kredisë, të të gjitha kostove që shoqërojnë klientin gjatë kohëzgjatjes së kredisë dhe të penaliteteve, në rast të mosrespektimit të kontratës, duke siguruar transparencë në tregun e transaksioneve që mbulon kjo rregullore. Rregullorja përcakton detyrimin për bankat në dhënien e informacionit parakontraktor dhe kontraktor. Informacioni parakontraktor i jep mundësi klientit të krahasojë ofertat para mbylljes së marrëveshjes së kredisë dhe konsistenca në informacionin e dhënë, bën të mundur që ky i fundit të vlerësojë përparësitë dhe mangësitë e kredisë konsumatore për banka të ndryshme. Ndërsa informacioni kontraktor përfshin kryesisht informacionin e dhënë në fazën parakontraktore, por tashmë në kushte specifike të kredimarrësit si dhe informacionin mbi të drejtën e tërheqjes nga marrëveshja e kredisë dhe të drejtën e shlyerjes më herët të saj.
2.5 milione
lekë është garantimi i depozitave në të gjitha bankat e propozuara nga Banka e Shqipërisë. E konvertuar në euro kjo shumë është 19.300 euro, ose rreth 25 mijë dollarë