Bashkia nxjerr çmimet e produkteve ushqimore në tregje
Publikohen çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të shportës së artikujve ushqimorë dhe fruta-perimeve për tregjet e kryeqytetit
Bashkia e Tiranës në vijim të aksionit të ndërmarrë prej saj për të mos lejuar shtrenjtimin abuziv të produkteve ushqimore me rastin e festave të fundvitit, publikon çmimet me shumicë dhe pakicë të mallrave të shportës ushqimore dhe fruta-perimeve në tregjet e kryeqytetit. Më konkretisht, Bashkia ka afishuar çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë për sheqerin, orizin, makaronat, vajin, bukën, djathin, qumështin, vezët, kafen, miellin, që variojnë sipas tregjeve. Kështu, sipas krahasimeve të bëra rezulton se në tregun e ‘Uzinës Dinamo’, çmimet e produkteve ushqimore janë më të ulëta karshi atij të ‘Pazarit të Ri’ dhe tregut te ‘Qyteti i Nxënësve’. Po kështu, e njëjta luhatje çmimesh në tregjet e shumicës vihet re edhe me fruta-perimet. Por, krahasuar me tregjet e lagjeve, çmimet e produkteve ushqimore janë disa herë më të larta se në ato të shumicës. Përpos publikimit të çmimeve, Task-Forca e Bashkisë së Tiranës po vazhdon monitorimin intensiv të tregjeve të kryeqytetit me qëllim parandalimin e rritjes abuzive të tyre. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Drejtoria e Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës dhe Policia Bashkiake ishin dje përsëri në tregun me shumicë në “Uzinën Dinamo”. Në mbështetje të aksionit të nisur prej ditësh nga Bashkia e Tiranës, në inspektimet e djeshme e pranishme ishte edhe Drejtoria Rajonale e Tatimeve, të cilët kanë ushtruar kontrolle të shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të shportës, por edhe fruta-perimeve. Falë thirrjes së Bashkisë së Tiranës, pikat e shitjes me shumicë kishin afishuar listën e çmimeve si dhe tregtonin mallrat të shoqëruara me faturat tatimore. Nga ana tjetër, Task-Forca e Bashkisë së Tiranës po vijon monitorimin në të gjitha tregjet me shumicë dhe pakicë, si dhe në supermarketet e Tiranës. Në mënyrë të përditshme merret informacion mbi çmimet dhe luhatjen e tyre. Bashkia e Tiranës bën të ditur se për çdo rast abuzimi me çmimet do të merren të gjitha masat siç parashikohen në ligj, sikundër emrat e subjekteve dhe drejtuesve të tyre do të bëhen publikë në media. Bashkia e Tiranës deklaron se është e vendosur të mos cenojë për asnjë çast rregullat e tregut të lirë, por do të mbrojë pa asnjë hezitim konsumatorët nga çdo lloj abuzimi ndaj tyre.