E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka qendrore nuk ndryshon normën e interesit

Autori i Lajmit: red.
Këshilli Mbikëqyrës

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të mos ndryshojë normën bazë të interesit në nivelin 5.75 për qind, për të shmangur rreziqet e inflacionit më afatgjatë, por edhe për të ruajtur stabilitetin financiar në vend, tani që rreziqet për ekonominë janë shtuar.
Si po ndihet kriza
Treguesit e besimit të biznesit dhe të konsumatorit, shtrëngimi i kushteve të financimit të ekonomisë, ecuria e agregatëve monetarë dhe disa tregues specifikë të performancës fiskale sugjerojnë se edhe ekonomia shqiptare ka njohur një ngadalësim të ritmit të rritjes gjatë tremujorit të parë të vitit, në linjë me zhvillimet në ekonomitë e vendeve te rajonit. Megjithatë, ekuilibrat kryesorë makroekonomikë dhe financiarë të vendit mbeten solide.
Inflacioni
Inflacioni vjetor në muajin prill të vitit 2009 rezultoi 1.9 për qind, duke qenë pranë kufirit të poshtëm të intervalit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Rënia e inflacionit vjetor në katër muajt e parë të vitit është shkaktuar nga dobësimi i presioneve inflacioniste, si nga ana e kostove dhe nga ana e kërkesës. Rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar u reflektua në çmime më të ulëta prodhimi dhe importi. Aktiviteti tregtar me jashtë ka shënuar rënie të eksporteve dhe të importeve. Megjithatë, deficiti tregtar i vendit vazhdon të mbetet i lartë, duke shënuar madje një zgjerim vjetor prej 4.8 për qind gjatë tremujorit të parë të vitit. Ky zgjerim pasqyron edhe kërkesën e lartë të ekonomisë për mallrat e importit të lidhur kryesisht me projektet e infrastrukturës në vend. Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje këtë tregues, duke vlerësuar implikimet e tij për zhvillimin ekonomik të vendit në një periudhë afatgjatë dhe duke faktorizuar qëndrueshmërinë afatgjatë të pozicionit të jashtëm në vendimmarrjen e saj.
Treguesit fiskalë
Treguesit fiskalë janë karakterizuar nga rritja e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore. Megjithatë, rritja më e shpejtë e shpenzimeve ka bërë që deficiti buxhetor të zgjerohet gjatë katër muajve të parë të vitit. Në masën më të madhe, ky deficit është mbuluar nga të ardhurat e privatizimit dhe nga financimi i huaj. Megjithëse deficiti buxhetor mbetet brenda parametrave të programuar, ecuria e mëtejshme e tij duhet të monitorohet me kujdes për të bërë të mundur një ecuri të balancuar të të ardhurave dhe të shpenzimeve buxhetore dhe reduktimin e ndikimit të deficitit buxhetor në tregun e brendshëm financiar. Në tremujorin e parë të vitit 2009, zgjerimi monetar ka vijuar të ngadalësohet. Krijimi i parasë u mbështet kryesisht nga kreditimi i sektorit privat si dhe rritja e financimit të sektorit publik, e cila është reflektuar në rritjen e mjeteve të brendshme monetare. Gjatë kësaj periudhe, kredia për ekonominë shënoi ngadalësim të mëtejshëm të ritmit të rritjes. Portofoli i kredisë vazhdon të dominohet nga kreditimi i bizneseve. Ndërkohë që pjesa më e madhe e portofolit të kredisë është në valutë. Gjithsesi zhvillimet e tremujorit të parë nënvizojnë interesin në rritje të bankave dhe bizneseve për kreditimin në lekë. Gjatë muajit prill, Banka e Shqipërisë ka vijuar të jetë e pranishme në tregun e parasë nëpërmjet injektimit të likuiditetit me repo javore dhe tremujore. Këto duket të kenë ndikuar në rritjen e vëllimeve të shkëmbyera në tregun ndërbankar. Pavarësisht uljes së presioneve për likuiditet, ecuria e yielde-ve në tregun primar ka ndjekur prirjen rritëse të muajve të parë të këtij viti, duke evidentuar rritje të primeve të rrezikut për interesat afatgjata. Në muajin mars, normat e interesit të depozitave në lekë kanë regjistruar një rritje të lehtë si pasojë e ofertave promocionale të bankave për depozitat afatshkurta, në përgjigje të një konkurrence më të lartë në treg për thithjen e likuiditeteve. Interesi mesatar i peshuar për kreditë e reja në lekë në tremujorin e parë ka qenë relativisht më i lartë, duke ndjekur ecurinë e yield-it të bonove të thesarit dhe kushtet e likuiditetit në sistem.

Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›