E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat, bizneset më shumë kredi për kapital qarkullues

 

Fabiola Çela

Për të marrë një kredi më parë duhet të plotësosh një sërë kushtet të vendosura nga bankat. Të dhënat më të fundit tregojnë se bankat vazhdojnë të jenë “dorështrënguara” në dhënien e kredive, qoftë për biznesin apo për konsumatorin.  Por rezultatet e vrojtimit më të fundit të aktivitetit kreditues tregojnë se standardet në tremujorin e tretë të vitit 2009 vijojnë të jenë të shtrënguara, por në një shkallë më të ulët se në tremujorin e kaluar. E njëjta situatë pritet të jetë edhe në muajt në vijim. “Pritjet për tremujorin e katërt të vitit 2009 tregojnë se bankat do të aplikojnë standarde të ngjashme me ato të aplikuara në tremujorin e tretë të vitit 2009 si për bizneset, ashtu edhe për individët”, thuhet në vrojtimin më të fundit të kryer nga Banka e Shqipërisë.
Vrojtimi
“Në tremujorin e tretë të vitit 2009, shtrëngimi neto i standardeve është në një shkallë më të ulët: balanca neto u rrit në -7.6 për qind, krahasuar me -23.4 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009. Gjatë vrojtimit të radhës, pjesa më e madhe e ekspertëve të bankave të intervistuar janë shprehur se kanë mbajtur të pandryshuara standardet dhe kriteret e kredidhënies së tyre nga tremujori i kaluar. Të gjithë faktorët kanë ndikuar në uljen e shkallës së shtrëngimit të standardeve, me përjashtim të situatës së kredive me probleme, kontributi i së cilës është rritur”, thuhet në vrojtimin e BSH-së. Bankat kanë zbatuar një politikë më të shtrënguar kryesisht nëpërmjet rritjes së komisioneve, uljes së madhësisë së kredisë dhe uljes së maturitetit maksimal të kredisë. Marzhi mesatar i kredive dhe kërkesa për kolateral, megjithëse mbeten në kahun shtrëngues, kanë regjistruar një ulje të shkallës shtrënguese gjatë tremujorit të tretë. Në përgjithësi, shkalla shtrënguese mbetet më e lartë për kushtet që lidhen me kostot e kredisë, sesa për kushtet që nuk lidhen me kostot, dhe veçanërisht më e lartë për ato kredi që vlerësohen nga bankat si me rrezikun më të lartë. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, për herë të parë këtë tremujor standardet e aplikuara në kredinë për kapital qarkullues janë lehtësuar. Përqindja neto e bankave që raportojnë për lehtësim të standardeve të kredisë për investime mbetet negative (-11 për qind), megjithëse në një shkallë më të ulët, krahasuar me -30 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009. Kërkesa neto e bizneseve për kredi, pasi u rrit disi në tremujorin e dytë të vitit 2009, pësoi një rënie gjatë tremujorit aktual, si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) ashtu edhe nga korporatat e mëdha. Kjo rënie u ndikua kryesisht nga rënia e kërkesës së bizneseve për kredi për qëllime investimi, balanca neto e së cilës ra në -33 për qind krahasuar me -23 për qind tremujorin e kaluar. Sipas vrojtimit të BSH-së, gjatë tremujorit të tretë 2009, standardet e kredidhënies për individë nuk ndryshuan krahasuar me tremujorin paraardhës. Bankat shprehen se standardet e kredisë në tremujorin e tretë të vitit mbetën pothuajse të njëjta me ato të aplikuara në tremujorin e dytë, si për kredinë për blerje banese ashtu dhe për atë konsumatore. Faktorët kryesorë që kanë përcaktuar mbajtjen e pothuajse të njëjtit nivel të standardeve të kredisë gjatë tremujorit të tretë vazhdojnë të jenë të njëjtë me ato të tremujorit të dytë.

kreditimi

16 për qind rritja vjetore mesatare e kredisë për sektorin privat për muajt qershor-gusht 30 për qind rritja mesatare e kredisë në lekë 11 për qind rritja mesatare vjetore e kredisë për biznese gjatë muajve qershor-gusht 70 për qind e rritjes së kredisë për biznese në muajt qershor-gusht është për financim likuiditeti 8 për qind rritja mesatare vjetore gjatë muajve qershor-gusht e kredisë për individë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›