E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Marrëveshja e detit me Greqinë është e domosdoshme”



Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përsëritur dje ftesën për Partinë Socialiste që të marrë informacion në Ministrinë e Jashtme për Marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve detarë. Duke e cilësuar këtë një marrëveshje të domosdoshme dhe që sjell përmirësime për Shqipërinë, Meta është shprehur se opozita i ka të gjitha mundësitë për t’u njohur në detaje me këtë marrëveshje. Sipas tij, edhe Parlamenti e ka shtyrë seancën për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje duke i dhënë mundësi opozitës që të marrë informacionin e duhur, në mënyrë që gjithçka të jetë transparente. Gjatë një interviste televizive Meta komentoi dhe bojkotin që Partia Socialiste ka vendosur t’u bëjë zgjedhjeve të pjesshme lokale. Ai e konsideroi këtë bojkot absurd dhe shprehje të mungesës së alternativave nga ana e PS-së.
Marrëveshja
“Kjo është një marrëveshje e domosdoshme sepse vetëm përmes përcaktimit të këtij kufiri ne mund të shfrytëzojmë në interesin tonë të gjitha të mirat e detit dhe të nëndetit. Ka pasur dhe ka mjaft projekte të rëndësishme nga kompani të huaja përsa u përket kërkimeve në det. Natyrisht, e gjitha është në interesin e Shqipërisë, dhe jo të Greqisë dhe kufiri është përcaktuar duke respektuar parimet e distancës”, - është shprehur Meta. Madje ai ka shtuar se Parlamenti e ka shtyrë qëllimisht seancën për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje me synim për të dhënë më shumë kohë në funksion të transparencës. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, ndryshe nga sa pretendoi Kuvendi se shtyrja ishte një çështje teknike për shkak të rrallimit të seancave parlamentare, deklaron se koha në dispozicion do të shërbejë për të bërë më shumë transparencë, kur sensibiliteti për këtë marrëveshje është rritur. “Çështja ka qenë në rendin e ditës të Kuvendit. Shtyrja e ratifikimit është bërë për t’u dhënë kohë të gjithëve që të jenë të bindur dhe të bërit sa më tepër transparencë të procesit”, - theksoi Meta. Shefi i Diplomacisë shqiptare ka përsëritur dhe njëherë thirrjen që të gjitha palët e interesuara të shkojnë në Ministrinë e Jashtme dhe të ballafaqojnë mendimet dhe matjet e tyre duke garantuar dhe njëherë se Marrëveshja e detit me Greqinë ka qenë e domosdoshme dhe nuk i ka falur Greqisë asnjë milimetër hapësirë detare. “Kjo është marrëveshje e domosdoshme, sepse vetëm përmirëson përcaktimin e këtij kufiri. Absolutisht që ndarja është bërë në interesin e Shqipërisë, sikurse edhe të Greqisë në paritet të plotë”, - është shprehur ministri i Jashtëm.
Bojkoti
Ministri i Jashtëm, njëkohësisht dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka komentuar edhe bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme lokale nga ana e Partisë Socialiste, duke e konsideruar këtë veprim absurd dhe mungesë të alternativave të PS-së. “Është një vendim krejtësisht i gabuar dhe në dëm të vetë Partisë Socialiste. Lidershipi aktual, duke ndjerë që nuk ofron dot një alternativë shpresëdhënëse, synon që përmes këtij bojkoti të fshehë një humbje tjetër. Mendoj se nuk është kjo gjuha e duhur e një opozite, e cila pretendon se përfaqëson një alternativë për integrimin europian të vendit”, - theksoi Meta. Kreu i LSI-së është përballur edhe me akuzat e ish-kolegëve të tij brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët e kanë quajtur tradhtar të interesave të elektoratit të tij. Por, përkundër këtyre deklaratave, Meta thekson se forca që ai drejton ka bërë zgjedhjen e duhur duke qenë në koalicion me Berishën, një koalicion që sipas tij, mund të zgjasë më shumë se sa një mandat 4-vjeçar.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›