Bankat: Do rritet kreditimi në lekë
Gjatë muajve të ardhshëm konsumatorët do të marrin më shumë kredi në monedhën vendase. Sipas vrojtimit më të fundit të kryer nga Banka Qendrore, bankat presin rritje të aktivitetit kreditues në lekë në tremujorin e tretë të vitit 2009 dhe rënie të aktivitetit kreditues në monedhë të huaj. Kjo prirje është vënë re që prej gjysmës së dytë të vitit 2008. “Bankat presin rritje të normës së interesit të kredive në valutë për kreditë që do të akordohen në tremujorin e tretë të vitit 2009. Përqindja neto e bankave që presin rritje të normës së interesit për kreditë në valutë është 12.3 për qind në krahasim me përqindjen e bankave që presin rritje të normës së interesit të kredisë në lekë, e cila është 4.7 për qind”, thuhet në vrojtim. Ekspertët e bankave kanë vlerësuar gjithashtu edhe faktorët që nxisin bizneset dhe konsumatorët të kërkojnë kredi në valutë. Faktori kryesor për nxitjen e kërkesës së bizneseve edhe gjatë tremujorit të dytë ka qenë diferenca në normat e interesit dhe burimi i të ardhurave në valutë. Ndërsa për kërkesën e individëve vijon të mbetet faktor kryesor nxitës për kredinë në valutë diferenca në normat e interesit si dhe çmimet e mallrave të blerë, të shprehura në monedhë të huaj.