Majko: “Si do të jetë programi i ri politik i Partisë Socialiste”
Pas vendimit të Kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare, Partia Socialiste ka nisur të projektojë hartimin e programit të ri politik. Një grup i posaçëm pune, i cili kryesohet nga vetë kryetari i PS-së, Edi Rama, do të ketë për objektiv hartimin e këtij programi. Në këtë grup bën pjesë edhe deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PS-së, Pandeli Majko, i cili gjatë një interviste televizive, ka zbuluar disa prej pikave kryesore që do të bëjnë pjesë në programin e ri politik të Partisë Socialiste. Majko ka theksuar se në këtë program do të përfshihen edhe çështje, të cilat zënë vend në programet e partive të djathta, por, sipas deputetit socialist, një gjë e tillë ndodh pasi qeveria nuk ka bërë asgjë për të ofruar zgjidhje për këto problematika. Ndër to, deputeti socialist ka përmendur çështjen e pronarëve dhe çështjen e legalizimeve, për të cilat tashmë PS-ja ka nisur t’i kushtojë një vëmendje të veçantë, duke i projektuar në programin e saj politik.
Programi
Programi i ri Politik i Partisë Socialiste konsiderohet një domosdoshmëri në kushtet aktuale, kur ajo i konsideron të papranueshme zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Majkos, ka ardhur koha që votuesit duhet të votojnë pro ose kundër një projekti, dhe jo pro ose kundër dikujt. Anëtari i Kryesisë së PS-së tha se ky program politik ka për qëllim që të rikuperojë marrëdhëniet e plasaritura midis votuesve dhe politikës. “Ne këtë po e zhvillojmë sepse kemi kuptuar thelbësoren e asaj që po zhvillohet aktualisht në Shqipëri, marrëdhënia e plasaritur deri në kufijtë e imoralitetit që ekziston midis votuesve dhe politikës në Shqipëri”, - theksoi Majko.
Çështjet
Pronarët, Legalizimi, Urbanizimi apo lëvizja demografike janë çështjet që gjatë 18 viteve pluralizëm kanë zënë vend vetëm në programet politike të partive të djathta në Shqipëri. Por duket se tashmë këto çështje jetike dhe problematika shqetësuese për popullsinë shqiptare do të përfshihen edhe në axhendën e partive të majta, konkretisht në programin e ri politik të Partisë Socialiste. Sipas anëtarit të Kryesisë së PS-së, Pandeli Majko, një gjë e tillë ndodh në kushtet kur qeveria e djathtë nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e tyre. “Tanimë edhe më naivët e kuptojnë se shteti shqiptar, në marrëdhëniet me pronën dhe me pronarët, pa përmendur ish-pronarë, ka kryer dhe është në kufijtë e një krimi të mirëfilltë ekonomik. Ka elemente të tjera, të cilat kjo qeveri nuk po di t’u japë përgjigje, siç është çështja e urbanizimit e popullsisë shqiptare, një çështje e cila është trajtuar në mënyrë shumë të përciptë me trajtimin politik të çështjes së legalizimeve. Sigurisht që kjo është një pjesë shumë e rëndësishme, por duhet të themi se çështja e lëvizjes së njerëzve nga fshati në drejtim të qytetit ende nuk ka filluar mirë”, - deklaroi ai.
Krahasimi
Anëtari i Kryesisë dhe deputeti i Partisë Socialiste ka krahasuar marrëdhëniet e së majtës dhe së djathtës së sotme shqiptare, me marrëdhëniet politike të dy rivalëve në vitet ‘30 në Shqipëri, përkatësisht mbreti Zog dhe Fan Nolit. Sipas Majkos, e majta shqiptare e ka gjenezën te Fan Noli, ndërsa e djathta te Mbreti Zog. “Mund të duket e tepruar në momentin që flasim, por rivarrosja në tokën shqiptare, që për mua është mëse normale, e dy figurave të veçanta të historisë politike të Shqipërisë, siç janë Fan Noli dhe Ahmet Zogu, duhen kuptuar qartë. Zogu në thelb përbën gjenezën e së djathtës në Shqipëri, ashtu si Noli, i cili është gjeneza e së majtës. Këto dy figura mbeten aq të çuditshme përballë njëra-tjetrës, ashtu siç mbetet e çuditshme marrëdhënia midis së majtës dhe së djathtës sot në Shqipëri. Kemi Zogun nga kryeministër-president dhe president-kryeministër u bë mbret i Shqipërisë, dhe Nolin, i cili u orientua fillimisht në drejtim të Bashkimit Sovjetik dhe më pas në drejtim të SHBA-ve, në mënyrë apo në një tjetër është edhe rruga që ka ndjekur e majta pas viteve ‘90. Jemi në një terren që kërkon refleksione të thella”, - tha Majko.
20 Tetor 2009