Shkozet, zbulohet predha 120 kg
DURRES/ OERD ULQINI
Një predhë me kapacitet të lartë vrasës është gjendur në Durrës më mes të një zone të banuar. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në orën 22:00, kur një sy i kujdesshëm ka dalluar objektin, maja e të cilit kishte dalë mbi sipërfaqe. Lokalizimi i predhës është kryer fillimisht nga një kalimtar, i cili po kthehej në shtëpi duke përshkuar rrugën në anë të kanalit vaditës të Shkozetit. Dëshmitari ka dhënë menjëherë alarmin në lagje dhe pas pesë minutash efektivat e parë të policisë së Durrësit kanë mbërritur në vendngjarje. Me të bërë vlerësimin paraprak të predhës gjigande, që kalonte gjatësinë e 1 metri, policia ka njoftuar Njësinë Anti-eksploziv me qendër në Tiranë. Trupa e specializuar ushtarake ka mbërritur në Shkozet në orët e vona të natës, duke bërë me shumë kujdes transportin e municionit të rëndë. Vetë specialistët e trajnuar janë çuditur, kur kanë analizuar me detaje predhën që kishte gjatësi 110 cm dhe peshë 120 kg. Ajo ishte e ndryshkur por, sipas burimeve, lëndën plasëse e kishte të ruajtur mirë dhe shumë aktive. Sipas specialistëve, ½ e peshës totale të predhës përbëhej nga lënda plasëse, çka i jepte asaj një rreze vdekjeprurëse prej më shumë se 100 metrash. Mendohet se shirat e vazhdueshëm të periudhës janar-shkurt kanë gërryer shtratin e kanalit, duke zbuluar fillimisht majën e predhës. Mësohet se është bërë një kujdes i jashtëzakonshëm me këtë relike të Luftës së Dytë Botërore. Ai është dërguar në një poligon të specializuar, ku është bërë më pas edhe asgjësimi. Specialistët nuk kanë dyshim se predha është një prodhim i viteve 1939-1944, kur Shqipëria u bë arenë lufte. Enigma e vetme mbetet saktësimi nëse bëhej fjalë për predhë artilerie, apo për ndonjë bombë të paplasur të hedhur në Durrës nga aviacioni. Banorët e Shkozetit kanë marrë frymë të lehtësuar, kur kanë parë atë predhë të frikshme, që “flinte” në kanal prej dekadash, të transportohej më pas me kamionët e ushtrisë. Por njëkohësisht ata i druhen faktit se mos lëndë të tjera plasëse, të trashëguara nga Lufta e Dytë Botërore apo nga ‘97, fshihen pranë banesave. Policia ka nisur një hetim për të verifikuar faktin nëse gjetja e kësaj predhe është rastësore apo ajo është ndonjë sinjal i fortë për praninë e municioneve të tjera të rënda. Edhe herë të tjera në Durrës janë gjetur predha të përmasave gjigande, që datojnë Luftën e Dytë Botërore. Madje disa prej tyre janë zbuluar edhe në fund të detit, në basenin e portit apo në plazh. Vlen të theksohet se predhat e gjetura nga ekspedita daneze në thellësi të portit të Durrësit, afro tre vjet më parë, ishin të përmasave të ngjashme me atë të lokalizuar së fundmi në Shkozet.