Bankat duan kredine ne valute - 3.3
Situata e mirë e likuiditetit në valutë në sistemin bankar është pasqyruar në kreditimin më të lartë në monedhë të huaj gjatë gjithë vitit 2010. Portofoli në valutë i kredisë për sektorin privat është rritur në mënyrë të njëtrajtshme, duke regjistruar një rritje vjetore prej 3.3 për qind në muajin gusht. Ndërkohë, rritja vjetore e kredisë në lekë është ngadalësuar më tej, duke arritur në 12 për qind në muajin gusht. Pavarësisht ngadalësimit në terma vjetorë, kredia në lekë vazhdon të japë kontributin kryesor në rritjen e kredisë për sektorin privat.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e portofolit të kredisë për sektorin privat vazhdon të mbështetet nga kreditimi më i lartë për biznese. Në tremujorin e tretë të vitit, rritja vjetore e këtij portofoli qëndroi në 10.0 për qind, lehtësisht nën rritjen mesatare prej 10.4 për qind të vërejtur në tremujorin e dytë. Në raportin e BSH-së, sektori më i kredituar i bizneseve mbetet ai i shërbimeve, veçanërisht tregtia, e cila ka shënuar edhe normat më të larta të rritjes në terma të vlerës së shtuar në ekonomi, kurse ndërtimi mbetet në nivelet më të ulëta.