E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombola e gazit merr flakë, rrezikon shkollën 9-vjeçare

 

SHKODER - Një pakujdesi në përdorimin e një bombole gazi, për pak sa nuk është shndërruar në një tragjedi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të ditës së djeshme, në shkollën 9-vjeçare “Ruzhdi Daca” në lagjen Bahçallëk të qytetit të Shkodrës. Sapo ka mbaruar ora e parë e mësimit, dhe kur mësuesit dhe nxënësit ishin në pushimin mes orëve të mësimit, në sallën e Këshillit Pedagogjik njëri nga mësuesit ka tentuar të ndezë ngrohësin me gaz. Por nga pakujdesia është hapur së tepërmi rubineti i bombolës, duke provokuar një zjarr. Me shpejtësi është ndërhyrë, duke u mbyllur menjëherë rubineti, ndërsa për fat flakët nuk shkaktuan pasoja. Pas këtij veprimi, bombola është flakur nga frika e mëtejshme në oborrin e shkollës. Në një kohë rekord në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikësit, të cilët kanë bërë neutralizimin total të rrezikut nga bombola. Ata kanë konstatuar se bombola nuk ka shpërthyer, por ka marrë zjarr vetëm pjesa e tepërt e gazit të dalë nga rubineti i saj nga pakujdesia e personit që e ka ndezur. Kjo situatë për fat ka kaluar pa probleme për stafin pedagogjik apo nxënësit, por ka sjellë dhe një herë në vëmendje rrezikun që u kanoset atyre nga një pakujdesi. Në çdo shkollë të qytetit të Shkodrës, nxënësit ngrohen me gaz ndërsa një pjesë e tyre me dru. Për pasojë lipset që të ushtrohet një kontroll më i madh dhe sa më rigoroz në inspektimin e pikave të tregtimit me shumicë dhe me pakicë të gazit të lëngshëm, me qëllim evitimin e situatave të tilla që të mos kthehen në tragjedi në të ardhmen. Me anë një të rregulloreje ndalohet rreptësishtë, ngrohja me gaz në kopshtet e fëmijëve, ndërsa në shkolla kjo nuk ekziston, në pamundësi të sigurimit të burimeve të tjera për ngrohje.               r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›