Mandati i Shkodrës, rezultatet e dyshimta për Partinë Socialiste
Shaban Sulçe
Rezultati zyrtar në qarkun e Shkodrës është një nga rezultatet më të kontestuara nga ana e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit. Janë të paktën 14 qendra votimi, për të cilat në procesverbalet e shpalljes së rezultateve janë sigluar rezultate të çuditshme dhe të dyshimta në rivalitetin PS-PD. Në procesverbale konstatohen diferenca të mëdha votash midis PD-së dhe PS-së, deri edhe në shifrat absurde 143 me 1, apo 93 me 0. Këto shifra absurde, por edhe arkivimi i fenomeneve të tjera të ndodhura gjatë procesit të numërimit të votave, ka bërë që Partia Socialiste të deklarojë se i është grabitur padrejtësisht një mandat deputeti në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 28 qershorit. Pikërisht për të verifikuar këto rezultate të dyshimta, socialistët kanë kërkuar hapjen e kutive të votimit. Sipas tyre, në kutitë e votimit gjendet rezultati real i shprehur nga zgjedhësit shqiptarë më 28 qershor, për të cilët socialistët thonë se kanë votuar për largimin e Sali Berishës. Hapja e kutive të votimit përbën edhe kushtin kryesor të PS-së për të hyrë në Kuvend, si dhe shtysa thelbësore në organizimin e protestave popullore nga ana e tyre.
Rezultatet
Në KZAZ-në Nr. 40, në Qendrën e Votimit Nr. 257, konstatohet një rezultat shumë i çuditshëm kur në procesverbal është deklaruar se Partia Demokratike ka fituar 143 vota, ndërsa Partia Socialiste ka fituar vetëm një votë. PS-ja rezulton të ketë marrë një votë të vetme në Qendrën e Votimit Nr. 46, në KZAZ-në Nr. 44 kundrejt 26 votave të fituara nga Partia Demokratike. Socialistët rezultojnë të mos kenë marrë asnjë votë në 3 qendra votimit në qarkun e Shkodrës. Kështu, në KZA-në 42, në Qendrën e Votimit Nr. 187, PS-ja ka marrë 0 vota, ndërsa PD-ja 17. Po kështu, në këtë KZAZ, në Qendrën e Votimit Nr. 186, PS-ja ka marrë zero vota, ndërsa PD-ja 93.
Deputetët
Rezultati zyrtar i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në qarkun e Shkodrës i dha 9 mandate deputetësh Partisë Demokratike, ndërsa 4 mandate deputetësh Partisë Socialiste. Deputetët e Partisë Demokratike në këtë qark janë: Jozefina Topalli, Astrit Bushati, Arenca Trashani, Gëzim Dibra, Gjok Uldedaj, Paulin Sterkaj dhe Ndue Paluca. Ndërkohë, deputetët e Partisë Socialiste janë zgjedhur Ilir Beqja, Tom Doshi, Ndue Kola dhe Astrit Beci. Megjithatë, socialistët pretendojnë se u është grabitur një mandat deputeti në qarkun e Shkodrës. Nëse pretendimi i tyre do të ishte i vërtetë, konfigurimi i deputetëve do të ndryshonte jo vetëm për qarkun e Shkodrës, por edhe për gjithë Kuvendin në tërësi, po të kihet parasysh fakti i diferencës së ngushtë të mandateve midis PD-së dhe PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit.
14 qendrat e votimit me rezultate të dyshimta në qarkun e Shkodrës
KZAZ Nr.40
Qendra e Votimit PD PS
Nr.257 143 1
KZAZ Nr. 41 PD PS
Qendra e Votimit
Nr.206 107 11
KZAZ Nr. 42
Qendra e Votimit PD PS
Nr.191 116 2
Nr.190 107 4
Nr.188 211 9
Nr.187 17 0
Nr.186 93 0
Nr.791 91 11
KZAZ Nr.44
Qendra e Votimit PD PS
Nr.43 144 8
Nr.44 148 7
Nr.46 26 1
Nr.70 64 4
Nr.74 208 6
Nr.75 110 0
20 Tetor 2009