E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjerman zbeh shpresat e qeverisë për liberalizimin e shpejtë të vizave

Borkard: “Komisioni do të bëjë rekomandim për liberalizim në verën e vitit 2010”

Eljona Ballhysa
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borkard, ka deklaruar dje se procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të jetë i shpejtë, ashtu sikurse pretendohet nga qeveria shqiptare. Në një intervistë për TV “Vizion plus”, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë ka bërë të ditur se Komisioni Europian do ta shqyrtojë propozimin për liberalizimin e vizave për shqiptarët vetëm gjatë verës së vitit të ardhshëm. Më pas procesi zgjatet, pasi pritet miratimi nga vendet anëtare të BE-së. Përsa i përket kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, ambasadori Borkard është shprehur se Gjermania e mbështet këtë kërkesë, por, sipas tij, vonesat në shqyrtimin e kësaj kërkese kanë ardhur jo për shkaqe politike, por për shkaqe teknike. Ai shpjegoi se gjatë kësaj periudhë Gjermania konstituoi Parlamentin e ri. Nëpërmjet kësaj deklarate, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë rrëzoi deklaratat nga Perëndimi, sipas të cilave, Gjermania po pengon shqyrtimin e kërkesës së qeverisë shqiptare për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrimin në Bashkimin Europian.
Liberalizimi
Gjatë një interviste për Vizion Plusin, ambasadori Borkard ka përcaktuar disa nga fushat në të cilat Shqipëria duhet të bëjë përmirësime të dukshme, probleme të cilat janë evidentuar edhe në Progres-Raportin e publikuar pak ditë më parë. Sipas tij, procedura që mund të ndiqet për Shqipërinë mund t’i ngjajë rastit të Maqedonisë, proces që kërkoi kohë për t’u miratuar nga vendet anëtare të BE-së. “Shqipëria duhet të bëjë më shumë në drejtim të kontrollit të kufijve apo në pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike, të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, si dhe të reduktojë fenomenin e pastrimit të parave. Komisioni do të bëjë rekomandim për liberalizmin e vizave verën e vitit 2010 dhe më pas vendet anëtare do të vendosin. Po t’i referohemi rastit të Maqedonisë, ky proces u mbyll, në mos gaboj, në nëntor; besoj edhe për Shqipërinë do të ndiqet e njëjta skemë”, - është shprehur ambasadori gjerman në Tiranë, Borkard.
Statusi
Lidhur me aplikimin e Shqipërisë për të përfituar statusin e vendit kandidat për në BE, ambasadori u shpreh se Gjermania nuk ka kundërshtim ndaj këtij procesi. Sipas tij, janë çështje teknike, dhe jo politike ato që e shtynë shqyrtimin e kërkesës së bërë që në muajin qershor nga qeveria shqiptare. “Teknikisht funksionon që Bashkimi Europian do të kërkojë më shumë detaje për reformat e kryera në vend. Kjo analizë do të marrë të paktën një vit kohë. Ne patëm problemet tona të brendshme; duhet të presim konstituimin e Parlamentit tonë dhe më pas do të marrim edhe një vendim për Shqipërinë. Por nuk ka asnjë rezistencë gjermane kundrejt kësaj kërkese”, - deklaroi ambasadori Borkardt.
Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat para zgjedhjeve të 28 qershorit. Por, deri tani nuk ka asnjë datë konkrete se kur do të jetë seanca e parë e shqyrtimit të kësaj kërkese.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›