E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, shkon në 13 numri i të dyshuarve

 

Zyrtarisht janë 8 të prekur me virusin e gripit të derrit në Shqipëri, por numri i tyre mund të shtohet edhe me 13 të tjerë. Sipas të dhënave nga ISHP-ja, nga rastet e dyshuara që janë mbajtur në spitalet shqiptare, 13 prej tyre kanë rezultuar me virusin A, një shenjë e fortë kjo se forma e gripit që ata kanë mund të ngjajë me atë të gripit të derrave. Pikërisht këto lloj analizash, që bëhen brenda pak orësh në Tiranë, dërgohen për konfirmim në Rumani, nga ku pritet përgjigjja përfundimtare. Shqipëria dyshon se 13 raste të tjera mund të shtojnë në 21 numrin e të infektuarve. Sidoqoftë, deri tani forma e gripit të derrave në Shqipëri ka qenë e lehtë, çka hamendëson se edhe disa dhjetëra qytetarë të tjerë mund të jenë infektuar me virusin dhe ta kenë kaluar sëmundjen pa nevojën e mjekimit. Kjo vërtetohet edhe nga fakti që deri tani të gjithë të prekurit me virusin A/H1N1 janë mje-kuar në shtëpi, në dhoma të izoluara, por pa patur nevojën e shtrimit në spital. Edhe vetë infeksionistët pohojnë se rastet kanë qenë të lehta dhe Tamiflu është përdorur në sasi shumë të vogla. Saktësimi i analizave për 13 rastet e tjera të dyshuara do të vijë të hënën nga Rumania, ku është edhe laboratori zyrtar për Evropën Lindore. Sidoqoftë, deri tani, shumica e rasteve të vërtetuara me grip derri kanë qenë persona të moshës 20-45 vjeç dhe e kanë sjellë atë nga jashtë. Mendohet që pjesa më e frikshme e përhapjes së gripit të jetë pikërisht gushti dhe shtatori, kur fluksi i emigrantëve të arrijë kulmin. Edhe vetë harta e përhapjes të drejton drejt bregut, ku është edhe dyndja më e madhe e emigrantëve. Deri tani ISHP-ja ka marrë rreth 290 kampione analizash nga rastet e paraqitura në spitale apo ambulanca në të gjithë vendimin. Numrin më të madh e mban Tirana, kjo edhe për shkak të numrit më të madh të popullsisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›