Policia shqiptare: Liljana Kondakçi nuk është person në kërkim nga ne
TIRANE – Policia dhe Interpol Tirana pohuan dje se nuk e kanë vendosur në listën e të kërkuarve emrin e këngëtares Liljana Kondakçi, pasi autoritetet policore italiane nuk kanë dërguar në Tiranë asnjë kërkesë për këtë qëllim. Dy ditë më parë, gazeta italiane “Gazzetta del Sud”, shkruante se këngëtarja shqiptare e muzikës së lehtë, kërkohet në të gjithë Evropën për trafik të substancave narkotike. Në artikull pretendohej se këngëtarja 56-vjeçare, e konsideruar në Shqipëri si pasuri kombëtare, është përfshirë në rrjetin e koduar “Skodër”, si pjesë e të cilit është shpallur person në kërkim ndërkombëtar. Mirëpo Interpol Tirana dhe policia shqiptare nuk kanë asnjë njoftim nga pala italiane. Sipas burimeve zyrtare nga policia e shtetit dhe nga Interpol Tirana, në këto institucione nuk ka asnjë urdhër arresti ndaj këngëtares së njohur të viteve `80. Edhe burimet zyrtare nga Prokuroria konfirmuan se nga pala italiane nuk është referuar asnjë material kallëzues apo letërporosi që lidhet më këngëtaren Liljana Kondakçi apo akuzat që asaj i adresohen nga mediat italiane. Policia dhe Interpol Tirana konfirmojnë se në rrugë zyrtare nuk kanë marrë asnjë komunikim për këngëtaren, duke pohuar se ajo është e lirë të lëvizë si të gjithë qytetarët tjerë. f.m