Katastrofë! Sfumohet ëndrra për kualifikim
Jetmir Halilaj
Katastrofë! Një skuadër pa bosht dhe një trajner që nuk e njeh ekipin, kanë gatuar çorbën e radhës, duke zhgënjyer shqiptarët dhe duke sfumuar ëndrrën e kahershme për të marrë pjesë në një kompeticion ndërkombëtar.
Shqipëria barazoi 0-0 në mënyrë shumë të shëmtuar, në atë që cilësohej si ndeshja vendimtare për të ardhmen e skuadrës tonë në këtë edicion. Kuqezinjtë treguan edhe njëherë se janë shumë mbrapa dhe se kemi bërë hapa pas. Jo vetëm sepse nuk fituam ndaj një kundërshtari më të dobët se ne, por sepse skuadra jonë përfaqësuese u rikthye në lojën mediokre, madje në pjesën e dytë u shfaq inferiore ndaj një skuadre si Malta, që për hir të së vërtetës nëse fitonte, do ta meritonte plotësisht suksesin. Një pjesë e parë shpresëdhënëse që për fat të keq u katranos në pjesën e dytë, kur skuadra u shthur taktikisht, duke rrezikuar edhe humbjen. Maltezët e nisën mirë ndeshjen, por rezistuan vetëm pak minuta, pasi kuqezinjtë arrijnë të marrin kontrollin e lojës dhe megjithëse sporadikisht, tentojnë të gjejnë rrugën e golit dhe është Bulku ai që tenton me një gjuajtje nga distanca, por topi përfundon në duart e portierit. Shpërthimet e debutuesit Gilman Lika dhe kombinimet e tij me Skelën krijuan idenë se goli i avantazhit ishte thjesht çështje minutash, por ishte një panoramë e rreme, pasi Shqipëria e ka të vështirë të gjejë golin, madje edhe kur Bogdani ka një rast të artë në minutën e 32-të. Shtatlarti shqiptar merr një krosim nga Skela, por nxitohet dhe ia përplas topin në trup portierit kundërshtar, duke humbur rastin më të mirë të kuqezinjve në këtë ndeshje. Ndërkaq edhe Malta tregoi se ishte ajo që luante në fushën e vet dhe rrezikoi me një gjuajtje të Sherrit, por Hidi priti pa probleme.
Pjesa e dytë
Në pjesën e dytë pritej që kuqezinjtë të dilnin me ide më të qarta, por as vizita “blic” e Dukës dhe e Nurit në dhomat e zhveshjes nuk bënë asnjë efekt, përkundrazi. Ishte Malta ajo që dominoi thuajse tërësisht në fraksionin e dytë të lojës, duke krijuar më tepër volum loje dhe padyshim raste më të pastra për të shënuar, por sulmuesët e skuadrës kundërshtare konfirmuan denjësisht se ishin pjesë e një skuadre, pak më shumë se amatore. Mifsud në minutat 48’, 60’ si dhe Sherri në minutën e 58’ humbasin mundësi të arta për të shënuar në portën e mbrojtur nga Hidi. Ndërkaq ekipi ynë, as mbron dhe as sulmon. Ka gabime të shumta në pasime. Vrapi, një ndër më të mirët në pjesën e parë dhuron topa të frikshëm për kundërshtarët. Skela dhe Duro për asnjë moment nuk merren vesh mes tyre, madje në shumë raste e teprojnë me mbajtjen e topit. Bogdani ndihet tërësisht i shkëputur në repartin e avancuar. Ari Han ndërkaq, i befason të gjithë, kur në vend të Vangjelit të futur në pjesën e dytë, hedh në fushë një mbrojtës, Andi Lilën. Aty tregoi se te Shqipëria e tij nuk ka asgjë holandeze, përkundrazi mendon vetëm të mbrojë rezultatin, pasi e di mirë se një humbje ndaj Maltës do t’i kushtonte vendin e punës. Edhe kjo tentativë e tij për të mbrojtur rezultatin rezulton pa efekt, pasi vendësit sërish rrezikojnë portën tonë. Aktivizimi i Berishës në minutat e fundit nuk ndryshon asgjë. Kjo ishte padyshim një nga ndeshjet kur Ari Han duhet të tregonte se çfarë ishte në gjendje të bënte dhe dështoi.
MALTË-SHQIPËRI 0-0
Eliminatoret e Botërorit
Stadiumi Kombëtar “Nazzjonali”, Ta’Qali, Maltë
MALTA: Haber, A. Agius, Dimech, G.Agius (87’ Fenech), Bajada, Samut, Koen, Muskat (82’ Failla), Skembri, Skeri (70’ Brifa), Mifsud. Trajner: Dushan Fitzel
Në stol: Hog, Azopardi, Said, Faila, Triganza.
SHQIPËRIA: Hidi, Dallku, Beqiri, Curri, Agolli (46' Vangjeli, 80' Lila), Duro, Lika, Skela, Bulku, Vrapi, Bogdani (75' Berisha). Trajner: Ari Han
Në stol: Ujkani, Bakaj, Salihi, Sukaj
Gjyqtarë: Alexandru Deaconu, George Vidan, Eduard Dumitresku (Rumani)
Kartonë të verdhë: Agolli 14', Vrapi 49', Lila 85'
Kuqezinjtë humbasin 5 mijë euro
Lojtarët e Kombëtares shqiptare, përveçse lanë dy pikë mbrëmë ndaj Maltës, humbën edhe nga 5 mijë euro secili. Në fakt, kjo shumë ishte premtuar si shpërblim nga ana e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit për çdo lojtar në rast fitoreje ndaj Maltës. Një shumë e majme, por që për çudi nuk arriti t’i motivonte lojtarët e përfaqësueses kuqezi, që nuk u munduan shumë për të futur në xhepat e tyre shumën në fjalë. Bëhej fjalë për një nga shpërblimet më të majme të caktuar nga FSHF-ja për një fitore të kuqezinjve dhe për më tepër ndaj një rivali modest si Malta.
Trajneri rrezikon postin
Pas asaj paraqitjeje zhgënjyese të kuqezinjve, Ari Han rrezikon seriozisht postin e trajnerit të Kombëtares shqiptare. Gabimet e shumta të bëra nga trajneri holandez i përfaqësueses gjatë ndeshjes me Maltën kanë lënë një shije të hidhur tek të gjithë dhe sidomos të drejtuesit e FSHF-së. Këta të fundit kanë qenë shumë të mërzitur mbrëmë, teksa kanë parë Kombëtaren që të barazojë me skuadrën më të dobët të grupit dhe ndaj të cilës nuk pritej rezultat tjetër veç fitores. Presidenti Duka është shfaqur i pezmatuar në përfundim të ndeshjes dhe mësohet se nuk ka qenë shumë i kënaqur. Kjo sepse trajneri gaboi më shumë se të gjithë.
Ari Han: Duhet të kënaqemi me barazimin
Jetmir Halilaj
Shqipëria dështoi në ndeshjen e saj vendimtare, por sipas Ari Hanit, shqiptarët duhet të kënaqen edhe me barazimin.
Kjo është ajo që trajneri i përfaqësueses tonë deklaroi pas barazimit pa gola dje ndaj Maltës. Holandezi pohoi se gjithçka shkoi keq, sidomos në pjesën e dytë, por për asnjë moment nuk mori përgjegjësi mbi vete. “Më vjen keq që nuk arritëm të merrnim të fitonim, sepse ky ishte një rast i mirë për ta bërë një gjë të tillë – ka thënë Han për ‘Supersport’ – Ishte një ndeshje ku gjithçka shkoi keq dhe për mënyrën se si rrodhi loja në pjesën e dytë, mund të them se duhet të jemi të kënaqur edhe me barazimin, pasi mund të kishim humbur”. I pyetur për zëvendësimin e çuditshëm të Vangjelit (hyri në pjesën e dytë në vend të Agollit), dhe në vend të tij futi Lilën, Han pa ndrojtje, pohoi se kishte frikë nga humbja. “Vangjelin e zëvendësova, pasi ai nuk po përshtatej dot në fushë. Nga mënyra se si shkoi loja, mund të them se ishte e rrezikshme që në vend të Vangjelit të fusja një sulmues, sepse në ato momente ishte Malta ajo që zotëronte topin dhe aktivizimi i një sulmuesi mund të ishte vetëvrasje për ne. Në pjesën e dytë gjërat shkuan në mënyrën më të keqe të mundshme për ne. Loja nga krahët nuk funksionoi, ndërkohë që edhe pasimet e topave në lartësi për Bogdanin, thuajse gjithnjë ishin të gabuar. Shkoi keq, por edhe mund të kishim humbur”, ka deklaruar Hani. Ai ka përgëzuar lojën e Gilman Likës për këtë ndeshje, duke thënë se mesfushori shkodran bëri një paraqitje të kënaqshme në pjesën e parë. Ai pohoi se skuadra e tij doli jashtë detyrave taktike.
Deklarata
Pak javë para ndeshjes së djeshme, në një intervistë të dhënë për një të përditshme shqiptare, trajneri i Kombëtares pati deklaruar se një rezultat tjetër veç fitores në ndeshjen ndaj Maltës do të ishte një katastrofë e vërtetë për Shqipërinë dhe për të ardhmen e saj në këtë edicion. Dje skuadra, por sidomos ai, nuk arriti ta shmangte një situatë të tillë, por tekniku nuk e përmendi më fjalën “katastrofë”, thjesht u mjaftua duke u thënë të gjithë shqiptarëve se ata duhet të kënaqen edhe me një barazim...ndaj Maltës. Trajneri deklaroi se do të luante një lojë sulmuese, por një gjë e tillë nuk ndodhi, madje ekipi i tij u shthur taktikisht, gjë të cilën e pohoi edhe vet holandezi. Ndërkaq, edhe senatorët e skuadrës, si Skela, Duro dhe Bogdani, të cilët kishin peshën kryesore mbi shpatulla, nuk arritën të evitonin një paraqitje zhgënjyese si ajo e djeshmja.
“Shqipërisë i bllokova mesfushën”
Trajneri i skuadrës së Maltës, Dushan Fitzel është shprehur i kënaqur pas ndeshjes dhe ka thënë se skuadra e tij e meritoi pikën e marrë kundër Shqipërisë. Ai është mburrur me faktin që arriti të zhbalanconte mesfushën e Shqipërisë, që konsiderohet edhe pika më e fortë e kuqezinjve. “Jam i kënaqur me sistemin e aplikuar për herë të dytë nga ekipi ynë nga një ndeshje ndërkombëtare – ka thënë trajneri çek i Maltës pas ndeshjes – Skema jonë 4-1-4-1 rezultoi efikase. Ky modul i vendosjes së lojtarëve në fushë, mundësoi neutralizimin e mesfushës shqiptare në pjesën e dytë. Kjo na ndihmoi shumë, pasi dihet që reparti më i mirë i Shqipërisë është ai i mesfushës. Gjatë pjesës së parë u desh kohë që skuadra të zbatonte me përpikmëri këtë sistem loje dhe u vumë disa herë në vështirësi. Loja në këtë ndeshje ishte e barabartë dhe në pjesën e dytë rastet më të pastra i kishim ne. Mund të kishim fituar, nëse do të kishim qenë më të saktë para portës, por unë mendoj se lojtarët duhet t’i përgëzojmë për këtë paraqitje”.
Vendi i parë
Shqipëria humbi mbrëmë mundësinë e artë për t’u ngjitur për të paktë një muaj në vendin e parë të Grupit 1 në eliminatoret e Botërorit. Nëse do të kishin mundur Maltën, kuqezinjtë do të ngjiteshin në kuotën e 8-të pikëve, duke parakaluar Danimarkën, që aktualisht kryeson Grupin 1 me 7 pikë në 3 takime. Shqipëria ngjitet përkohësisht në vendin e tretë me 6 pikë, duke u ngjitur mbi Potugalinë, që ka 5 pikë. Maltë-Shqipëri ishte takimi i vetëm në Grupin 1 i luajtur mbrëmë, teksa ndeshjet e ardhshme të Grupit 1 do të luhen në fund të muajit mars.
Skela kapiten
Ervin Skela mbajti shiritin e kapitenit në Kombëtare për të dytën herë, por mesa duket nuk ishte e thënë që t’i sillte shans Shqipërisë. Mesfushori e mbajti shiritin në mungesë të kapitenit Altin Lala dhe zëvendëskapitenit, Lorik Cana. Gjithsesi, Kombëtarja barazoi mbrëmë ndaj Maltës, ashtu siç bëri edhe në miqësoren e fundit ndaj Azejbajxhanin në Baku në muajin nëntor 2008, ku ishte po Skela ai që mbajti shiritin e kapitenit. Mesa duket Skela nuk i sjell fat kuqezinjve si kapiten.
Treshja rumune
Takimi Maltë-Shqipëri është drejtuar nga treshja e gjyqtarëve me kryesor Alexandru Deaconu dhe asistentë George Vidan e Eduard Dumitresku. Ndeshja nuk ka pasur probleme disiplinore dhe gjykimi i treshes rumune ka qenë më se korrekt. Lojtarët e Kombëtares shqiptare janë ndëshkuar me tre kartonë të verdhë dhe të trija rastet qëndronin. Nëse herët e tjera rezultatet jopozitive të Kombëtares kanë ardhur edhe për shkak të gjykimi jokorrekt, mbrëmë kuqezinjtë nuk kishin asnjë alibi për gjyqtarët.