E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori, ryshfet për të ulur dënimin

 

Etleva Delia

Një prokuror i Prokurorisë së Tiranës dyshohet se është përfshirë në afera korruptive për të ulur dënimin e një personi që gjykohej për trafik droge nga Krimet e Rënda. Bëhet fjalë për prokurorin Aleksandër Plepi, i cili dyshohet se ka pranuar 50 milionë lekë të vjetra, nga Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi. Personat që kanë paguar paratë, sipas policisë, janë kushërinjtë e Besnik Brrakës, i cili prej gati një muaji është dënuar me 14 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bënë të ditur se kanë qenë pikërisht kushërinjtë e Brrakës, ata që kanë denoncuar veprimin e prokurorit, pasi është marrë vendimi nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe i akuzuari për trafik droge nuk ka pasur lehtësimin e pritur. Pretenca për Brrakën ka qenë 18 vjet burg, ndërkohë që ai më 12 janar 2009 është dënuar vetëm me 4 vjet më pak dënimi që kërkoi organi i akuzës. Sipas policisë, kjo dyshohet të ketë qenë arsyeja që ka shtyrë të afërmit e të dënuarit, shtetasit Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi, për të denoncuar prokurorin Aleksandër Plepi. Por pas denoncimit, policia zgjeroi hetimin dhe të tre personat janë mbajtur në vëzhgim për gati një muaj nga Antikrimi Ekonomik. Të njëjtat burime sqaruan se prokurori Aleksandër Plepi kishte marrë përsipër uljen e dënimit të Brrakës, i akuzuar për trafik droge, pasi gjyqtarja kryesuese, e cila do të jepte vendimin, sipas policisë, ishte bashkëshortja e tij.
OPERACIONI
Një muaj hetime kanë bërë që dje të përfundojë me sukses operacioni “ndërmjetësimi”, si rezultat i të cilit janë ekzekutuar masat e sigurimit “arrest shtëpie” për tre persona, të akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Tiranës, e cila ka caktuar masën e sigurisë pasi ka shqyrtuar të gjitha provat e dërguara nga grupi hetimor. Në bazë të provave të mbledhura nga Antikrimi Ekonomik, si dhe dëshmive e denoncimeve, është zbuluar implikimi i prokurorit Aleksandër Plepi, në afera korruptive, si dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, i Arben Velikos dhe Panajot Dhiamandit.
VENDIMI PER BRRAKEN
Besnik Brraka u arrestua gjatë aksionit “Konsulli 2”, në prill 2005, me akuzën e trafikut të drogës. Të arrestuarit u dënuan më 12 janar të këtij viti me 35 vjet burg në total. Gjykata për Krimet e Rënda shpalli vendimin ndaj Besnik Brakës, Zamira Gjongecajt, Zamir Ferhatit dhe Tajar Leçinit. Pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Marsela Balili, e cila është bashkëshortja e prokurorit Aleksandër Plepil, shpalli fajtor dhe dënoi me 14 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë Besnik Brakën, ndërsa me nga 7 vite heqje lirie tre personat e tjerë. Verdikti i datës 12 janar i ka dhënë fund gjykimit për të dytën herë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për të pandehurit e mësipërm. Braka, Gjongecaj, Ferhati dhe Leçini u arrestuan në prill të vitit 2005 nga operacioni “Konsulli2”, të akuzuar për trafik droge.

TE AKUZUAR

1. Aleksandër Plepi,
35 vjeç, me arsim të lartë, Prokuror në Prokurorinë e Tiranës

2. Arben Veliko,
42 vjeç, lindur e banues në Vlorë

3. Panajot Dhiamandi,
33 vjeç, lindur e banues në Vlorë

Prokurori në arrest shtëpie, akuza pasi s‘mbajti premtimin

TIRANE – Të afërmit e të akuzuarit Besnik Brraka, të cilët kishin premtuar 50 milionë lekë të vjetra për uljen e dënimit të tij, duket se nuk e kanë pritur mirë verdiktin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Në këtë mënyrë, menjëherë pas dënimit të dhënë nga trupi gjykues për Besnik Brrakën, duke parë se ulja që ata kishin pretenduar nuk ishte bërë realitet, personat që kishin premtuar paratë janë paraqitur në polici ku kanë bërë denoncimin përkatës. Menjëherë pas kësaj, agjentët e Antikrimit Ekonomik dhe Korrupsionit kanë filluar veprimet proceduriale, duke mbajtur në përgjim të gjithë personat që po zhvillonin biseda mes tyre, për pagesën e parave dhe tentativën për t’i ulur dënimin të arrestuarit me akuzën e trafikimit të drogës. Survejimi i prokurorit dhe personave me të cilët ai ka mbajtur kontakt, si dhe përgjimi i bisedave telefonike dhe ambjentale, mësohet se ka ndihmuar grupin e hetimit në dokumentimin e veprës penale për të cilën po hetohej. Pas kësaj është kërkuar në gjykatë edhe masa e arrestit ndaj prokurorit dhe dy personave të afërm të Besnik Brrakës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›